Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i ndihmojë me 70% të pagës bruto (maksimum deri në 300 euro) për 6 muaj, bizneset që marrin punëtorë, e këta të fundit duhet të mos e kenë asnjë familjar tjetër të punësuar.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nga sot do të hyjë në funksion masa Qeveria për Familjet, që ka për qëllim t’i ndihmojë familjet e cila nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar.
Ai, në një konferencë për media, ka theksuar se ky program ishte njëri nga premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje para se të vinte në pushtet, ai tha se kjo do të realizohet mes bizneseve, qeverisë dhe qytetarëve.
“Kemi një masë të re sa i përket punësimit, për punësimin e mbajtësve të familjes për ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar. Nuk është se ka qenë e lehtë gjatë këtyre dy viteve të fundit, kemi pasur kriza në vazhdim, pandemia, energjia elektrike dhe pas këtyre lufta në Ukrainë ku si pasojë erdhi kriza e inflacionit”.
Sipas tij masa Qeveria për Familjet kjo do të ju mundësojë bizneseve që janë të interesuara të punësojnë mbajtës të familjeve, ata do t’i mbështesim me 70 për qind të pagës bruto.
“Bizneseve do t’iu subvencionohet deri në 70% e pagës bruto (maksimumi 300 euro) për gjashtë muaj me radhë. Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës ofron listën e personave tek bizneset/entitetet të cilët pastaj përzgjedhin personin që do t’i angazhojë bazuar në nevojat dhe profilet e kërkuara”, tha Murati.
Murati tha se në rast se një kompani i ka 10 punëtorë, nëpërmjet kësaj mase mund t’i punësojë 3 punëtorë, që duhet të jenë të regjistruar në Agjencinë e Punës.
“Punëkërkuesit për të përfituar për këtë masë duhet të jenë mbi 18 vjeç e të mos kenë të punësuar dikë në familje. Si qeveri kemi garuar me dy shtylla kryesore: për punë dhe drejtësi. Siç e ka prezantuar edhe kryeministri, gjatë javës kishim shumë projektligje, kemi një masë të re e që është punësimi. Nuk është se ka qenë e lehtë gjatë dy viteve të fundit pasi që kemi pasur kriza vazhdimisht, kishim pandeminë, energjinë, e tani kemi rritjen e çmimeve. Si qeveri jemi munduar të marrim masa, kemi pasur pakon e ringjalljes ekonomike. Kemi dorëzuar në Kuvend edhe ligjin e pagës minimale e në rast të kalimit do të mundësojë rritjen e pagës minimale pas 11 vitesh”, tha Murati.
Ai theksoi se masa për punësim do të zgjasë aq sa është e nevojshme për familjet me asistencë sociale.
“Jemi të gatshëm që t’i mbulojmë të gjitha këto familje. Çështja tjetër me masa të tjera siç e keni pa një vendim për naftën tashme po ka efekt”, theksoi ai.
Të interesuarit për punësim duhet të jenë mbi 18 vjeç, të mos kenë asnjë anëtar tjetër të familjes të punësuar si dhe të jenë të regjistruar si të papunë. Atyre do t’u kërkohet një kopje e letërnjoftimit, një kopje të diplomës apo certifikatës së nivelit më të lartë të edukimit që e posedojnë, si dhe mundësisht një CV.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar të shtunën skemën “Qeveria për familjet”, me të cilën ka thënë se synohet që çdo familje në Kosovë të ketë së paku një anëtar të punësuar.
Ai ka thënë se kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi s’ka të punësuar asnjë anëtar të familjes. Qeveria është zotuar se do ta subvencionojë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit, me vlerën e subvencionimit që kap maksimumin 300 euro, për gjashtë muaj me radhë.
“Nga e hëna, krejt çka duhet të bëni ju si qytetar që kërkoni punë e që e plotësoni këtë kusht, dhe si punëdhënës privat që kërkoni punëtor, është të dërgoni dokumentet përkatëse në Zyrat e Punësimit në komunat tuaja. Po bëjmë një hap tejet të rëndësishëm drejt Skemës së Punësimit të Garantuar, si politikë e jona qeveritare për garantim të punësimit. Njëkohësisht po vendosim një standard të ri të politikave të punësimit që rrisin mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë ai. /Monitor/