Emisioni ‘Plug’
Kur Edi Rama shkeli për herë të parë në zyrën e Kryeministrisë në vitin 2013, nisi një propagandë të ethshme se qeveria e mëparshme i kishte lënë “rrugët rrugëve”.
Sot, pas katër mandatesh, koha ka treguar se rrugët e ndërtuara para vitit 2013 i kanë mbijetuar kohës, stuhive të motit dhe stuhive politike, duke garantuar jetën e qytetarëve. Ndërsa shumë nga rrugët dhe tunelet e ndërtuara gjatë qeverisjes së Edi Ramës, dhe sidomos gjatë periudhës që Belinda Balluku ka drejtuar Ministrinë e Infrastrukturës, sot jo vetëm që janë objekt hetimi nga SPAK për korrupsion galopant, por mbi të gjitha, këto rrugë dhe tunele janë kthyer në rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Ne kemi denoncuar rrugën Korçë–Ersekë, tunelin e Llogarasë dhe akse të tjera, ndërsa sot do të tregojmë një aferë të re, Qukës–Qafë Plloçë, e cila përveç kostove, po u rrezikon jetën qytetarëve.
Pamjet që sapo ndoqët, janë vetëm disa nga akset kombëtare të ndërtuara gjatë dy mandateve të fundit të Qeverisë Rama.
Këto rrugë dhe tunele, të quajtura “rrugët e florinjta”, përveç kostove të mëdha të ndërtimit, sot janë kthyer në rrezik për jetën e drejtuesve të mjeteve.
Shkaku kryesor i shembjes së rrugëve dhe tuneleve duket se janë abuzimet e mëdha financiare. Një prej këtyre akseve, është rruga Qukës-Qafë Plloçë, e cila për nga ndërtimi zgjati 16 vjet, ndërsa kostot tejkaluan çdo parashikim buxhetor dhe në fund, pasi u inaugurua me dajre dhe tupana, ajo u shemb…
Projekti “Ndërtim i rrugës Qukës-Qafë Plloçë”, është pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë dhe parashikonte ndërtimin në një gjatësi 40.5 kilometër, me dy korsi, që përfshin një tunel me gjatësi 375 m.
Kostoja fillestare ishte 152.7 milionë USD. Financimi është parashikuar të realizohet në masën 81.8% nga Banka Islamike për Zhvillim, 16.4% nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe 1.8% nga Qeveria Shqiptare.
Ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë nisi zyrtarisht ndërtimin në vitin 2009, ku në atë kohë ish-komuna Qukës i paraqet qeverisë së kohës një projekt të hartuar nga kompania SPAHERA, për ndërtimin e Lotit 1 të rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Sipas dokumentetit, punimet nisën në qershor të vitit 2009 dhe do të përfundonin brenda 4 viteve, pra në vitin 2014. Që në vitin e parë të punimeve mbi këtë vision, nisi edhe ndërtimi i 3 km të para. Për të gjithë aksion, pas një gare ndërkombëtare, Ministria e Transportit dhe Telekomunikaniconit, kontrakton kompaninë Italian AIC Progretti, për të kryer studimin dhe projektimin e segmentit tjetër të rrugës Qukës-Qafë Plloçë me gjatësi 40 km.
Sipas të dhënave të vetë kompanisë italiane, AIC Progetti, puna për projektimin e këtij aksi nisi në muajin qershor të vitit 2009, dhe përfundoi në muajin dhjetor të vitit 2010. Në të dhënat e saj në faqen zyrtare, kompania italiane, e cila ka një CV të pasur me ndërtim rrugësh dhe veprash inxhinierike në disa shtete dhe kontinente të botës, e përshkruan projektin kompleks për shkak të morfologjisë së terrenit.
AIC PROGRETTI
Rruga është afërsisht 40 km e gjatë dhe lidh qytetin e Qukësit me Progradecin. Ajo shtrihet në lartësi që variojnë nga 700 m deri në 1200 m, duke ndjekur një itinerar malor. Ajo përmban 28 viadukte dhe 1 tunel. Prerja tërthore është 10.50 m e gjerë. Projekti është veçanërisht kompleks për shkak të morfologjisë së vendit, e cila kërkonte përdorimin e mureve mbajtëse për pjesë të gjata. Themelet e veprave të artit janë planifikuar si mbi grumbuj ashtu edhe sipërfaqësorë.
