Kryetari i kuvendit, Ilir Meta pati një intervistë të enjten në mbrëmje me gazetarët Fatos Lubonja, Ylli Rakipi dhe Andi Bushati në emisionin “Të paekzpozuarit”. Në këtë bashkëbisedim të shkurtër dhe dinamik ai ishte i prerë se nuk ka asnjë shank që ramë të jetë sërish kryeministër me votat e LSI-së, se basha ka dhe dy ditë kohë të mendohet ndërkohë që bëri thirrje që nëse nuk votojnë LSI-në zgjedhësit të japin votën për parti si Libra dhe PDIU…
Rakipi-Pas 8 vjetësh dy të mëdhenjtë janë mbledhur…
Meta-Ish-të mëdhenjtë, kjo sipas mendimit tim.
Rakipi- Deri në datën 25 qershor, deri sa t’i shohim, ata janë të mëdhenjtë. Ne duhet të jemi realistë. Ju keni provat tuaja. Sot Kryeministri ka folur dhe te “Zëri i Amerikës” duke folur për të gjithë. Ai ka thënë se aleatët kishin një zgjedhje tjetër taktike dhe afatshkurtër.
Meta-Çfarë do të thotë kjo, se nuk e kuptoj?
Rakipi-Çfarë mendoni ju për këtë që thotë Kryeministri? Zgjodhëm një president thotë ai që përfaqëson edhe PD-në. Këtë e ka thënë dhe te “Zëri i Amerikës”. Këtë gjë e ka thënë vazhdimisht. Çfarë borxhi i ka populli shqiptar Ilir Metës? Çfarë borxhi i ka PS-ja?
Meta-Së pari, unë nuk e di që ai më ka propozuar me konsensusin e PD-së.
Së dyti, çfarë borxhi i ka Shqipëria Kryeministrit i cili kërkon të eliminojë zgjedhjet e lira dhe demokratike në Shqipëri?
E para, kërkoi ta bënte duke lënë opozitën në çadër dhe duke mos ofruar garanci për zgjedhjet.
E dyta, pasi mori kreun e opozitës për 3 orë në errësirë bëri marrëveshje si të pushtojë televizionet bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike, dhe njëkohësisht të bëjë gjithçka për të fiksuar qytetarët shqiptarë që të mos votojnë për asnjë alternativë tjetër. Ai ngriti një task-force, e cila vepron në errësirë, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjin e statusit të nëpunësit civil, ku nuk ka asnjë ministër të LSI-së, duke pasur në konsideratë që ministrja e Integrimit Europian ka përgjegjësitë e saj edhe për çështjen e zgjedhjeve në raport me integrimin europian, edhe për reformën e administratës publike, që është një reformë kyçe për integrimin europian. Ata shkelin ligjet gjithë ditën dhe bëjnë presion ndaj administratës. Dhe ky miting që ne sapo pamë (nderkohe qe Meta fliste trensmetohj live mitingu i Rames) është një miting administrate e mbledhur nga e gjithë Shqipëria, si kudo.
Rakipi- Z Meta, duket sikur ndarja juaj me Partinë Socialiste është definitive.
Meta- Ka dy gjëra të ndryshme raporti ynë me Rilindjen, apo me mavitë dhe raporti ynë me Partinë Socialiste…
Rakipi-… raporti juaj me Partinë Socialiste, por në fakt nuk kemi Parti Socialiste. Duket sikur nuk…
Meta-Viktima e parë e Rilindjes dhe e mavisë është vetë Partia Socialiste. Ajo sot nuk ka as flamur, ajo sot nuk ka simbole, ajo sot nuk ka as histori, ajo sot nuk ka as solidaritet. Çfarë ka shpallur? Rilindja ka shpallur zhbërjen e Partisë Socialiste. Çfarë thotë Rilindja? Në 27 vjet nuk është bërë asnjë gjë. Pra, Partia Socialiste, për shembull, nga ‘97-a deri në 2005-n nuk ka qeverisur, nuk ka bërë asnjë autostradë, nuk ka rindërtuar gjykatat e shkatërruara, komisariatet e shkatërruara në `97-n, ekonominë e shkatërruar nga piramidat. Nuk ka bërë asgjë, për sa i takon integrimit europian të Shqipërisë. Asgjë! Çdo gjë fillon me Rilindjen. Pra, viktima e parë e Rilindjes është vetë Partia Socialiste. Tani kërkon të bëjë viktimë të gjithë Shqipërinë.
