Dikur dëshmia e penalitetit, që është një vërtetim i gjendjes gjyqësore, tërhiqej pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sot merret në portalin e-Albania. Por një qytetar e kërkonte shpejt këtë dokument dhe drejtohet në Drejtorinë e Burgjeve. Në këtë institucion e pyesin se për ku i duhet dokumenti. Kur i tha për në Shqipëri e drejtuan te e-Albania.
Një tjetër qytetar ka treguar për emisionin Stop në Tv Klan se në vitin 2012 është dënuar me 8 vite burgim. Duke përfituar nga amnistia, ai ka dalë i lirë pas 5 viteve vuajtje dënimi. Në vitin 2022 ka kërkuar një dëshmi penaliteti, por i thonë, se ka 3 vjet dënim të pakryer. Qytetari dëshmon se i kanë kërkuar një shumë prej 600 Eurosh për ta pastruar dëshminë e penalitetit që i duhet për punë jashtë Shqipërisë.
“Unë jam një qytetar nga rrethi i Lezhës. Jam dënuar për veprën penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Në vitin 2012 kam marrë vendimin e Shkallës së Parë me 8 vite burgim nga Gjykata e Lezhës. I kam vuajtur të gjitha. Kam fituar 1 vit amnisti. Kam fituar edhe 3-mujorshat në bazë të ligjit për sjellje të mira në burg, kam bërë gjithsej 5 vjet e 3 muaj burg. Mua më kërkojnë për dokumentacion dëshmia e penalitetit për t’u larguar nga Shqipëria për të punuar në Europë, Ballkan, kudo. Dëshmia e penalitetit është që unë kam edhe 3 vjet e 6 muaj burgim të pashlyer. Unë kam një urdhër lirimi nga burgu i Fierit dhe jam liruar në bazë të ligjeve dhe rregullave. Kam bërë kërkesë dhe më ka dhënë letrën drejtori i burgut që nuk mund t’i shlyejmë këto se kanë hyrë në sistem. Mua më kanë thënë që për të pastruar dosjen duhen 600 Euro. Më ka thënë drejtori i burgut. 600 Euro duhen për të pastruar këto gabime që kanë bërë se unë burgun e kam kryer, dokumentin që kam vuajtur burgun e kam. Unë s’kam dhënë se nuk kam pasur mundësi. Vetëm me 50 mijë Lekë ndihmë ekonomike trajtohet familje ime prej 13 vitesh”, thotë qytetari.
Gazetarja e Stop ka ndjekur zotërinë përmes kamerës së fshehtë për të provuar nëse është i vërtetë versioni i tij. Në Drejtorinë e Burgjeve, qytetarin e drejtojnë në sektorin juridik, ku i kërkojnë 600 Euro për t’i dhënë dëshminë e kërkuar, me kusht që të mos flasë me njeri për këtë çështje. Pas disa sorollatjeve dhe shtyrjes së afateve, qytetarit i premtojnë t’ia japin dëshminë e pastër të penalitetit pas pak ditësh.
(Komunikon me dikë në telefon)
Qytetari: Radhën e parë më patën thënë, se rregullohet ndryshe, më thanë. Rregullohet me 600 euro, po pagujte…
Drejtoria e burgjeve: Tani, cfarë vërtetimi do ti?
Qytetari: Po tashi, vërtetimin, që e kam përfundu burgun deri në këtë pjesë!
Drejtoria e burgjeve: Tek sektori juridik!
Qytetari: Tek sektori juridik ëë…?
Polici: Me të thonë ai, se e boj për këtë lloj tarife, se tani po bëjmë llafe…
Qytetari: Duhet me hy borxh!
(Pasi bisedoi me Drejtorinë e Burgjeve)
Polici: Do ta ndihmojmë tha, meqë është…se nuk duhet, e para me fol, se ik për lesh! E dyta, po i vijmë në ndihmë zotërisë. Do ta ndihmoj tha,- por jo sot. Nuk e di, si e ke terezinë ti. O të enjten, o të premten! Mos të vijë më përpara, s’bëhet fjalë!
Qytetari: Dakord! Në rregull!
Polici: Duhet të jesh i kujdesshëm për ato dhe pastaj për garancinë, mos të bësh llaf sa këtej –andej, se kush të ka thënë!
