Viti i ri akademik 2022-2023 ka nisur mes bojkotit dhe mësimit në auditore, me pedagogët, të cilët kanë vazhduar nisën e nisur prej 3 javësh, ku i janë drejtuar shesheve për të kërkuar rritje pagash dhe shtimin e financimeve për kërkimet shkencore.
Teksa kryeministri Edi Rama i sfidoi me antimiting dhe me një rritje qesharake prej 7% i kërkoi që të nisnin normalisht ditën e sotme mësimin, Sindikata e Pedagogëve duket e palëkundur në qëndrimin e saj.
Ashtu siç kishin lajmëruar ata kanë dalë në protestë në orën 10:00 dhe do ta vazhdojnë atë deri në 12:00.
Kreu i saj Sandër Kovaçi ka folur për mediat nga ambientet e jashtme të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku ka kërkuar nga qeveria që të dëgjohet zëri i tyre.
“Në çdo universitet të Shqipërisë bëhet fjalë për bojkot. Prania është e lartë. Mësim nuk bëhet, të gjithë janë dakord për bojkotin. Bojkoti do të jetë në mënyrë të përhershme. Nga kryeministri apo qeveria ende nuk kemi komunikim”, tha Kovaçi.
Kovaçi bëri thirrje që bojkoti të jetë i plotë në çdo universitet publik dhe iu përgjigj zërave se kryeministri Rama do t’i sfidojë duke shkuar në ambientet e UT në momentin që do të kulmojë protesta e tyre.
“Pedagogët janë shprehur se do të vijojnë bojkotin deri në momentin që qeveria do të plotësojë kërkesat e tyre. Nga biseda me pedagogë nuk është përjashtuar mundësia që kryeministri të jetë prezent në protestën e sotme. E pranishme është edhe Garda e Republikës. Ishte mesa duke testuar situatën. Erdhi me duket për të bërë një inaugurim laboratori, por u larguan”, shtoi kreu i Sindikatës.
Në vijim, Kovaçi nuk përjashtoi mundësinë që protesta të avancojë dhe të ndryshojë plani i Sindikatës për të bërë qeverinë që të dëgjojë kërkesat e tyre.
Ai theksoi se nëse nuk gjendet një zgjidhje në afatshkurtër për kauzën e tyre, pedagogët mund të protestojnë poshtë zyrës së Ramës.
“Ka shumë mundësi që ta bëjmë me dinamikë. Ne jemi të vendosur të bëjmë një larmi protestash, në mënyrë që kryeministri të gjejë një zgjidhje. Ka nga më të ndryshmet, mund të shkojmë përpara Kryeministrisë, se ndoshta nga këtu nuk na dëgjon, ndoshta atje jemi më afër. Deri tani sindikata ka mbajtur pozicionimin që të jemi afër universiteteve por mund të jemi dhe pranë Kryeministrisë”, deklaroi ai.
Edhe ish-deputeti dhe profesori Aleksandër Biberaj foli për mediat nga protesta, duke thënë se pedagogët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon, ndërsa e cilësoi qesharake rritjen prej 7% që propozoi qeveria.
“Janë kërkesa të drejta, me karakter të mirëfilltë ekonomik. Jemi më të keqpaguarit në rajon. Mbështetja është e plotë. ta që kanë pozicion administrativ, janë dhe drejtues. Nuk do ketë proces mësimor, nëse nuk realizohen kërkesa tona. Kemi pasur një takim me studentë e viteve të para, një takim mirëseardhje. Është maxhorancë absolute që mbështet protestën. Nuk është e lehtë të mos zhvillosh mësim, por është i vetmi mjet që lëvizja sindikaliste ka. Kemi përballë një qeveri që jo vetëm nuk plotëson kërkesat, por tallet. Kërkesa janë të realizueshme, por është kryeneçsia e qeverisë që nuk pranon të debatojë. Masa e rritjes 15% është qesharake. Pagat tona janë qesharake. Jam për të vazhduar protestën, çdo ditë non-stop. Do të vazhdojë. unë shpreh opinionin tim dhe të kolegëve të mi këtu, se di nëse do të vijojnë të kenë të gjithë këtë mendim. Ka një interferencë sikur, pasi kryeministri ka bërë takime informale me rektorë, pi kafe”, tha Biberaj.
