Bashkia e Tiranës ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PD Gert Bogdani që dënoi dhunën e policisë bashkiake ndaj protestuesve dhe për protestën që do të zhvillohet.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, Bashkia e Tiranës flet për Partinë Demokratike, sipas të cilës është kjo forcë politike që po organizon protestat dhe pengon punën për ndërtimin e ndërtimin e këndit të lojrave brenda parkut të liqenit.
Por, harron se në protestë kanë qenë edhe aktivistë të shoqërisë civile, mes të cilëve studentë dhe pedagogoë. Megjithatë, Bashkia e Tiranës “i fut të gjithë në një thes” dhe i quan tufë vandalësh, por pavarësisht protestave të tyre, thotë se puna do të vazhdojë dhe asgjë nuk do t’i ndalë.
Reagimi i Bashkisë së Tiranës
Partia Demokratike qëndron e vendosur të hyjë në histori si monument politik për vandalizmin dhe shkatërrimin e pronës publike. Pasi lejoi 100 ndërtime pa leje brenda në Park – lavazhe, parkingje, motele, hotele, bujtina, hane, kafe, bare, restorante, bingo, baste e kazino, pasi lejoi qindra banesa në bregun jugor të Farkës, duke shkaktuar disa herë rrëshqitje të kodrave përreth, pasi dha lejen nga Lulzim Basha për 220 mijë m2 ndërtim 17 katësh në digën e Liqenit, sot kinse përdëllehet për Parkun. Çfarë hipokrizie patetike!
Tirana e mban mend mirë barbarinë te mbikalimi i Zogut të Zi, ku vandalizimi politik i PD-së shkatërroi një projekt publik që do të lehtësonte trafikun në Tiranë. PD e rrënoi me zell duke bërë pluhur pasurinë publike. E njëjta parti e kthen çdo manifestim në Tiranë në një teatër absurdi, ku çdo aktor i ardhur me autobus kthehet pas me trofe lufte, qofshin këto kapakë pusetash, tabela sinjalistike apo pllaka bulevardi.
Tirana është lodhur me këtë tufë vulgare. E kishin mundësinë të qeverisnin 4 vjet qytetin, por e rrënuan. Në ditët më të mira fjetën gjumë, në ditët më të këqija e rropën me zell mesjetar. Ç’hipokrizi, kur fëmijët e tyre i rrisin jashtë shtetit e pastaj prishin lojërat e fëmijëve të Tiranës, kur apartamentet e tyre i kanë mbi digë e s’duan asnjë fëmijë të lozë aty rrotull, e t’u prishë “latte-machiatton” e mëngjesit, kur shqyejnë malet e Krujës me gropat e tyre të gëlqeres e sot vetë-quhen ambientalistë.
Tirana do bëhet! Ndërtimet e tyre pa leje në liqen do të prishen, siç u janë prishur zaptimet te stadiumi Dinamo e tek Opera. Po ju prishen interesat private, për interesin publik të Tiranës. Ndaj jam i vendosur që Tirana të mos humbasë më kohë. Pas çerdheve, këtë vit vazhdojmë me kopshtet, e pas tyre shkollat. Do përfundojmë me dy unazat dhe Bulevardin. Do mbarojë shumë shpejt Pazari i Ri, e do nisë shumë shpejt Sheshi Skënderbej.
Historia nuk do na falë nëse e lëmë Tiranën si në mesjetë prej një bande vandalësh. Tirana nuk është Palmira – të paktën për shumicën dërrmuese që vendosi ta çojë në drejtimin e duhur, e të kërkojë një Bashki 24/7 në punë. Jam i bindur se veç puna na nxjerr në dritë, e ndaj veç me punë do t’i përgjigjemi dhunës.
Tirana do bëhet!