Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja thotë se me protestën e 7 korrikut, të zhvilluar nga opozita kundër qeverisë së Edi Ramës u shfaqën qartazi disa gjëra, Sipas tij, kjo tregoi se Berisha kontrollon pjesën më të madhe të PD-së, që kundërshtarët brenda PD-së janë të dobët përpara tij, si dhe përveç mbështetësve të opozitës, aty kishte dhe shumë njerëz të tjerë.
“Mendoj që protesta shfaqi qartazi disa gjëra dhe la hapur disa gjëra të tjera. Shfaqi qartazi se ai që mund të quhet “grupi i themelimit”, apo Berisha kontrollon pjesën më të madhe të PD-së për të mos thënë që kontrollon pjesën dërrmuese të PD-së. Pra është një opozitë që imponohet me numrat e veta.
Protesta shfaqi qartazi që kundërshtarët janë shumë të dobët përpara tij, flas për kundërshtarët brenda PD. Shfaqi qartazi që përveç njerëzve të PD-së, aty kishte dhe shumë njerëz të tjerë, që në një farë mënyre janë të pakënaqur nga qeveria.
Sigurisht pastaj ka lënë çështje të hapura, atë se sa mundet të grumbullojë për të krijuar një masë kritike, për të sfiduar pushtetin e Ramës. Gjuha që përdoret a është apo jo kjo gjuha përbashkuese për të krijuar këtë dhe politikat që përdoren janë apo jo të tilla.
Çfarë duhet bërë për t’u bashkuar pjesa tjetër? Çfarë duhet bërë më shumë për t’u afruar ajo pjesa gri që mendoj se janë të rëndësishme në lojën politike shqiptare. Ashtu sikurse do të thoja edhe dy gjëra shumë të rëndësishme që gati nuk ceken, sepse mbulohet gati gjithçka me denoncimin, por nuk kemi qartazi një formulim të një programi alternativ se si mund të dilet nga kjo situatë.
“Shqipëria në rrezik”, por cili është programi që do të shpëtojë Shqipërinë, përtej denoncimit të atyre që po qeverisin. Kjo lidhet me gjërat që janë përtej të majtës e të djathtës, kundër krimit, korrupsionit, oligarkisë, medias së kapur, etj, etj, pra që janë probleme që ka krijuar kjo qeveri. Pra, cila është ideologjia bazë e kësaj opozite, çfarë është e ndryshme nga partia në pushtet. Këto nuk janë të formuluara qartazi.
Grumbullimi i kaq shumë njerëzve në një kohë të papërshtatshme, ka të bëjë me vullnetin e organizatorëve, shtysa që ka Berisha, edhe për shkak të mërzive të tij mund të thuash, por janë shtysa të rëndësishme dhe historia tregon se njerëz me vullnet mund të bëjnë shumë. Mendoj se dhe Ilir Meta bën pjesë në këtë.
Besoj nuk ka të bëjë shumë me pakënaqësinë në rritje, sepse pakënaqësi ka pasur dhe me parë, por lidhet dhe me një lloj bazamenti militantësh që PD e ka të pandryshueshëm. Kështu që nëse ky vullnet do të jetë dhe më i madh, me pakënaqësi që parashikohen në rritje, mundet të kemi protesta shumë më të fuqishme.
Nuk ka pasur asnjëherë ndjeshmëri ndaj shtesave të brishta… sigurisht që maxhoranca duke u ndjerë e sigurt se ka një opozitë që mendon se e ka përçarë, i duket se mund të bëjë akoma dhe më shumë çudira në shtrëngimin e rripave të njerëzve dhe asgjë të mos ndodhi, dhe kjo është një nga arsyet e kësaj që po ndodh.
Pra është një situatë ku maxhoranca me dhe pa të drejtë mendon se mund të vazhdojë të sillet kështu. Është detyrë e opozitës dhe njerëzve që të organizohen nëse duan të dalin nga kjo situatë”, – u shpreh Lubonja në News 24.
Ai foli edhe për skandalet e qeverisë që po dalin në dritë ditë pas dite, ndërsa komentoi edhe reagimin e bërë nga BE, për amnistinë fiskale që kryeministri Edi Rama kërkon ta aplikojë në vend.
“Vullneti për pushtet i kësaj bande politike me në krye Ramën është gjëja kryesore dhe ky akt u shërben për të qëndruar në pushtet, për të pasur para, për t’u pasuruar.
Të gjithë e dinë që Shqipëria është një narkoshtet, dhe ata po e bëjnë duke ruajtur një lloj fasade, duke bërë gjoja takime me shoqërinë civile, ndërkohë që e dinë shumë mirë ca po bëjnë.
Reagimi i BE për amnistinë fiskale? Mendoj se ata kanë reaguar sepse vërtet kjo është skandaloze dhe s’mund të mbyllin sytë, sepse i kanë mbyllur sytë herë të tjera. Padyshim që Rama nuk është aq budalla sa të mos i përdorë këto lloj sfidash ndaj Europës, ku në fund fare Europa mbyll sytë për shkak të gjeopolitikës, krizës së vet.
Ne kemi pasur shumë reagime të BE të mefshta, jo këmbëngulëse. Rama, pa dyshim që e shfrytëzon këtë situatë për ta hedhur hapin pa asnjë problem. Ne s’kemi të presim nga Europa.
Ata në Sri Lankë nuk protestuan se i shtyu kush, por nga nevoja e tyre. Opozita duhet të jetë e tillë, që mos ketë komplekse, ta akuzojë BE, që dhe këta blihen, kjo është e vetmja gjë që mund të na nxjerrë nga situata”, – tha Lubonja.