Në bazë të këtij projekti është bërë edhe përllogaritja e kostove për ndërtimin e të gjithë segmentit Qukës-Qafë Plloçë, e cila kapte vlerën e 152.7 milionë dollarëve me vlerën e kohës. Në vitin 2013, pak para largimit nga pushteti, qeveria e Partisë Demokratike, kishte siguruar edhe financimin për ndërtimin e plotë të aksit prej 40 km. Sipas dokumenteve zyrtare, Qeveria Shqiptare ratifikon dy marrëveshje huaje.
Me anë të ligjit 128/2013 qeverua ratifikon marrëveshjen e huasë me Bankën Islamike për Zhvillim, e cila parashikonte financimin ndërtimit të Lotit 1 dhe Lotit 2 me gjatësi 30 km në vlerën e 125 milionë dollarëve. Një vit më pas, pra në vitin 2014 me anë të ligjit nr. 46/2014 qeveria shqiptare ratifikon marrëveshjen e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim, që do të financonte ndërtimin e lotit 3 me vlerë 25 milionë dollarë. Sipas të dhënave zyrtare, i gjithë projekti i ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë do të kushtonte 152.7 milionë dollarë.
Pas sigurimit të financimit nga qeveria e PD dhe nënshkrimi i marrëveshjeve nga qeveria e PS, në muajin korrik të vitit 2015, nënshkruhen edhe kontratat respektive për nisjen e punimeve për ndërtimin e dy loteve të para të rrugës Qukës – Qafë Plloçë me gjatësi totale të dy loteve prej 33.3 km. Sipas informacionit zyrtar të ARRSH, në datën 1 korrik të vitit 2015 kanë nisur zyrtarisht punimet.
Për ndërtimin e Lotit 1, me gjatësi 15 km, kompania fituese u shpall bashkimi i kompanive JV Sintram & Albvia ndërsa mbikqyrës ishte kompania CEC shpk. Vlera e kontratës për ndërtimin e segmnetit të Lotit 1 me gjatësi 15 km ishte 38.2 milionë dollarë.
Për ndërtimin e Lotit 2, që kishte gjithashtu gjatësi 15 km, dhe specifika në ndërtim pasi parashikonte ndërtimin e dy tunleve dhe disa urave, u kontraktua kompania Combain Group. Edhe në këtë lot, mbikqyrës punimesh ishte kompania CEC shpk. Vlera e kontratës për këtë lot sipas ARRSH ishte 63 milionë dollar. Ndërsa pak ditë më vonë është firmosur edhe kontrata për ndërtimin e lotit të 3 të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, ku vlera e tenderit ka qenë 33 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve për të tre lotet ishte viti 2018.
Sipas një raporti audimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të kryer gjatë vitit 2021 për ndërtimin e aksit Qukës-Qafë Plloçë, zbulojmë gjithashtu se donatorët, pra Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Saudit për Zhvillim, kanë kaluar në filtër të gjithë dokumentacionin dhe tenderat e zhvilluar nga qeveria shqiptare duke dhënë ok përfundimtar për lidhjen e kontratës dhe nisjes së punës.
Deri këtu, duket gjithçka normale. Një projekt i nisur nga qeveria Berisha u vijua dhe filloi zbatimin nga qeveria Rama. Të gjitha të dhënat që treguam deri më sipër, dëshmojnë se rruga Qukës – Qafë Plloçë u projektua dhe tenderua sipas standardeve ndërkombëtare, pasi kriteret dhe kushtet i vendosnin pikërisht donatorët.
Ndërsa Edi Rama kishte marrë edhe mandatin e dytë, dhe ministrat e Infrastrukturës ndryshoheshin sipas orekseve dhe interesave private, e njëjta gjë ndodhi edhe me këtë projekt dhe fondet për të. Me nisjen e punës në terren, nisën edhe manovrat e para, ku kompani anonime shqiptare, e të lidhura me pushtetin, dolën më eksperte se gjigandë ndërkombëtarë për ndërtim rrugësh, dhe vendosën të ndërhyjnë në projekt e bashkë me të të ndëhyjnë edhe në fryrjen e kosotve.
