Në mesin e fjalimeve, në protestën për Zvërnecin spikati edhe një murgeshë që solli një mesazh për shpresën dhe solidaritetin.
Ajo u shpreh se Shqipëria nuk mund të jetë mirë nëse një pjesë e qytetarëve mbeten pas, ndërsa theksoi se koha e spektatorëve ka marrë fund.
“Jam një qytetare si të gjithë ju dhe të gjithë ne kemi të drejtën të dalim në shesh. Teksa po vija këtu, po mendoja se çfarë do të thosha. Nuk jam këtu për t’i dhënë mesazh Ramës apo Berishës, por të gjithë politikanëve.
Kemi ardhur me dy pankarta që dëshiroj t’i ndaj me ju. E para: Sot, në këto ditë, shpresa po lulëzon, sepse shqiptarët më në fund nuk janë më spektatorë. Pankarta e dytë thotë: Nuk jemi mirë, nëse nuk jemi mirë të gjithë.
Falënderoj Zotin që prindërit e mi nuk sëmuren, sepse mjafton një sëmundje dhe ne gjendemi përtokë. Mesazhi tjetër që dua të ndaj me ju është se veriu krenohet dhe gëzohet me dy apo tre gjëra që politika ka bërë, si Rruga e Kombit dhe disa fshatra turistikë. Por është turp të kënaqemi vetëm me dy apo tre gjëra në këto ditë. Shqipëria po ndryshon, sepse ne kemi vendosur që Shqipëria të ndryshojë” tha ajo