Rakipi- Të jemi realistë, në këto 4 vjet ju e keni ndihmuar shumë fort Rilindjen. Bashkë keni qenë.
Meta- Nuk kemi ndihmuar Rilindjen. Kemi dhënë një mundësi…
Rakipi-Dhe duhet t’u thoni shqiptarëve edhe përgjegjësitë tuaja.
Meta-Ne përgjegjësitë tona i marrim. Ne i kemi dhënë një mundësi Partisë Socialiste, meqenëse ishte partia më e votuar, për të treguar një vizion tjetër. Ajo që shohim është një vizion i degraduar i një ish-kryetari bashkie.
Lubonja- Zoti Meta, flamur Rilindja ka, sepse nxori flamurin kombëtar.
Meta-Ka një kompleks, ngaqë ka qenë tersi i kombëtares në futboll. Këtu nuk po flas për ju…
Lubonja- Kam parë që përdorni tani termin “oligarkia” dhe ia vishni atë Edi Ramës. Unë jam dakord që sistemi është oligarkik. Ne duam emra, z. Meta, dhe duam të krijojmë besim, sepse mendimi im është që edhe ju keni qenë pjesë, keni oligarkët tuaj, prandaj besimi te ju është shumë i dobët. Çfarë mund të thoni për këtë?
Meta-Këtu nuk jam fare dakord. Tek e para, LSI-ja ka më shumë se dy vjet që ka depozituar në parlament një projektligj që çdo koncesion duhet të kalojë në parlament, pra nuk duhet të kalojë më me vendime qeverie apo me çdo akt tjetër që anashkalon parlamentin, me qëllim që të evitohet marrja e pasurive kombëtare apo e shërbimeve publike nga persona të caktuar që janë pa dyshim oligarkë apo partnerë të tyre të huaj, që gjejnë këtu si partnerë lokalë të njëjtët njerëz, të cilët kanë pasur ndikim të rëndësishëm në qeverinë e mëparshme, që ka ndikim të rëndësishëm në qeverinë aktuale, të cilët kërkojnë një sistem të mbyllur jo vetëm ekonomik, por edhe politik.
Lubonja-Emra, emra, sepse në një të nesërme i presim këta të përgjigjen.
Meta-Emri kryesor që duhet ndëshkuar më 25 qershor është z. Rama, i cili është bërë një përfaqësues pa kushte i tyre në dëm të interesit publik. Ajo për të cilën unë jam i bindur se zoti Vasili dhe LSI-ja nuk do të bëjnë asnjëherë asnjë lloj kompromisi është çështja e koncesioneve, e para, sepse kemi të bëjmë me pasuritë tokësore dhe nëntokësore të shqiptarëve dhe shërbimet publike; së dyti, për sa i takon ligjit të mbetjeve, importit të mbetjeve, ku përsëri ekzistojnë dyshime serioze se janë të përfshirë përfaqësues të asaj, që ne e quajmë oligarki dhe që ka qëllim të mbrapshta. Kështu që pa dashur të hyj sot në emra për shkak të shumë arsyeve, jo të arsyeve personale, sepse nuk kam asnjë kompleks, se nuk kam detyrim ndaj asnjë oligarku apo biznesmeni në Shqipëri, duhet t’ju se kjo tani është një betejë e qartë dhe e hapur, që nuk ka të bëjë thjesht me individë, por ka të bëjë me interesin publik.
