Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj ka folur në Kuvend për situatën aktuale në vend ku shumë të rinj largohen jashtë shtetit, kryesisht drejt Britanisë së Madhe apo Gjermanisë.
“Shqiptarёt gjithmonë kanë qenë të shtrёnguar të bëjnë një zgjedhje mes malit dhe detit ! Mali është gjykuar si mundёsi konservimi e izolimi ndёrsa deti rruga e bajlozit apo porta e hapur e rreziqeve. Gjithsesi i kanë respektuar të dyja kёto realitete si kanë ditur e mundur pa e futur në hasmёri atë çka natyra vetë pёrpoq. Politika e pushtimit dhe pushtuesit e politikёs e kanë armiqësuar banorin e kёtyre anёve me ujin e kripur, me peshkun, me turizmin, me ndihmat që mund tё vinin e shkonin, nёpёrmjet e prej tij, si liri, si ekonomi, si kulturë, si komunikim. Botёn ata e masin me lartësinë e kёrthizёs dhe kёrthizёn e pёrdorin si qendёr graviteti për Botën. Pushteti lokal në ballë – ai qendror nga pas, duke kёrkuar me ngulm vetёm një perspektivë atë individualen filluan ta rrahin detin me zinxhirë si Kserksi perandori i lashtë persian. Vargonjtë e kёtij zinxhiri të pakёputur janë oligarkёt rrethuar me hallexhinj por të vetmuar kur numёrojnë para dhe të shoqёruar me një apo dy dinjitarë zyrash kur ndajnë hiset. E pat thënë Hasan Zykua i gjorë “ç’e vёrtit kadiu sherianë kur ai sheh paranë!” Fjalëpakë , autoritarë, namuzqarë e të menduar portrete balzakiane të babëzisё me kacidhet e Shqipёrisë në xhepat e tyre ata po shndёrrohen në mitet e bashkohёsisё sonë. Ne po i harrojmë shkrimtarёt dhe artistёt tanë, tek kёta të fundit bёjmё diferencime, atyre të teatrit kombёtar që protestuan pёr shembjen fashistoide të tij nuk ua ngremё rrogёn por i rrasim në turbinёn socrealiste, ndonjë grupimi tjetёr po Natyrisht emrat e Palok Kurtit, Prenkë Jakovёs, Çesk Zadesё, Naim Frashёrit, Kadri Roshit, Bujar Lakos, Ndrek Lucёs , Agollit, Camajt, Arapit e të tjerёve edhe në këtë sallë do shkaktojnë hutim, një ditë jo të largёt, ndonjë do pyesë, ku kanë ndёrtuar kёta? Cili është fshati i tyre turistik? Ç’ hotel a markё sallami mban emrin e tyre? Nga ana tjetёr do të dimё sa mace e pishina kanё manjatёt e naftёs, sa qen dhe apartamente kanë ata të kullave, sa lepuj e jahte kanë ata të bankave dhe sa ministra lepuj shёtisnin hanin e lёpinin buzёt teksa hyzmet bënin në të tilla akçihana. Lajkatarë e joshёs kur nevoja i thёrret si dёshmorë të interesit, me mure llastiku në vend të lёkurёs sё barkut e cila zgjerohet befasisht pa cak e kufi ata e piskasin shtetin si kone ndaj plakёs që shet domate, ndaj plakut 82 vjeçar, ndaj atij që proteston kur nga deti me motor i hynë në çadёr dhe i thyejnё brinjёt apo edhe mё keq i mbysin fёmijёn. Ata po e pinë detin me grykёn si gjyryk nga Saranda në Velipojë, nga Shёngjini më Vlorë, nga Dhёrmiu e Palasa në Orikum. Në këtë turravrap babëzie ata nuk janë vetёm”,shprehet demokrati.
Ai u shpreh se shqiptarët sot po ikin nga deti duke mbushur tragetet ndërsa shtoi se në lagje sot nuk e e gjen më berberin, shitësin e një jave më parë ndërsa në lokale shpesh të kap syri njoftimet ku kërkohet kamerier dhe banakier.
“Po Shqiptarёt po ikin edhe nga Deti, po i mbushin tragetet. Në lagje s’e gjen me Berberin, as shitёsin e një jave më parë, te bari ku pi kafenë rutinë shkruhet kёrkojmё banakier dhe kamarier ! Kapitalizmi pa fytyrё njerёzore po e boshatis Shqipёrinë . Qeveria me një fytyrë sot sjell një ligj për të rregulluar punёt në det, pasi në tokë i kreu të gjitha. Dallgёt fshijnё shkrimet në rërë po jo firmat në letёr.
Rritja e ҫmimit tё energjisё barrё e rёndё për familjet, do zgjidhej pjesёrisht sikur t’i vendosej vetёm pak kufizim luksit tё oligarkёve me paratё publike dhe jo lakun nё fyt shtreses sё mesme. Qeverinë s’e tremb bajlozi se ai e ka xhan, i ndan gjёrat me tё ndёrsa Gjergji me të motrёn kёrkojnё azil në Londёr.
Dhe sё fundi shteti ynë mbeti pa ushkur, gati pёr t’u larë në det ҫullak, pasi hakerat i rrёmbyen ҫdo informacion, çdo shkresё e sekret e bashkё me të edhe dinjitetin rojtarёve të tij, qё s’ka dallgë që ua kthen mbrapsht si traqet nga anijet e mbytura plazheve dikur motit. Atë që e ka marrë lumi mos e kerkoni në det se deti u bë kos nga keta pas shpines time!!”, shprehet Gjekmarkaj.