Ndërkohë, pedagogu i Universitetit të Arteve, Ardian Isufi tha se mbështetja e akuzës së tyre nga ana e studentëve ka qenë shumë e madhe.
“Jemi në Universitetin e Arteve, një pjesë e mirë pedagogëve janë pjesë e bojkotit të mësimit që lidhet me peticioni e 9 pikave. Shihet një fillim i mbarë i mirëkuptimit të pedagogëve dhe po ashtu kemi edhe mirëkuptim të studentëve. Duhet patjetër që kërkesat e tyre të shihen nga qeveria shqiptare,. Për kërkimin shkencor është kërkuar një buxhet serioz. Edhe për pagat në tërësi kemi kërkuar të rishikohen, po ashtu disa çështje të tjera lidhen me rishikimin e buxhetit. Jemi vendi i fundit në Europë për çështjen e pagesës”, tha Isufi.
Ndërkohë, protesta është mbështetur edhe nga universitetet në rrethe. Kryetar i sindikatës së pedagogëve në Shkodër, Peter Saraçi tha se pjesa më e madhe e tyre kanë bojkotuar dhe se nuk po zhvillohej mësim.
“Pjesa më e madhe e pedagogëve janë në protestë, nuk po zhvillohet mësim. Do vijojmë bojkotin gjatë gjithë orëve të mësimit. Protesta nuk është kundër kryeministrit apo rektores. 3 pika nuk janë realizuar ende. Protesta mbështetet nga studentët. Ftoj rektoren të na thërrasë në takime, jemi treguar realist në pikat tona”, deklaroi ai.
Edhe Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Suzana Golemi ka dalë në krah të kolegëve të saj, teksa tha për mediat se është në mbrojtje të kërkesave të tyre.
Ajo gjithashtu nënvizoi se nuk do të merret nga ana e institucionit arsimor që drejton asnjë masë ndaj pedagogëve që janë në protestë.
“Jam në mbrojtje të kërkesave të pedagogëve, shpresoj që të arrijmë aty ku duhet me qeverinë. Të lëmë një ditë tjetër bojkotin. Nuk do të ketë asnjë masë ndaj pedagogëve në protestë, i mbështesim”, tha Golemi.
Në Gjirokastër, kreu i sindikatës së pedagogëve profesori Arjan Gjini theksoi se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Stafi akademik dhe studentët i kanë mirëpritur këtë protestë. I jemi bashkuar protestës, pasi prurjet janë të ulëta. Nëse do ecim me këto ritme, do mbyllet ky universitet. Ne kërkojmë që ligjvënësit të gjejnë rrugët e duhura dhe të rijetëzohet jeta në Universitete. Nëse do hyjmë në auditorë, ato janë boshë. Askush nuk është në auditorë. Ne përpiqemi që kjo protestë të arrijë rezultatin e duhur, që të plotësohen kërkesat. Ne do të mblidhemi dhe të shpresojmë që protesta të jetë në të mirë të arsimit të lartë në Shqipëri”, tha Gjini.
Edhe pedagogët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit rreth orës 10:15 janë mbledhur në ambientet e jashtme të Fakultetit Ekonomik dhe Qendror për të kërkuar nga qeveria rritje të pagës.
Pedagogu Eljro Vila, ka deklaruar për mediat se kërkesat që ata kanë nuk janë luks por janë për të vendosur dinjitetin e tyre.
“Rëndësi ka kauza për të cilën protestojmë jo numri i pedagogëve në protestë. Kemi edhe studentët që mbështesin protestën e pedagogëve. Kërkesat e pedagogëve nuk janë për luks, por janë për të vendosur dinjitetin. Jemi këtu në respekt të sindikatës”, tha ai.
Ndërkohë, panorama është tepër e zymtë ne Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, ku pavarësisht se nuk ka patur bojkot nga ana e pedagogëve, bie në sy mosplotësimi i kuotave të studentëve.
Vetëm 55% e tyre është e plotësuar, ndërsa degë si mësuesia, fizika, matematika dhe kimia janë në kuotat minimale dhe rrezikojnë ende mbylljen, pasi nga 1200 kuota të lira, vetëm 700 studentë të rinj janë regjistruar.