Lubonja- Keni bërë një punë me rininë, kuptohet që do t’ju mbështesë ju, problemi që kemi ne, është se kjo rinia më duket më shumë si një rini, që e keni rreth partisë, por nuk shikoj se çfarë vlerash ka, çfarë idealesh ka, sepse rinia kudo në botë sjell një të re, sjell një ndryshim. Ndërsa këtu është ideja sikur thjesht rinisë i garantoni punë, argëtim, pra nuk është një rini që sjell ndryshim, por një rini që përdoret…
Meta-Për sa i takon rinisë, unë do të doja, në qoftë se ju do të kishit qenë më i vëmendshëm, të kishit vënë rënë se një nga kundërshtaret kryesorë të keqzbatimit me qëllime klienteliste të ligjit për arsimin e lartë, ka qenë pikërisht deputetja më re e parlamentit, Kejdi Mehmetaj. Është tashmë evidente se ai ligj dhe akoma më tepër mosbërja e akteve nënligjore në përputhje me interesin publik u bë në këtë ndikim për të trysnuar dhe për të devijuar shumë studentë që të shkojnë drejt universiteteve private dhe jo drejt universiteteve publike, duke rritur kostot e arsimimit të tyre dhe duke i shantazhuar me ato dy fazat përjashtuese, pasi dihet që ishte një dështim i plotë fakti që në fazën e parë, pra me 10 preferenca u regjistruan 3%-5%, të cilët u detyruan pastaj nga frika, meqë ishin dy faza, duhej të kishte më shumë faza, të shkonin të regjistroheshin në universitete private që të mos mbeteshin pa shkollë në universitetet publike. Përmend këtu rastin e deputetes më të re që kemi pasur ne, Kejdi Mehmetaj, apo deputetja tjetër e re Silva Caka, që kanë bërë ligjin “Për vullnetarizmin” dhe këta të rinj unë mendoj se janë të rinj që nuk janë ashtu siç mund të mendoni ju apo mund t’i paragjykojë dikush, janë të rinj me shumë personalitet, janë të rinj të shkëlqyer në mësime, janë të rinj të ditur, të socializuar, që kemi nevojë, janë të rinj që e duan vendin, duan të kontribuojnë për të ardhmen e këtij vendi dhe ne nuk i duam të rinjtë thjesht për dekor apo animatorë, si aty, për flamuj. Po të shikoni listën e Tiranës, ajo është një listë vetëm me të rinj dhe të reja; që nga ministrja e Integrimit, që mendoj se ka bërë një figurë shumë të mirë dhe me shumë përgjegjshmëri; që nga Kejdi Mehmetaj; që nga kryetarja e LRI-së, që është një studente ekselence; deri tek të gjithë të tjerët.
Unë besoj se është më mirë të promovojmë të rinj në parlament, se sa njerëz me rekorde kriminale apo biznesmenë, të cilët kanë qenë dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë për interesin publik dhe nuk kanë sesi ta thonë.
Bushati- Në mitingun e Durrësit thatë: “Edhe 72 orë përfundon zhgënjimi i një prej qeverisjeve më të këqija të Shqipërisë”, e quajtët ju qeverisjen e Ramës. A ju duket normale apo morale që është hera e dytë që qeverisni për 4 vjet dhe dilni për 40 ditë në opozitë? Pra, këtu mua më duket tamam një forcë e paparë, që merr benefitet e qeverisë për 4 vjet dhe kur vjen fushata sillet si opozitë?
Meta- Së pari, LSI-ja ka marrë ato përgjegjësi që janë publike, nuk ka marrë dhe nuk ka kërkuar as koncesione,as tenderë dhe as pjesë pushteti.
Bushati – Jo, por nuk di të ekzistojë shembull si ky në asnjë vend.
Meta- Më fal, në qoftë se ne jemi në një situatë kur nën presionin e oligarkëve dhe të eksponentëve që organizuan dhe realizuan ndërmarrjen më të madhe të drogës në Europë, që është kanabisi, Kryeministri shkon deri aty, sa të rrezikojë zgjedhjet e lira dhe demokratike në Shqipëri, pa dyshim ato gjëra që janë thënë në një mënyrë më të përmbajtur dhe më politike, duhen thënë edhe më fort, edhe më hapur përpara se sa të jetë vonë. Kështu që nuk kam asnjë kompleks as unë dhe as LSI-ja.
Bushati-Por nuk i thatë as 4 vjet, as 4 vjet me Berishën dhe dilni në fund në opozitë. Kjo është e çuditshme.
