Në një deklaratë për mediat paraditen e sotme, policia e Shkodrës ka dhënë detaje nga arrestimet e realizuara ditën e djeshme, në një laborator të prodhimit të kanabisit në fshatin “Bardhaj”, ku në pranga kanë rënë 16 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Blutë e Shkodrës sqarojnë se dymbëdhjetë nga personat e ndaluar janë gra. Mësohet se dhjetë prej tyre ishin të punësuara nga familja Gjoni në fermën e kanabisit që ata kishin ngritur.
Gjatë aksionit, në banesën e 31-vjeçarit Pjetër Gjoni janë gjetur sasi lënde narkotike në proces tharjeje dhe kanabis i tharë, me peshë totale 86 kilogramë.
Ndërkohë, bëhet me dije gjithashtu se 42-vjeçarja nga Kombinati Danjela Hasani ka qenë organizatorja që gjente gratë, kryesisht nga zonat e Tiranës dhe Krujës për t’i punësuar në ferma kanabisi.
Ajo madje ka qenë e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të përmbushjes së një prej prioriteteve kryesore të punës, atij të luftës kundër kanabisit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i kontrollit të panderprerë të territorit, si dhe mbështetur me inteligjencë informative, në bashkëpunim me FNSH Shkodër dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, prej një jave kanë zhvilluar një megaoperacion policor, të koduar “Qarku”.
Operacioni u zhvillua në katër faza. Faza e katërt e këtij operacioni, e koduar “Blerani”, është finalizuar mbrëmjen e djeshme, me goditjen e një grupi të mirorganizuar kriminal që merrej me kultivimin, prodhimin, përpunimin dhe paketimin e kanabisit për shitje.
Mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë operative, është organizuar dhe finalizuar faza e katërt e megaoperacionit, e zhvilluar në lagjen “Bleran” të fshatin Bardhaj, njësia administrative Rrethina Shkodër, ku u arrestuan në flagrancë 16 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit P. Gj., 31 vjeç, në ambientet e jashtme dhe të brendshme të kësaj banese, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde narkotike në proces tharjeje dhe lëndë narkotike të thatë, me peshë totale 86 kilogramë kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese, janë kapur në flagrancë duke përpunuar lëndën narkotike, 10 shtetase: D. H., D. Ç., D. H., F. Gj., H. B., M. H., E. D., B. M., V. H. dhe F. B., nga Tirana, Fushë Kruja dhe Dukagjini, të cilat në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë.
Njëra prej këtyre shtetaseve, konkretisht shtetasja D. H., 42 vjeçe, banuese në Kombinat, Tiranë, e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale, kishte rolin e organizatores. Ajo gjente punëtore, kryesisht nga Tirana dhe Kruja, për të përpunuar kanabisin.
Po gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit:
Z. Gj., 56 vjeç dhe A. Gj., 55 vjeçe (bashkëshortë) dhe 3 djemtë e tyre, shtetasit:
E. Gj., 24 vjeç, R. Gj., 22 vjeç dhe P. GJ., 31 vjeç, si dhe shtetasja F. Gj., 29 vjeçe, bashkëshortja e shtetasit P. GJ.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., 31 vjeç, djali tjetër i bashkëshortëve Z. Gj. dhe A. Gj.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi P. Gj. grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje.
Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 86 kilogramë kanabis, dy ventilatorë që shërbenin për tharjen e bimëve narkoitke, 3 automjete dhe 15 aparate celulare.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim.
Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”, gjatë fazës së parë të këtij operacioni, në Shkodër, Malësi të Madhe dhe në Pukë u sekuestruan 83 kilogramë kanabis dhe u asgjësuan 101 bimë kanabis. Për këto raste u arrestuan në flagrancë katër shtetas, konkretisht L. C., E. T., A. S. dhe Z. D.
Gjatë fazës së dytë të megaoperacionit, u kap një shtetas i shpallur në kërkim, konkretisht shtetasi A. P., me rekorde kriminale, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Po gjatë kësaj faze u vu në pranga edhe shtetasi H. S., i cili qarkullonte me personin në kërkim.
Ndërsa gjatë fazës së tretë të operacionit, në Vaun e Dejës, janë sekestruar 22 kilogramë kanabis dhe janë vënë në pranga babë e bir, shtetasit M. N. e K. N., si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. L.
Po gjatë megaoperacionit të shtrirë në harkun kohor njëjavor, si rezultat i kontrollit të territorit dhe verifikimit të koordinatave të nxjerra nga monitorimi ajror, janë gjetur dhe asgjësuar në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, 355 bimë kanabis, të kultivuara në miniparcela, në zona të pyllëzuara. Për këto raste vijon puna intensive, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Përgjatë katër fazave të megaoperacionit janë sekuestruar gjithsej 191 kilogranë kanabis, 456 bimë kanabis, janë arrestuar në flagrancë 24 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.
Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
TE ARRESTUARIT:
1-Zef Gjoni, 56 vjeç, banues ne Bleran, Shkoder;
2- Pjeter Gjoni, 31 vjeç, banues ne lagjen Bleran, Shkoder;
3- Elvis Gjoni, 24 vjeç banues né Bleran, Shkoder;
4- Roland Gioni, 22 vjeç, banues ne lagen Bleran, Shkoder;
5- Flora Gioni, 29 vjeçe; banuese ne Bleran, Bardhaj, Shkoder;
6 – Antoneta Gjoni, 55 vjeçe banuese në Bleran, Bardhaj, Skoder;
7- Danjela Hasani, 42 vjeçe banuese në Kombinat, Tirane;
8- Drita Cuni, 45 vjeçe, banuese ne Kamez,
9-Dorentina Hoxha, 34 vjeçe, banuese ne Mamurras,
10- Franga Gini, 52 vjeçe, banuese ne Kamez, Tirane,
11- Hurme Bafti, 47 vjeçe, banuese ne Kamez, Tirane,
12- Mimoza Hoti, 51 vjeçe, banuese ne Kombinat, Tirane,
13- Elida Doku, 43 vjeçe, banuese ne Fushe kruje,
14- Blerina Meta, 37 vjeçe, banuese ne fshatin Larushk, Fushe-Kruje, Kruje,
15- Valbona Haka, 45 vjeçe, banuese ne fshatin Nikel, Fushe Kruje,
16- Fatime Baftaj, 53 vjeçe, banues ne Kamëz,
17- Fabion Gjoni, 31 vjeç (shpallur ne kerkim) I dyshuar si i perfshire ne kete ngjarje kriminale.