Kryeministri Edi Rama, në 2 maj 2016, vetëm pak muaj pasi kishin nisur punimet për ndërtimin e rrugës, inspekton nga afër ecurinë e tyre. Gjatë fjalës së mbajtur nga kantieri, Rama pohon për mediat se në projekt ishin bërë ndryshime me qëllim që t`u krijohej akses në rrugën e re edhe zonave rurale.
Pas kësaj deklarate të kryeminisrit, ARRSH ndryshoi projektin, dhe brenda 6 muajve, Edi Rama u shfaq sërish në kantierin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë ku konfirmoi se projekti fillestar ishte ndryshuar tërësisht, pasi sipas tij ai do të sillte shumë probleme.
Zbatimi i këtyre urdhrave në kaniter të kryeministrit Edi Rama, që mori edhe rolin e inxhinierit, sollën ndryshimin e projektit, që tashmë nuk mbante më firmën e ekspertëve të kompanisë italiane, por të inxhinierëve të ARRSH-së, që kanë prodhuar jo vetëm këtë rrugë që sot është shndërruar në rrezik për përdoruesit, por edhe një fryrje të kostove me qindra milionë euro.
Sipas raportit të KLSH të vitit 2022, ndryshime projektimi janë kryer në Lotin 2, pra segmenti që përfshinte ndërtimin e dy tuneleve dhe dy urave.
E ky projekt, kishte ndryshime rrenjësore nga projekti fillestar dhe bëhet fjalë për aksin që kalonte përgjithësisht nga lartësia 700 deri në 1200 metër mbi nivelin e detit, dhe përfshinte ndërtimin e veprave më të vështira inxhinierike.
Një detaj që del në pah, nga ndryshimi i kontratave është ajo me Lotin 1. Sipas kontratës fillestare, ky lot ishte parashikuar të ndërtohej për rreth 38 milionë euro. Por me ndryshimet e kontratës, kostot shkuan në 49 milionë euro, ndërsa rritja prej 11 milionë eurosh e kostove shkoi për zërin e punimeve civileve, konkretisht punime rruge, të cilat ishin parashikuar në vlerën e 17 mln eurove në kontratën fillestare, ndërsa me preventivin e rishikuar shkuan në 28 mln euro.
Nga kjo kontratë del në pah gjithashtu, se në Lotin1 është ulur fondi për punimin e skarpatave të maleve nga 11 në 7 mln euro.
Po për Lotin 1 rezulton se kontraktori, pra kompania ALBVIA – SINTRAM, ka propozuar tre herë ndryshime projekti, në datën 25 i pari 2017, në 17.05.2019 dhe 30.07.2020. të gjitha propozimet e kontraktorit për ndryshimin e projektit për Lotin 1, janë miratuar me vonesë sipas KLSH, duke e zvarritur afatin e kryerjes së punimeve në 7 vjet nga 2 që ishte parashikuar. Dhe sipas KLSH, zvarritja e punimeve solli edhe rritjen e kostove të projektit.
Në kontratën e zbatimit të punimeve civile me objekt “Ndërtim i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, Lot 1”, nr. 11 prot., datë 09.05.2015, konstatohet se ka një shtrirje në kohë gati 7 vjet dhe ndërprerje të tyre për mungesë fondesh. Nga vizita në terren u konstatua se; skarpatat e krijuara nga gërmimi kanë humbur formën e tyre dhe rrëshqitje ku në disa raste kanë dëmtuar muret pritëse, materiali i rënë nga skarpatet ka krijuar mbushje pas mureve pritëse i cili nuk është i përshtatshëm për kullimin e ujërave i cili ku duhet të pastrohet dhe të bëhet mbushja me materialin e parashikuar në kontratë sipas specifikimeve teknike dhe në një pjesë të konsiderueshme të trasesë janë dëmtuar shtresat e bazës nga kushtet atmosferike.
Ndikimi: Rritje të kostos së projektit për realizimin e tyre sipas specifikimeve teknike.
Shkaku: Vonesa në realizimin e punimeve sipas grafikut të tyre dhe afateve të përcaktuara në kontratën fillestare.