Meta- Jo e keni shumë gabim. Më falni, për kanabisin ne e kemi bërë shumë të qartë këtë gjë, edhe ministrat tanë që kanë qenë në qeveri e kanë ngritur këtë çështje me forcë.
Bushati- Ju thatë që ka spërkatje kur u kap avioni i pare…
Meta –Po, dhe e mendova. Nuk e kam besuar këtë gjë, besova vërtetë se ishin avionët e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët spërkasnin…
Bushati- Sepse kjo duket: “Kur jemi ne mirë në qeverisje, Shqipëria nuk ka problem, pastaj sa prishen llogaritë tona politike, ne bëhemi kritikë dhe opozitarë”.
Meta-Unë e kam thënë: kam menduar vërtet se ishin mushkonja dhe kam menduar se ishte një shpikje e Berishës, që ishte kundër mushkonjave, për këto të shëndetësisë.
Kur ka rënë avioni i parë jam tronditur se si mund të ndodhte kjo gjë, më pas kur ka rënë në Ishëm avioni i dytë, ne e kemi ngritur zërin me forcë, ashtu sikurse e kemi ngritur zërin me forcë kur është bërë vjedhja në Rinas dhe policia nuk mbante përgjegjësi brenda aeroportit, ashtu sikurse e kemi ngritur kur janë bërë vjedhje të bankave në mes të akseve kryesorë të e vendit e kështu me radhë. Po ashtu ne për çështjet e koncesioneve kemi mbajtur qëndrimin tonë dhe për shumë çështje të tjera në lidhje me transparencën.
Bushati- Por përsëri thelbi i pyetjes sime është: ishte e çuditshme, sepse u përsërit dy herë, qeverisni 4 vjet dhe dilni po përsëri në opozitë kur vjen fushata.
Meta-Ne kemi qenë me Partinë Demokratike dhe me Partinë Socialiste si garanci për maxhorancën, për stabilitetin, funksionimin e institucioneve dhe integrimin europian, dhe jemi forca që kemi garantuar mosbllokimin e proceseve integruese në Shqipëri. Mund t’ju them një rast: po të mos ishte bërë me konsensus reforma në drejtësi, nuk do të ishte marrë rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, sepse kriter kyç është dialogu politik në vend. Po ju marr një rast: me Berishën ne kemi bërë të qartë se në rast se Berisha do të miratonte në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me NATO-n ligjin “Për shërbimin informativ”, ne do të prishnim koalicionin me Berishën, dhe ai u tërhoq nga kjo gjë. Pra, për çështje kyçe, për çështje madhore ne kemi mbajtur qëndrimin tonë.
Lubonja- Zoti Meta, nuk mjaftojnë këto, sepse kur ka ardhur puna për ndarjen e pasurisë publike, e të mirave publike…
Meta-Për shembull?
Lubonja- Ju thoni koncesionet, por për gjithçka që është marrë vendim perceptimi është, dhe unë kështu mendoj se është e vërteta, që ju keni ndarë tepsinë që thotë Rama…
Meta-Nuk kemi ndarë asnjë lloj tepsie.
Lubonja- Nuk i jeni kundërvënë asnjëherë, përveç dy-tre rasteve, por kur vjen puna te bregdeti i masakruar lart e poshtë, për ndërtime pa fund të kullave që nuk kanë asnjë lidhje, për hidrocentrale dhe koncesione, që kanë qenë edhe nga koha e Berishës dhe që i ka vazhduar Edi Rama, nuk keni ndaluar.
Meta– Për koncesionet ne kemi një qëndrim të qartë. Kemi një ligj në parlament. Kemi kërkuar, por nuk na ka mbështetur as opozita e Bashës, për fat të keq, për këtë gjë.
Lubonja- Problem është edhe ky. Ndonjëherë mbahen edhe qëndrime për një çështje të caktuar: “Ne dalim nga qeveria”.
Meta– Kjo është gjëja më e thjeshtë.
Lubonja- I vetmi kërcënim që bëtë për të dalë nga qeveria ishte reforma në drejtësi.
