Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi këtë të Premte shkarkimin nga detyra të prokurorit të Vlorës Alfred Sali.
Alfred Sali përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2011, ai ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Alfred Sali doli para trupës gjykuese më 20 korrik, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime mbi ekzistencën dhe destinacionin e një shumë prej 75 mijë eurosh, që prokurori i Vlorës, Alfred Sali kishte tërhequr nga banka pas një “jackpot”-i në një faqe bastesh online në vitin 2014.
Trupa e KPK që hetoi Salin e përbërë nga Xhensila Pine, kryesues, Olsi Komici relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, vuri në dukje se pas hetimeve rezultonte se Sali nuk e kishte deklaruar shumën e fituar si gjendje cash në vitet pasuese. Siç u relatua, Komisioni i kishte kaluar prokurorit barrë prove mbi dyshimet për “deklarim të rremë”, ndërsa përfshirja e tij në baste u cilësua si cënim i integritetit.
Prokurori Alfred Sali e kundërshtoi barrën e provës. Ai i tha KPK-së se kishte sjellë prova të mjaftueshme që tregonin fitimin e shumës dhe pagesën e detyrimeve për të. Sali tha në Komision se mosdeklarimi si gjendje cash ishte një keqkuptim i tij për formën e deklarimit. Ai pretendoi se ky aktivitet nuk ishte në kundërshtim me ligjin dhe as me kodin e etikës, por shtoi në një shkëmbim pyetje-përgjigje me Komicin se nëse kthehej pas në kohë nuk do ta përsëriste.
Në fund të seancës, Sali tha se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret dhe kërkoi konfirmim në detyrë. Megjithatë, shpjegimet duket se nuk kanë bindur trupën gjykuese, që vendosi shkarkimin e tij nga detyra.