Hetimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Albert Meça ishin fokusuar, siç doli në seancën e zhvilluar të enjten, në gjetjet në kriterin e pasurisë.
Trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Pamela Qirko, vuri në dukje se gjyqtarit i ishte kërkuar që të dokumentonte mundësitë financiare të dajës së tij për t’i dhënë një hua 20 mijë euro për një periudhë të shkurtër.
Sipas relatimit, kjo hua nuk ishte deklaruar si burim krijimi pasurie në deklaratën “Veting”, ndërsa u konstatua edhe një bilanc negativ prej rreth 500 mijë lekësh në disa vite nga disa transaksione me bono thesari.
Gjyqtarit Meça nuk i ishin gjetur probleme në kriterin e profesionalizmit dhe as në atë të figurës.
Meça e vlerësoi me superlativa hetimin e KPK-së ndaj tij dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë. Ai këmbënguli se familja e dajës kishte pasur të ardhura të mjaftueshme, por se nuk mund të provonte se prej cilës pjesë të këtyre të ardhurave ishte financuar huaja. Gjyqtari po ashtu i vuri në dukej KPK-së gabime në analizën financiare, që u pranuan nga relatorja, por që u cilësuan si të paqëllimshme.
Albert Meça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Burimet për apartamentin
Sipas relatores Genta Tafa Bungo, gjyqtari Albert Meça kishte marrë në prill të vitit 2004 një hua 20 mijë euro për blerjen e një apartamenti. Relatorja vuri në dukje se daja dhe bashkëshortja e tij kishin pasur në atë kohë të ardhura, xhiro nga biznesi dhe fitime në shuma të konsiderueshme, por sqaroi se nuk ishte e qartë se me çfarë parash ishte dhënë huaja, duke qenë se fitimet e kompanisë, rreth 8 milion lekë, nuk ishin shpërndarë . Ajo tha se për shkak të paqartësisë, kjo hua nuk ishte konsideruar në analizën financiare.
Meça sqaroi para Komisionit se nuk duhej ta konsideronte hua shumën e marrë nga daja dhe të shlyer me kredi në një kohë të shkurtër. Ai arsyetoi se për shkak se daja kishte ndërruar jetë, ai nuk mund të dokumentonte saktësisht se nga i kishte marrë ato para, por vuri në dukje shumat e konsiderueshme që familja e dajës kishte në atë periudhë, kryesisht për shkak të biznesit.
Gjyqtari shpjegoi se paratë mund të kishin qenë të xhiros apo nga kursimet e familjes, ndërsa sqaroi se huaja ishte marrë vetëm për shkak të urgjencës, pasi ajo ishte shlyer me kredi pak javë më vonë. Ai tha se fakti që shitësit e apartamentit kishin kërkuar veprime urgjente dokumentohej me largimin e tyre nga Shqipëria të nesërmen e nënshkrimit të kontratës.
Një hua nga vëllai prej 10 mijë eurosh po për apartamentin, nuk u gjet me probleme. Ndërkohë Meça kërkoi të konsiderohej si e ligjshme edhe një shumë prej 300 mijë lekësh, që sipas tij bashkëshortja kishte marrë si dhuratë nga e ëma.
KPK tha se nuk e kishte konsideruar këtë shumë, për shkak se nuk ishte provuar burimi i ligjshëm i të ardhurave të dhuruesit. Meça këmbënguli se nëna e bashkëshortes kishte qenë e paisur me numër NIPT-i në Greqi, ku kishte emigruar dhe se kishte pasur mundësi të krijonte shumën prej 300 mijë lekësh.
Meçës po ashtu iu kërkuan shpjegime në lidhje me një bilanc negativ prej 500 mijë lekësh që rezultonte nga kursimet e familjes dhe investimet në bono thesari. Bilanci sipas KPK ishte krijuar në disa vite.
Por gjyqtari e kundërshtoi këtë bilanc, duke vënë në dukje se një pjesë e bilancit negativ ndikohej nga disa gabime në analizën e KPK-së. Ai vuri në dukje një gabim në përllogaritjen e pagave të tij dhe bashkëshortes, pa përfshirë orët shtesë të punës. Ai po ashtu kërkoi rillogaritje të disa shpenzimeve të udhëtimit për efekt të punës.
Relatorja Genta Tafa Bungo e pranoi problemin, por i tha gjyqtarit se gabimi në fjalë ishte për shkak se ata ishin bazuar në vërtetimet e pagës. Tafa tha se gabimi ishte i paqëllimshëm. Meça shtoi se nuk e vinte në dyshim që gabimet në analizë ishin të paqëllimshme.
Gjyqtari nga ana tjetër kërkoi mirëkuptim nga Komisioni për mosdeklarimin e huave si burim në blerjen e apartamentit. Ai tha se ato ishin deklaruar në deklarimet e para, por se ai kishte arsyetuar se në deklarimin “veting” si burim duhej të deklaroheshin pagat e tij dhe bashkëshortes, duke qenë se me ato ishin shlyer qoftë huatë, qoftë kredia. Meça tha se KPK kishte provuar se ai kishte pasur burime të ligjshme për të bërë shlyerjen.
Sa i përket profesionalizmit dhe figurës, Meçës nuk i ishte kaluar barrë prove. Gjyqtarit i ishin kërkuar shpjegime vetëm për një çështje, që siç rezultoi kishte të bënte me shpalljen e një vendimi jashtë afatit. Meça shpjegoi se koha e kaluar nuk i lejonte të mbante mend saktësisht pse ishte shtyrë dhënia e vendimit, por i tha Komisionit se nga shënimet e tij i rezultonte të kishte qenë i ngarkuar me detyrë nga kryetari i gjykatës.
Në fjalën e tij, gjyqtari Albert Meça e vlerësoi hetimin e KPK-së, duke e cilësuar të ligjshëm, njerëzor dhe profesional, ndërsa kërkoi konfirmimin në detyrë.
/Reporter.al/