Meta- Sepse ishte çështje tepër madhore, siç ishte prishja e marrëdhënieve me NATO-n në kohën e Berishës.
Rakipi- Nëse ju merrni vota, sepse Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk pranojnë më të bëjë një koalicion me ju…
Meta- Na e ka lehtësuar punën.
Rakipi- Pra, nëse ju merrni mjaftueshëm vota për t’u bashkuar me Partinë Demokratike, do ta bëni një gjë të tillë?
Meta– Së pari, LSI-ja do të dalë forcë e parë dhe nuk bëhet më fjalë që ajo të jetë një forcë plotësuese.
Së dyti, ne e kemi bërë të qartë, ose më saktë Edi Rama na e ka lehtësuar çështjen e ditës së hënë, duke përjashtuar çdo lloj koalicioni me LSI-në. Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e bashkëpunimit me PS-në, por pa Edi Ramën si përfaqësues të Rilindjes, oligarkisë dhe të gjitha këtyre problemeve.
Rakipi – Po për PD-në, me Lulzim Bashën, pa Lulzim Bashën, keni ndonjë porosi…? Supozojmë që ju duhet bashkëpunimi me PD-në, sepse ajo merr…
Meta- Për Lulzim Bashën kam këtë mesazh: tradhtinë mund ta duan të gjithë, por tradhtarin nuk e do asnjë.
Kështu që, Lulzim Basha, në këto 72 orë, duhet t’u afrohet kauzave të çadrës; për zgjedhjet e lira, për luftën kundër krimit të organizuar dhe këputjeve të lidhjes së krimit me politikën, kundër oligarkisë dhe oligarkëve barkderra, siç thoshte te çadra dhe njëkohësisht…
Rakipi-Po në qoftë se do të vazhdojë “Big Mac”-un pas zgjedhjeve?
Meta-Nuk ka asnjë shans që Rama-Basha të bëjnë 71 mandate. Ka plot socialistë, demokratë të përgjegjshëm dhe forca të tjera politike, sepse nuk duhet të krijojmë idenë sikur aty do të jenë vetëm tri forca.
Unë jam i bindur që edhe LIBRA, PDIU-ja, Paskal Milo, si dhe shumë forca të tjera politike do të votohen. Bashkimi i këtyre forcave është frika e tretjes elektorale të dy Rilindjeve, në PS dhe PD, për fat të keq, nga vetë fakti që njerëzit kanë qenë në kërkim të alternativave të reja. Jo vetëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe të alternativave të tjera demokratike.
Unë i ftoj të gjithë ata qytetarë shqiptarë që janë të lodhur dhe mërzitur nga politika që, sado të pakënaqur të jenë me politikën, përsëri katër vjetët që vijnë politika do të merret me ta.
Kështu që, është e domosdoshme që ata të shprehin vullnetin e tyre, sepse vota e tyre do të numërohet drejt. Ata që nuk duan të votojnë për LSI-në, për arsyet se mund të jenë të zhgënjyer apo janë mosbesues, duhet të votojnë për një alternativë tjetër demokratike.
Rakipi- Ju keni thënë që nuk do të mandatoni një Kryeministër që cenon mandatin e zgjedhjeve. Si do ta bëni ju këtë, sepse është OSBE-ODHIR-i ai që… Në përgjithësi ODIHR-i thotë që zgjedhjet në Shqipëri ishin më të mira se ato të kaluarat.
Meta- Unë besoj që fjalën kryesore do ta thotë vetë populli shqiptar pas 72 orësh.
Rakipi- Keni biseduar me z. Edi Rama që nga koha që jeni zgjedhur President dhe deri sot? Asnjë bisedë me të… Ndahen dy njerëz që kanë qenë 4 vjet bashkë.
Meta– Unë i kam çuar dy mesazhe lidhur me zgjedhjet, përdorimin politik të policisë dhe këtë lojë për të dhunuar zgjedhjet. Mesazhet e mia janë bërë publike. Unë i kam dalë borxhit Edi Ramës.
Rakipi -Ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje?
Meta– Nuk ka nevojë të kthejë përgjigje, sepse përgjigjen do ta japin shqiptarët, socialistë dhe demokratët, në datën 25 qershor.