Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kujtuar sot 27-vjetorin e Gjenocidit të Srebreniës.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha u shpreh se pa dënuar të gjithë autorët e masakrës ku u vranë civilë të pafajshëm në Bosnjë dhe Kosovë, nuk mund të ketë drejtësi.
Basha shtoi se zhvillimet e fundit në rajon dëshmojnë se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.
Ai ka bërë thirrje se Shqipëria duhet të gjejë guximin për të miratuar edhe rezolutën për genocidin serb në Kosovë.
Pa dënuar të gjithë kriminelët që vranë e masakruan civilë të pafajshëm në Bosnjë dhe Kosovë, nuk mund të ketë drejtësi.
Sot ndajmë dhimbjen me gratë, nënat boshnjake që humbën më të dashurit e tyre në masakrën më mizore që ka njohur Europa pas Luftës II Botërore.
Shovinizmi serb vrau dhe masakroi mbi 8 mijë burra dhe djem. Por ato mbijetuan, mbi dhimbjen, ndërtuan të ardhmen, rritën fëmijët e tyre dhe sot i dëshmojnë botës modelin e jashtëzakonshëm të forcës, tolerancës e mirëkuptimit të një gruaje.
Zhvillimet e fundit në rajonin tonë dëshmojnë se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.
Të mohosh genocidin në Bosnjë dhe në Kosovë tregon se nuk je ndarë nga e kaluara, por i përket asaj, nuk kërkon bashkëjetesë por vazhdimin e konfliktit të ngrirë, duke mbrojtur të shkuarën e përgjakshme, mbetesh peng i saj dhe nuk sheh dot drejt së ardhmes.
Vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Rajonit tonë mund të arrijnë pajtime të vërteta, pajtime të qëndrueshme.
E ndërsa Shqipëria u rreshtua krah vendeve që dënuan genocidin në Bosnjë, sot është koha të gjejmë forcën, guximin dhe pavarësinë për të miratuar edhe rezolutën për genocidin serb në Kosovë.
Sot është koha për të parë të vërtetën në sy, jo për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme, por për t’i hapur rrugën të ardhmes.