Të gjithë shoqëritë e karburanteve njoftuan Drejtorin e Përgjithshëm të sektorit .z . Dritan Spahia se në rast të rivënies përsëri të kësaj takse do të bllokojnë punën në gjithë stacionet e shpërndarjes së karburantit, pasi propozimi nuk merr në konsideratë as propozimet e argumentat e Shoqatës së Hidrokarbureve dhe as parimet kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu iu kërkua të njoftohet me urgjencë Ministri Gjiknuri dhe përmes tij edhe kryeministri per konkluzionet e takimit…
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, ku është diskutuar lidhur me idenë e ministrisë për rivendosjen e taksës së rilicencimit të pikave të shitjes së karburanteve e gazit, pas shfuqizimit të tyre nga Gjykata Kushtetuese në nëntor të vitit të kaluar. http://www.monitor.al/ministria-e-industrise-kerkon-te-vendose-serish-taksen-e-larte-te-rilicencimit-per-karburantet/
Nga 5 milionë lekë që ishte tarifa për Tiranën, para se të hidhej poshtë nga Gjykata, Ministria propozon që ajo të bëhet tashmë 3 milionë lekë, ndërsa për rrethet nga 2 milionë lekë, të ulet në 1 milion lekë.
Përfaqësuesit e hidrokarbureve e kanë kundërshtuar kategorikisht këtë propozim të ri. Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese, me vendimin 86 30/12/2016 e ka quajtur antikushtetues vkm .970 2/12/2015, me anë të të cilit u shumëfishua tarifa e rimarrjes se lejes së tregtimit. Kjo VKM e dhjetorit 2015 rriti tarifën me me 50 fish për bashkinë Tiranë dhe 20 fish për bashkitë e tjera. Gjykata argumentoi se ky veprim është abuziv, tejkalon të drejtën që ligjvënësi i ka dhënë qeverisë dhe kjo është jo propocionale, pasi kjo tarifë paguhet karshi shërbimit që merr.
Burime nga Shoqata thanë se kjo nuk është një taksë, por është tarifë shërbimi dhe qeveria nuk ka argumentuar dot në mënyrë propocionale se çfarë shpenzon më tepër, që në mënyrë propocionale të arsyetojë rritjen. Gjithashtu Gjykata ka cilësuar shkeljen e sigurisë juridike pasi pronarët e pikave e kanë fituar të drejtën e tregtimit, sipas tarifave të 170 25/4/ 2002, që janë vetëm 100 mijë lekë.
Kjo taksë përcaktohet me vendim nga Këshilli i Ministrave, por të ardhurat që vijnë prej saj përdoren nga bashkitë, ku ajo e Tiranës është përfituesja më e madhe, për shkak të nivelit të lartë, por edhe përqendrimit të pikave në zonën rreth kryeqytetit.
Nga operatorët e fushës ishte kërkuar që përfaqësuesit e bashkive sidomos asaj të Tiranës të ishin në takim që të argumentonin arsyen se pse propozohet, rritja që tashmë arrin në 30 dhe 10 herë. Edhe pse ishte njoftuar ardhja e tyre, në takim ishte i pranishëm vetëm një përfaqësues i Bashkisë Fier, i cili e pranoi që bashkia nuk ka pasur rritje të kostove për pajisjen e pikave të karburanteve me leje Tregtare.
Në përfundim unanim gjithë shoqëritë që ushtrojnë veprimtarinë në këtë fushë njoftuan Drejtorin e Përgjithshëm të sektorit .z . Dritan Spahia se në rast të rivënies përsëri të kësaj takse do të bllokojnë punën në gjithë stacionet e shpërndarjes së karburantit, pasi propozimi nuk merr në konsideratë as propozimet e argumentat e Shoqatës së Hidrokarbureve dhe as parimet kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu iu kërkua të njoftohet me urgjencë Ministri Gjiknuri dhe përmes tij edhe kryeministri per konkluzionet e takimit.
E kontaktuar nga Monitor, Ministria e Industrisë dhe Energjisë, nuk dha koment.
Tarifat
Në dhjetor të vitit 2015, Këshilli i Ministrave vendosi në mënyrë të papritur dhe pa u diskutuar me grupet e interesit, të shumëfishojë pagesën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë.
Vendimi u kundërshtua menjëherë nga Shoqatat e Hidrokarbureve, që pohuan se ajo do të transferohej direkt në çmimin final, me rreth 5-10 lekë për litër dhe realisht u reflektua në mesin e vitit të kaluar. Tarifa e rilicencimit paguhet një herë në 5 vjet, por në momentin që ajo u miratua pothuajse të gjitha pikave të karburantit u kishte mbaruar afati dhe iu desh të paguanin tarifat e reja në 2016-n.
Pasi vendimi u çua në Kushtetuese, më 2 nëntor 2016, Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi vendosur të pranoi pjesërisht kërkesën e grupeve të interesit, duke vendosur shfuqizimin e pikës 9 të kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.
Heqja e kësaj takse amortizoi disi rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare në dhjetor të vitit të kaluar, ku nafta kaloi mbi 50 USD për fuçi, por operatorët e mëdhenj në vend nuk e reflektuan në tregun e pakicës.
Marrë nga Monitor.al. Titulli i redaksisë