Përpos prurjeve të reja që hyjnë për herë të parë në auditorë, universitetet presin edhe të rinj e të reja nga degë të njëjta a të ngjashme nga institucionet e tjera të arsimit të lartë.
Kështu, shtatori nuk përkon vetëm me garën e maturantëve që duan të zënë një vend në auditor, por edhe me hapjen e konkurrimit për plotësimin e vendeve në dispozicion për transferimet, programet e dyta, kuota të veçanta apo shtetas të huaj.
Universiteti i Mjekësisë është i pari që çel dyert dhe sinjalizon të interesuarit të bëjnë gati paketën e dokumenteve, pasi në dy javët e para të shtatorit, 2-13 shtator, do të presë aplikimet.
Një komision ad hoc i ngritur posaçërisht për këtë do të marrë dhjetë ditë kohë për të shqyrtuar dosjet për të shpallur në 24 shtator fituesit. Regjistrimi i tyre do të kryhet përgjatë javës së fundit përpara se të nisë viti akademik, ndërsa në 12 deri 18 tetor do të kryhet plotësimi i kuotave të mbetura bosh. Një mekanizëm i ngjashëm si me regjistrimet e atyre që futen rishtazi në fakultete. Nisur nga përvoja e viteve të kaluara, kështu do të veprojnë edhe IAL-të e tjera publike e private.
PROCEDURA
Nuk janë pak ata që, për hir të degës, pranojnë të regjistrohen dhe ndjekin vitin e parë të studimeve pranë një universiteti që nuk e kanë lakmuar më parë, me shpresën se vitin e ardhshëm të mund të transferojnë studimet tek i dëshiruari.
Ky kontingjent pret gjithnjë shtatorin. Tanimë, thuajse ka ardhur koha për të bërë gati listën e dokumenteve që kërkohen (sipas tabelës përbri shkrimit), të cilat gjenden në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit nr.10, datë 15.9.2019, të ndryshuar dhe që është i njëjtë për të gjitha IAL-të, pa përjashtim. Por, nuk është aq e thjeshtë si procedurë.
Ata sërish duhet të garojnë midis atyre që kërkojnë të njëjtën ulëse në fakultet. Kështu, çdokush mund të aplikojë deri në pesë programe të dyta apo transferime studimesh brenda afateve të parashtruara më sipër.
Paraprakisht, duhet të dinë që, si në rastin e transferimeve ashtu edhe kur kërkojnë të studiojnë një degë të dytë, duhet të përmbushin kriterin e notës mesatare që është nota 6.5. Kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve, duhet të paraqesin: Kërkesën drejtuar universitetit për programin e studimit në të cilën do të transferojnë studimet (si dhe formularin e aplikimit të plotësuar); planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse; vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur.
Studentët që transferojnë studimet nga një institucion i huaj drejt vendit tonë, duhet të dorëzojnë edhe planin e plotë të programit të studimit të përfshirë dhe syllabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, të cilat duhet t’i dorëzojnë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njehsuara me origjinalin; kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011, duhet të dorëzojnë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme.
Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore ose dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/ zyra arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë); dy fotografi personale si dhe kopje të mandatit të pagesës për faturën e aplikimit, shuma e së cilës përcaktohet nga universitetet.
DOKUMENTET PER APLIKIM
Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë për transferim të studimeve, paraqesin, pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimeve, dokumentet si më poshtë:
a) kërkesën drejtuar IAL–së për programin e studimit, në të cilin do të transferojë studimet;
b) planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse;
c) vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur;
d) studentët që transferojnë studimet e tyre nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, duhet t’i dorëzojnë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin;
e) fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme (kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë përpara vitit 2011).
Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës se mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë rajonale të arsimit parauniversitar/ zyrën vendore të arsimit parauniversitar (DRAP/ZVAP) përkatëse, ose listën e notave të shkollës se mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; e) fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë);
f) dy fotografi personale;
g) kopje të mandatpagesës
/Panorama/