Pra me projektin e ndryshuar dhe me zvarritjen disa vjeccare të punimeve, kompanitë zbatuese por edhe autoriteti kontraktues e kanë patur të qartë situatën në terren, pasi shenjat për katastrofën e sotme janë konstatuar edhe me raporte zyrtare. Pas ndryshimeve të të gjithë projektit në këto 2 lote, kostoja për ndërtimin e Lotit 1 dhe Lotit 2, nga 101 milionë euro që ishte parashikuar fillimisht për tu ndërtuar kapërceu në 181 milionë euro, pra një fryrje e kostove me 80 milionë euro, vetëm pas rishikimit të projektit.
Këto parashikimi e fryrje kostosh u bënë me arsyetimin, se projekti nuk ishte i sakt dhe do të sillte probleme, e fryrja me 80 milionë euro nuk do të sillte pasojat që janë krijuar sot. E që në fakt, duket se me këtë riprojektim, jo vetëm që kostot u frynë me 80 milionë euro për 2 lote, por duket se rishikimi i projektit nga ekspertëve e ARRSH-së, vetëm sa ka shtuar problemet.
E njëjta praktikë u ndoq edhe me Lotin 3, që pësoi gjithashtu ndryshime rrenjësore nga çfarë ishte projektuar nga ekspertët italianë në projektin fillestar.
Bashkë me ndryshimin u rritën kostot me më shumë se dyfish, nga 33 milionë euro tenderim në projektin fillestar në 75 milionë euro në tenderimin e rishikuar, por që bashkë me shpenzimet e tjera të huasë e taksat arriti në 87 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se në Lotin 3, zërat kryesor të punimeve e zinin ato të skarpatave që do të duhet të siguroheshin për të mos u shembur.
Por kleçka qëndron në vlerësimin e zërave të punimeve në këtë projekt. Fillimisht për punime në rrugë, që parashikohet traseja asfaltimi etj, kostoja shkonte në 14. 7 milionë euro, e më pas me rishikimin e projektit, me kërkesë të kompanisë zbatuese të Artan Sakos, ky zë u fry në 25. 3 milionë euro, e çuditërisht shtimin e fondeve për punimet në rrugë i kompensuan me uljen e kostos që ishte parashikuar për punimet në muret mbajtëse të rrugës, ato që sot janë kthyer në probemin kryesor të kësaj rruge.
Fillimisht ishte parashikuar që 9 milionë euro do të shpenzoheshin për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe skarpatave, pork y fond u ul në 2. 5 milionë euro, e pjesa tjetër e fondit do të shkonte tek asfalti. Pra, paratë që do të duhet të shkonin për mirëmbajtjen skarpatave, sipas projektit fillestar, u hoqën me kërkesë të Artan Sakos dhe I kaluan zërit të punimeve në rrugë, që sipas inxhinierëve, pikërisht te ky zë punimesh bëhen zakonisht edhe abuzimet më të mëdha financiare, për shkak të pamundësisë për matjen e volumit të gërmimeve.
Nga vetëm kaq, sa ka audituar KLSH, arrimë në konkluzion, se shembjet në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, nga skarpatat e maleve, në Lotin 3, ndodhën jo për shkak të gabimeve në projektin fillestar, por qartësisht sepse paratë që ishin parashikuar për mirëmbajtjen e skarpatave u devijuan me kërkesë të kompanisë 2T të Artan Sakos.
Ndryshe ka ndodhur në dy lotet e tjera, ku ndonëse pati ndryshime të projektit, dhe shtim të financimit, duket se kompanitë që kryen punimet minimalisht nuk prekën skarpatat e rrugës, të cilat praktiksiht përbëjnë rrezikun kryesor për udhëtarët nëse dëmtohen apo shemben, siç ndodhi në Lotin 3 ku disa qytetarë rrezikuan jetën gjatë muajit janar të këtij viti.
Deri më tani ndoqët se si me ndryshimin e pushtetit, Edi Rama mori përsipër të njoftonte ndryshimin e projektit, e për këtë gjeti si pretekst, fajësimin e qeverisë paraardhëse. E të gjithë do mendojnë se tashmë gabimi i projektimit ishte rregulluar, dhe me një fryrje kostosh prej 50 milionë eurosh gjithçka ishte zgjidhur.
