Goditja keqdashëse nga jashtë, që shembi infrastrukturën dixhitale ku ofroheshin shërbimet shtetërore, aty ku zhvilloheshin komunikimet sekrete të policisë dhe ku ruheshin informacionet sensitive, duhej të shkaktonte jo vetëm irritim, por edhe një ndjenjë solidariteti mes qytetarëve.
Sulmi thuhet se vjen nga Irani. Për aq sa dihet, shkak u bë strehimi i muxhahedinëve të MEK, një vendim i marrë nën ndikimin e marrëdhënies me SHBA, të cilin askush nuk e kundërshton në Shqipëri.
E megjithatë bllokimi i e-Albania dhe dalja e informacioneve sekrete u shoqërua me cinizëm, shpoti, akuza, madje dyshime për lojë të brendshme politike. Nuk pati një qëndrim të unifikuar në opinion siç do të ishte normale për një vend, që gjendet papritur nën agresionin e huaj.
Këtë e dalloi edhe kryeministri Rama, që në 12 shtator, në një mesazh në Tiwtter përmendi “kënaqësinë” e disave në lidhje me atë që po ndodhte.
Përveç “padijes” dhe “përtacisë” së komentatorëve për t’u informuar, Rama vuri në dukje edhe atë që e quajti “një ligësi të neveritshme në raport me vendin e me njerëzit e këtij vendi”.
E vërteta është se memet nuk kanë munguar. Nuk ka munguar as cinizmi dhe as shpotia për kontrollin e iranianëve ndaj shtetit dixhital të Shqipërisë. Dhe kjo e ka një shpjegim.
Arsyeja e parë është propaganda e dalë boje që ka shoqëruar nga fillimi e deri më sot këtë çështje. Mungesa e reflektimit për të çarat e sistemit, përsëritja e frazave triumfaliste dhe shpallja para kohe e fitoreve që shoqëroheshin me turpërime tregoi mungesë serioziteti dhe la shijen e hidhur se qytetarët dhe gazetarët po trajtoheshin si budallenj, duke tentuar që e vërteta të mbahej e fshehtë.
Që në ditën e dytë, kur e-Albania ishte ende e paralizuar, qeveria doli me deklaratën se “të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura”. Sigurisht që kjo më vonë rezultoi një gënjeshtër. Nuk ishte vetëm AKSHI. Deklaratat e Ramës ishin njësoj të rreme. Lapsi.al i ka vëzhguar ato ditë pas dite këto muajt e fundit.
Për shembull, në 18 korrik pa kuptuar ende çfarë kishte ndodhur, Rama shpërndau mesazhin ku thoshte mes të tjerave se “agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje”.
Siç u pa më vonë, agresori jo vetëm nuk po tërhiqej, por sapo ia kishte nisur të shijonte informacionet e para të grabitura nga sistemi. Ndërsa e-Albania rikuperohej ngadalë, u kuptua se sulmi kishte qenë serioz dhe jo aq i lehtë për t’u zmbrapsur.
Tjetër rast ishte goditja në sistemin TIMS. Policët në pikat kufitare shkruanin me stilolapsa në fletët e regjistrave hyrjet dhe daljet, kur Rama shkruante mes të tjerash se “agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit,asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”.
Më vonë rezultoi se hakerat kishin hyrë në TIMS, madje nxorën edhe lëvizjet e kryepolicit Gledis Nano. Gënjshtrat ende vazhdojnë. Reflektim nuk ka. Ku ka terren më të mirë për meme, batuta dhe cinizëm.
Arsyeja e dytë është komunikimi i qeverisë me publikun. Pas sulmit kibernetik, është nxitur vazhdimisht konflikti dhe përçarja. Deklaratat flakë për flakë ndaj kujtdo që kërkonte llogari për miliona euro të shpenzuara me e-Albania, kujtdo që kërkoi përgjegjësi apo raportoi për versionet e ndryshme të sulmit.
Kështu pas bllokimit të sistemit nga e e-Albania, kryeministri Rama kërcënoi me procese gjyqësore gazetarët që raportuan se pas sulmit kibernetik mund të mos ishin shtetet armike, por grupe piratësh kibernetikë.
Njësoj nervoz me mediat ishte komunikimi pas bllokimit të sistemit TIMS, ose pasi prokuroria nxori urdhër se nuk duhej të publikohej në media asnjë informacion që është publikuar nga hakerat iranianë.
Kërcënimet me urdhra prokurorie, akuzat për “destruktivitet”, etiketimet për “festë tallavaje për ekrane e portale” kanë krijuar një terren armiqësor. Gjuha e urrejtjes që buron gjithnjë e më shumë nga qeveria shmangu më pas bashkëpunimin me mediat, ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe solidaritetin mes palëve.
Arsyeja e tretë dhe po kaq e rëndësishme është se para se sistemi dixhital të sulmohej nga hakera rusë apo iranianë, është sulmuar nga vetë partia në pushtet. Një vit më parë, Lapsi.al publikoi databazën me të dhënat personale të më shumë se 900 mijë shqiptarëve.
Në kujtesën e shumëkujt është e qartë se “armiqtë” e djeshëm të shtetit dixhital nuk mund të jenë sot mbrojtësit e të njëjtës ngrehinë, për të cilën ideuan dhe organizuan grabitjen dhe keqpërdorimin e materialeve sensitive të qytetarëve për patronazhistët e partisë. Ku ka situatë me cinike se të shohësh ata që vodhën dje të dhënat tona konfidenciale, teksa ankohen sot se është vënë në lojë “dinjiteti i shtetit”, që vetë ia ulën një herë brekët?
/Lapsi.al/