Është mbyllur afati i aplikimeve për garën për drejtuesit e gjashtë departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Afati për dorëzimin e aplikimeve përfundoi të premten, më 17 korrik, ndërsa në proces janë regjistruar gjithsej 9 kandidatë.
Burime nga procesi bëjnë me dije se kandidatët do të konkurrojnë për drejtimin e strukturave më të rëndësishme të policisë, ndërsa gjashtë prej tyre pritet të emërohen në krye të departamenteve.
Në garë janë: Pëllumb Seferi; Artan Barjaktari; Lorenc Panganika; Saimir Muça; Hergis Jica; Idajet Faskaj; Ferdinand Mara; Alban Dauti; Lufti Minxhozi
Departamentet për të cilat po zhvillohet konkurrimi janë:
-Departamenti për Policinë Kriminale
-Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
-Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse
-Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike
-Departamenti i Teknologjisë së Informacionit
-Departamenti për Kufirin dhe Migracionin
Procesi i konkurrimit u hap me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me synimin për të zgjedhur për herë të parë drejtuesit e këtyre strukturave përmes një procedure konkurruese.
Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit, kandidatët duhet të kenë gradën e rolit të mesëm drejtues, të mos kenë marrë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos kenë konflikt interesi dhe të plotësojnë kriteret ligjore e shëndetësore për ushtrimin e funksionit. Në ditët në vijim pritet të zhvillohen fazat e tjera të vlerësimit nga një komision i posaçëm në Policinë e Shtetit. Në përfundim të procesit do të shpallen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve.