Por në fakt jo, duket se këtu historia nis e përsëritet nga e para. Rruga Qukës-Qafë Plloçë është etaloni i abuzimit barbar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në vitin 2019, Edi Rama ndryshon ministrin, e në krye të infrastrukturës vjen Belina Balluku.
Balluku siç parardhësi i saj, i rifutet sërish projektit, dhe nga 50 milionë euro shtesë, fryrja shkon në 105 milionë. Duke i vënë kapakun në një kostot totale, nëse do të llogarisim edhe taksat, në 316 milionë euro. Po, po, plot 316 milionë euro për një rrugë që në projektimin fillestar do të kushtonte maksimumi 181 milionë euro.
Rruga Qukës – Qafë Plloçë, mund të cilësohet si gropë e zezë për financat publike. 43 km rrugë, u ka kushtuar sot qytetarëve shqiptarë më shumë se 316 milionë euro pagesa neto, pa llogaritur interesat e kredive që u morën nga bankat arabe, mirëmbajtjen, apo tendera për punime të tjera të këtij segmenti. Kostot e këtij projekti, rritjen më të madhe e njohën kur në krye të Ministrisë së Infratsrukturës u vendos Belinda Balluku.
Sipas raportit të auditit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vitin 2021, Njësia e Menaxhimit të Projektit, në vijim të korrespondencës me shkresën nr.6248/1, datë 30.07.2019, i ka dërguar informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë mbi kërkesën për shtyrje të datës së mbylljes së lëvrimit të financimit të kësaj marrëveshje duke paraqitur nevojat për shtyrjen e kësaj date si rezultat i problematikave që lidhen kryesisht me pasaktësitë dhe mangësitë e theksuara të projektit origjinal të kontratës të konstatuara që prej fillimit, edhe pse në 2016, ishte vetë kryeministri Edi Rama që do të deklaronte se projekti tashmë ishte rishikuar dhe gjithccka do të ndërtohej sicc duhej.
Kërkesa për shtyje të lëvrimit të financimit erdhi pas një auditimi të kryer nga një kompani private, e kontraktuar nga Njësia e Menaxhimitt të Projektit. Më 31 dhjetor 2018, një kompania audituese e pavarur UHY Elite shpk, i dërgon një shkresë ARRSH dhe Njësisë së Menaxhimit të Projektit, duke vlerësuar se vlera totale e fondeve shtesë për përfundimin e projektit mund të arrijë 31 milion USD nga të cilat 5 milion USD mbeten për fondet e kontingjencës në buxhetin e projektit fillestar dhe 26 milion USD, duhet të merren nga burime të tjera. Kjo analizë tregon se përveç buxhetit total të aprovuar në marrëveshje prej 125 milion USD, projekti mund të ketë nevojë fonde shtesë rreth 28 milion USD vetëm për punët civile në Lotin 1 dhe Lotin 2.
Pra, dy vjet pasi kishin nisur punimet dhe ARRSH miraton ndryshimet në projekt të propozuara nga kontraktori, kërkohet edhe shtimi i fondeve për përfundimin e ndërtimit të lotit 1 dhe 2 me gjatësi 30 km në total, me një fond shtesë prej 31 milionë eurosh.
Situata mbetet pezull për dy vjet, teksa në vitin 2020, pasi në krye të Ministrisë së Infrastrukturës vjen Belinda Balluku, rinisin negociatat për shtesë në financim. Por, këtë herë ndryshon edhe preventive, nga 31 milionë euro që ishin parashikuar fonde shtesë nga audituesi i pavarur për përfundimin e Lotit 1 dhe 2, ARRSH i kërkon kompanisë mbikqyrëse të ribëjë preventivin.
Sipas KLSH, Më datën 19.05.2020, konsulenti paraqiti vlerësimin në lidhje me përllogaritjen e fondeve shtesë të nevojshme për përfundimin e Projektit sipas komponentëve për Lot I dhe II me një buxhet rreth 56.8 milionë USD. Pra nga 31 milionë euro që ishte parashikuar në vitin 2018 me projektin e rishikuar, pas ardhjes së Ballukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, përfundimi i Lotit 1 dhe 2 kërkon 56.8 milionë euro shtesë.
