Qeveria e re e Britanisë së Madhe përmban më shumë emra të vjetër, por duket se e justifikon qëllimin dhe politikat që ka ndërmend të arrijë kryeministri i ri i vendit Rishi Sunak.
Ai synon që të normalizojë pozitat e vendit në tregjet ndërkombëtare dhe të zbusë klimën e tensionuar që është krijuar si pasojë e inflacionit në rritje dhe faturave të çmendura të energjisë elektrike.
Për këtë, Sunak ka ndërtuar strukturën e re ministrore të Britanisë. Ai ka vendosur të mbajë në postin e Ministrit të Jashtëm, James Cleverley, ashtu siç ka bërë me Ben Wallace, të cilit i betohet sërish Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë Dominic Raab do të jetë zv/Presidenti i Konservatorëve. Gjithashtu do të vijojë të mbetet pjesë e kabinetit rivalja e Sunak, Penny Mordant që mban postin e Ministres së Drejtësisë.
Edhe Jeremy Hunt do të vijojë të jetë Ministër i Financave, gjë që pritej pak a shumë nga shumica. Atij i kërkohet të menaxhojë presionet e forta inflacioniste që rrënojnë ekonominë britanike, zhvlerësimin e madh të paundit dhe valën e masave shtrënguese.
Grant Shapps merr përsipër Ministrinë e Biznesit, duke zëvendësuar Jacob Rees-Mogg i cili dha dorëheqjen më herët, ndërsa mbetet në kabinet Nadim Zahawi, i cili merr postin e presidentit të Partisë Konservatore.
Simon Hart është emëruar si kreu i ri i kabinetit, duke zëvendësuar Wendy Morton. Hart ka qenë deputet që nga viti 2010 dhe ka shërbyer si Sekretar i Jashtëm nën qeverinë Johnson deri në korrik 2022, kur ai u largua dhe njihet si një politikan anti-Brexit.
Ajo çka ishte lajmi i ditës, lidhet me rikthimin e Suella Braverman pas vetëm një jave nga dita kur i dorëzoi dorëheqjen Liz Truss, në postin e Ministres së Brendshme.
Kujtojmë se ministrja në fjalë është treguar tepër e ashpër në lidhje me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që shfrytëzojnë kalimin me gomone përmes “La Manshit” për të mbërritur në Britaninë e Madhe.
Gjatë fjalimit të saj në konventën e Partisë Konservatore më 5 tetor, Braverman premtoi se do ndryshojë ligjin e emigracionit për të ndaluar kryesisht shqiptarët që kalojnë Kanalin nga Franca me gomone.
Rikthimi i planit të deportimit të azilkërkuesve në Ruanda ishte gjithashtu një nga arsyet që çoi në përplasjen e ashpër mes Braverman dhe Truss, me kryeministren që synonte të ndiqte një linjë më të butë me emigrantët, duke i trajtuar me viza punësimi.
“Unë do të shikoj të çoj përpara legjislacionin për ta bërë të qartë se e vetmja rrugë për në MB është përmes një rruge të sigurt dhe ligjore. Nuk është raciste për asnjë, minoritet etnik apo tjetër, të dëshirojë të kontrollojë kufijtë tanë. Nuk është fanatizëm të thuhet se kemi shumë azilkërkues që abuzojnë me sistemin. Nuk është ksenofobike të thuhet se migrimi masiv dhe i shpejtë ushtron presion mbi strehimin, shërbimet publike dhe marrëdhëniet me komunitetin”, deklaroi asokohe Braverman.
Madje ajo shkoi më tej duke sulmuar gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për minim të sovranitetit të kufijve të Anglisë, ndërsa theksoi se “ëndrra” e saj është që të niste një avion për në Ruandë përpara Krishtlindjeve.