Qyetari: Po jo, mor burrë..!
Polici: Se kush drejtor ka thënë…
Polici tjetër: Duhet t’i kesh me vete, i ka thënë.
Qytetari: Po normal, s’bëhet fjalë!
Polici: 99.9% do t’ia mbaroj, se duhet për jashtë! Për brenda nuk ta jep.
Qytetari: Në rregull! Të rujt Zoti!
Qytetari: Si ia kalove? Mirë je?
Punonjësi i Gjendjes Gjyqësore: Ca bone?
Qytetari: Kurrgja! Ca me ba?!
Punonjësi i Gjendjes Gjyqësore: Me kë ke fol ti?
Qytetari: Me atë shefin. Për të premten, më ka thënë. Të enjten, ose të premten! Tash bona 6 muaj, që ngela pas saj.
Punonjësi i Gjendjes Gjyqësore: Edhe ca do ti?
Qytetari: Bisedum me atë, që bisedova, që më tha,- hajde takomë. Mos bëjmë ndonjë gjë me të.
Punonjësi i Gjendjes Gjyqësore: Për cfarë të duhet?
Qytetari: Kjo më duhet me ik në Mal të Zi, me punu! Unë e kam kry burgun. Ja, ku e kam fletën e lirimit!
Punonjësi i Gjendjes Gjyqësore: Mirë, do m’i lësh mua këto letrat?
Qytetari: Po!
Punonjësi i Gjendjes Gjyqësore: Do m’i lësh letrat dhe do vish…! Ca jemi sot? E premte?
Qytetari: Po, sot është e premte.
Punonjësi i Gjendjes Gjyqësore: Do vish të hënën, ose të martën!
Qytetari: Tashi kur të vij…,të vij me një fjalë me…(lekët)
Punonjësi: Po, po!
Qytetari: Po të jem i sigurtë? Ndonjë numër telefoni, a ndonjë gjë?
Punonjësi: Hajde kërko Benin këtu!
Por sigurisht atij i kujtojnë, se duhet të ketë shumën prej 600 eurosh me vete. Ditën e caktuar “nevojtari” u paraqit pranë institucionit dhe në pak minuta merr dëshminë në dorë, që nuk ka qenë i dënuar. Më pas, në një qoshe, që të mos kishte lëvizje, bëhet edhe dorëzimi i 600 mijë Lekëve për shërbimin.
Punonjësi: Tashi, si e keni lënë ju?
Qytetari: Ne e kena lënë me një fjalë, me ardhë me kry punën për atë dokumentacionin. Dëshmia me u pastru.
Punonjësi: Po! Mesa e keni lënë?
Qytetari: Me 600!
Punonjësi: Po mirë! I ke?
Qytetari: Po, I kam!
Punonjësi: Më prit aty tek dera, më prit jashtë, sa ta bëj unë!
Punonjësi: I ke?
Qytetari: Po, po! Me vete i kam!
Punonjësi: Më prit, sa ta bëj unë atë! Më prit këtu, sa të mbaroj!
Qytetari: Në rregull!
Punonjësi: Paska ik sistemi! Do presësh 10 minuta!
Qytetari: Po, mo!
Punonjësi: Në rregull e ke! (I jep dëshminë e penalitetit)
Qytetari: Në rregull! Tani, ku të t’i jap ato, se mos na shohin?
Punonjësi: Hajde këtu!
Qytetari: Në rregull! 600 mijë lekë janë!
Punonjësi: Mos i nxirr ashtu! 600 mijë lekë?
Qytetari: Po, 600 mijë lekë! Tashi kam ndonjë detyrim tjetër, a ndonjë gjë? Kjo është…?
Punonjësi: E pastër!
Qytetari: Në rregull!
Punonjësi: Vetëm të lutem, tha dhe ai mos…!
Qytetari: Jo, mo, se s’është problem. Nuk i them kujt. A më pi ujë për ato letra?
Punonjësi: Ja ku e ke!
Qytetari: Dakord! Në rregull! Faleminderit shumë!
Punonjësi: Po pate problem, hajde!
Qytetari e mori të pastër dëshminë e penalitetit, edhe pse jo me 600 Euro sa i ishte kërkuar por me 600 mijë Lekë të vjetra.
/tv klan/