Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz sërish është shprehur për zgjerimin e BE-së. Zgjerimi i unionit më në lindje është një fitim për të gjithë. Ai sheh nevojën e reformimit të parimit të unanimitetit në vendimmarrje.
Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz bën thirrje për një zgjerim të qartë të Bashkimit Europian duke iu referuar rolit gjeopolitik të unionit. “Një BE me 27, 30, 36 shtete dhe me më shumë se 500 milionë qytetare dhe qytetarë të lirë e të barabartë mund ta forcojë edhe më shumë rëndësinë e vet në botë”, tha politikani socialdemokrat në kongresin e familjes së partive socialdemokrate europiane (PES) në Berlin.
Në këtë proces nuk duhen shkëputur nga vëmendja shqetësimet e vendeve më të vogla anëtare, sipas tij. „Edhe në të ardhmen secili vend do të dëgjohet me kërkesat e tij, sepse gjithçka tjetër, do të ishte tradhti ndaj idesë europiane.”
Aktualisht BE-ja ka 27 vende anëtare. “Unë angazhohem për zgjerimin e BE-së. Zgjerimi i BE-së edhe më tej drejt lindjes është për të gjithë ne një fitim”, theksoi Scholz. Por vende kandidate si Ukraina, Moldavia, shtetet e Ballkanit Perëndimor e në perspektivë edhe Gjeorgjia duhet të përmbushin kriteret.
Scholz thekson mbështetjen për Ukrainën
Ukrainës dhe Moldavisë si dhe vendeve të tjera aspirante për anëtarësim ai u siguroi mbështetjen e tij në rrugën drejt BE-së. Të dy shtetet ashtu si edhe Gjeorgjia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor “bëjnë pjesë tek ne, tek Europa e lirë”, tha kancelari. Ai përmendi premtimet e bëra prej shumë kohësh për një perspektivë anëtarësimi. Fjalët tani duhet të pasohen nga veprat.
Scholz theksoi mbështetjen e tij edhe për Ukrainën kundër luftës sulmuese ruse. “Invazioni brutal” i Rusisë është “një sulm ndaj rendit europian të sigurisë”. Këtë nuk do ta pranojë bashkësia europiane e shteteve. Kancelari iu referua mbështetjes ushtarake, por edhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.
Kancelari do që gradualisht të hiqet parimi i unanimitetit në vendimmarrje
Europa duhet të forcohet në aftësitë e saj dhe „të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë të përbashkët”, tha Scholz. Si shembull ai përmendi nismën e fundit për një mbrojtje ajrore të përbashkët europiane.
Janë të nevojshme edhe një trupë e planifikuar e ndërhyrjes së shpejtë dhe një kuartier i përbashkët qendror i BE-së. “Bashkë dhe me vetëdije ne duhet t‘i avancojmë përpjekjet europiane për mbrojtjen”, bëri thirrje kancelari.
Në këtë kontekst Scholz sërish apeloi për reforma në BE, për ta forcuar atë për të ardhmen. Për të shmangur bllokadat, duhet që të kalohet gradualisht “në vendimet e shumicës në politikën e jashtme dhe atë të financave”. Ai tha, se “ne na duhet të bëjmë ende punë bindëse për këtë”. Por vendimet e shumicës janë një pasurim dhe aspak “humbje e sovranitetit”, sipas tij. Unanimiteti është i detyrueshëm për disa tema, që vendet anëtare i konsiderojnë si të ndjeshme./DW