Personi që shihni në foto është 39-vjeçari nga Lezha, Briken Sanaj, i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në zonën e njohur si “Kodra e Diellit” në kryeqytet, ku edhe banonte.
Sanaj prej më shumë se një viti ishte rezident në lagjen ku u vra dhe njihej nga roja private e “Kodrës së Diellit” me emrin Anton Gjini.
I riu lezhjan u ekzekutua në vetëm pak sekonda, nga autorët që lëviznin me një automjet tip “Benz”, makinë e cila u gjet e shkrumbuar nga flakët pak minuta pas vrasjes në zonën e “Qafë Kasharit”.
Makina që është gjetur duke u djegur ishte me targa AA 777GY, ndërsa brenda saj u gjet edhe kallashnikovi.
Viktima pasi ka mbyllur makinën në garazh është takuar me dy–tre shokë të tij. Autorët iu afruan 39- vjeçarit dhe më pas hapën xhamin e pasmë të makinës që rezulton e vjedhur, nga ku kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Sanaj gjeti vdekjen pasi dy plumba e kanë kapur në fytyrë. Hakmarrja është pista kryesore ku pritet të përqendrohen hetimet e policisë, pasi në të shkuarën vëllai i 39- vjeçarit ka plagosur një person.
Sakaq, dhjetëra persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjen që tronditi mbrëmjen e djeshme Tiranën, ndërsa pritet që detaje të reja të dalin në dritë pas ekzaminimit të armës së gjetur në makinën e djegur nga autorët.
Njoftimi i policisë mbrëmjen e djeshme:
Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Janë shoqëruar disa persona në Polici. Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.