Një vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) kundër policisë spanjolle në një çështje privatësie tregon se Partia Socialiste e Shqipërisë mund të ketë shkelur të drejtën e qytetarëve për privatësi me përpilimin e bazës me të dhënat personale të votuesve gjatë fushatës elektorale të 2021.
Të enjten, GJEDNJ vendosi se policia e Katalonjës ka shkelur të drejtën e privatësisë së 20 gjyqtarëve spanjollë kur ka përpiluar dosje me të dhënat e tyre personale, pavarësisht se ata nuk kishin lidhje me ndonjë krim.
Në vitin 2014, pasi disa gjyqtarë spanjollë shkruan një manifest në lidhje me pavarësinë e Katalonjës, gazeta La Razón publikoi informacione personale dhe foto rreth autorëve, duke u mbështetur në një bazë të dhënash të policisë.
GJEDNJ vendosi se qoftë botimi i këtij informacioni, qoftë vetë baza e të dhënave e policisë shkelin nenin 8 të Konventës për të Drejtat e Njeriut. Sipas Gjykatës, ky nen, që garanton të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare, përfshin edhe “detyrimin për të mbrojtur në mënyrë aktive individin nga ndërhyrja arbitrare nga autoritetet në privatësinë e tij”.
Gjyqtarët argumentuan se ligji spanjoll nuk autorizon “përpilimin e raporteve të tilla pa ndonjë lidhje me ndonjë krim”.
Gjykata konstatoi gjithashtu se shteti spanjoll kishte shkelur nenin 8 duke mos hetuar siç duhet rrjedhjen në shtyp të informacionit të gjyqtarëve.
Ngjashmëria me rrjedhjen e të dhënave zgjedhore në Shqipëri
Ndërkohë që vendimi i gjykatës është i vlefshmë për Spanjën, detajet e kësaj çështjeje ngjajnë me rrjedhjen e të dhënave të patronazhistëve, që preku qytetarët shqiptarë në pranverën e vitit të kaluar. Madje arsyetimi i detajuar i gjyqtarëve në vendimin e tyre tregon se qeveria shqiptare mund të ketë shkelur të drejtën e qytetarëve për privatësi.
Në mars 2021, një muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, portali i lajmeve Lapsi.al botoi detaje të asaj që pretendonte se ishte një bazë e madhe e të dhënave që përmbante informacionin personal të më shumë se 910,000 votuesve. Këto të dhëna dyshohet se janë marrë nga Gjendja Civile dhe i janë dorëzuar Partisë Socialiste për t’u përdorur në fushatën elektorale 2021.
Baza e të dhënave kishte një mori informacionesh për votuesit, përfshi numrin e identitetit, emrat, datën e lindjes, punëdhënësin, qendrën e votimit, numrin e telefonit dhe nëse ata kishin të ngjarë të votonin për Partinë Socialiste. Secilit votues i ishte caktuar edhe një “patronazhist”, që kishte për detyrë t’i monitoronte individët.
Tabela e Excel-it doli edhe në publik, duke qarkulluar në të gjithë Shqipërinë përmes mediave sociale dhe aplikacioneve të mesazheve.
Ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi një hetim për portalin që botoi informacionin për bazën e të dhënave, asnjë hetim i ngjashëm nuk u ndërmor ndaj Partisë Socialiste apo institucione qeveritare.
Në korrik 2021, 160 qytetarë paraqitën në SPAK një denoncim për keqpërdorim të të dhënave të tyre personale, me argumentin se “është e papranueshme që të dhënat [personale] të mblidhen, përpunohen dhe publikohen në mënyrë të paligjshme për interesa elektorale”, por mbetet e paqartë nëse SPAK ka nisur ndonjë hetim.
Hetimi penal, i cili ka në fokus aksesin e paautorizuar në të dhënat kompjuterike, i kaloi Prokurorisë së Tiranës, e cila nuk e ka njoftuar publikun për ecurinë.
Që atëherë, Partia Socialiste është përpjekur të normalizojë mbledhjen e të dhënave të tilla. Kryeministri Edi Rama e lëvdon të ashtuquajturin “sistem patronazhimi” si çelësin e suksesit elektoral të PS-së.
Vendimi i GJEDNJ-së në çështjen spanjolle, megjithatë, argumenton se përpilimi i një baze të dhënash me informacione private të qytetarëve pa arsye apo justifikim të duhur është shkelje e privatësisë.
Gjithashtu, Gjykata vendosi se sipas nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (të cilën e ka nënshkruar edhe Shqipëria), shteti ka një detyrim aktiv “të mbrojë individin nga ndërhyrja arbitrare e autoriteteve në privatësinë e tij”.
Duke marrë parasysh vendimin e gjykatës në çështjen spanjolle, mund të argumentohet se Partia Socialiste i ka dëmtuar qytetarët në dy pika. Së pari, duke përpiluar një bazë të gjerë të dhënash që mund të përbëjë një “ndërhyrje arbitrare” në privatësinë e qytetarëve shqiptarë nga autoritetet. Dhe së dyti, duke lejuar rrjedhjen e të dhënave në shtyp dhe në publik, qoftë edhe nga neglizhenca e plotë, gjë që shkel më tej të drejtën e privatësisë.
Qeveria shqiptare e ka trajtuar me humor dhe sportivitet të drejtën e qytetarëve për privatësi. Në dhjetor 2021, u botuan në internet edhe dy baza të dhënash me informacione personale për pagat dhe për numrat e targave. Në vend që të këmbëngulte për një hetim, kryeministri Rama e pa me pozitivitet rrjedhjen dhe shpalli se pagat do të publikohem vit për vit për hir të transparencës.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut duket se nuk pajtohet me këtë trajtim të të dhënave personale, ashtu si edhe Komisioni Evropian, i cili për rastin e Shqipërisë e bëri të qartë se mbrojtja e të dhënave personale është një e drejtë themelore në BE. /Exit.al/