Thënë më thjeshtë, lotet 1 dhe 2 ishin parashikuar të ndërtoheshin me 125 milionë euro, por pas ardhjes së Ballukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, kostoja u shtua me 56.8 milionë euro, duke çuar shumën totale në rreth 181 milionë euro vetëm për ndërtimin e lotit 1 dhe 2 të Qukës –Qafë Plloçë.
Pas kësaj, në muajin korrik të vitit 2022, qeveria shqiptare dhe Banka Islamike për Zhvillim firmosin e marrëveshjen e re, e cila u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë në 17 nëntor 2022. Kjo marrëveshje parashikonte që shuma e huasë për ndërtimin e Lotit 1 dhe 2 të Qukës –Qafë Plloçë nga 125 milionë euro që ishte parashikuar në marrëveshjen e 2013, shkonte në 181 milionë euro.
Sipas KLSH, Me miratimin e kësaj shtese të financimit prej 56.8 milion USD praktikisht kosto për Lotin 1 dhe Lotin 2 janë rritu në krahasimisht me kontratën bazë me 45%, një vlerë tepër e lartë krahasimisht me marrëveshjen fillestare nga 125 milion dollar në 181.8 milion USD vetëm për Lotin 1 dhe 2.
Vecc lotit 1 dhe 2, abuzimi më I madh në këtë aks rrugor duket se është regjistruar në Lotin 3. Ndërsa veprat e mëdha kishin përfunduar në lotin 1 dhe 2, si tunele e ura të larta, në Lotin 3 kishin mbetur për tu ndërtuar vetëm 9. 6 km nga 43 km që ishte e gjithë gjatësia e këtij aksi. E duket se ky lot, kishte mbetur në dorë të Belinda Ballukut, për tu rishikuar dhe financuar, në një kohë që projekti fillestar parashikonte ndërtimin e tij me 33 milionë euro. Por sot, ky segment, i cili është edhe më problematiku i gjithë gjatësisë së rrugës, ku janë edhe shembjet më të mëdha, u kushtoi shqiptarëve 75 milionë euro, pra më shumë se dyfishi i kostos së projektimit fillestar. Për shkak edhe të konsiderimit si loti më i lehtë, ai pritej të përfundonte në vitin 2018, shumë më para se përfundimi i dy loteve të tjera, që kishin punë më të mëdha me tunelet e urat. Pas një korrespodence të zvarritur në disa vite për rishikimin e kostove, qeveria shqiptare vendosi për shtimin e financimit me të paktën 25 milionë euro.
Në 10 shtator 2019, Me shkresë, nga Fondi Saudit për Zhvillim drejtuar Ministrit të Financave dhe Ekonomisë për projektin e Ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës, Loti nr.3, sqarohet se referuar takimit midis Kryeministrit Shqiptar dhe Presidentit të Fondit Saudit të Zhvillimit ku shpjegohet se akoma nuk është marrë një përgjigje nga Qeveria Shqiptare nëse do të ketë një shprehje interesi zyrtar drejtuar Fondit Saudit për Zhvillim mbi financimin shtesë për projektin e Ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës, Loti nr.3. Pra, është e qartë se qeveria shqiptare ka zvarritur shtyrjen përpara të projektit duke mos marrë veprime për sigurimin e financimit.
Mbetet e paqartë, pse është zvarritur gjetja e financimit për dy vjet nga qeveria shqiptare, por të dhëna interesante zbulohen po nga raporti i KLSH. Sipas raportit, në 19 dhjetor 2019, pra gati një vit pasi Belinda Balluku ishte bërë ministre e infrastrukturës, i drejton një shkresë Ministrisë së Financave duke i kërkuar plotësimin e financimit për Lotin tre, ku vlera totale këtë herë nuk është më 25 milionë euro, por plotë 49 milionë euro.
Në muajt qershor dhe dhjetor, Ministria e Financave, i dërgon dy kërkesa për shtim kredie Fondit Saudit, me vlerë totale 49 milionë euro. Me Vendimin nr. 53, datë 26.01.2022, është miratuar në parim Marrëveshja e Huas nga Këshilli i Ministrave ndërsa në kuvend është miratuar shtesa e kredisë në 22 dhjetor 2022.
Sipas KLSH, Me miratimin në parlament të kësaj shtese të financimit prej 49 milion USD praktikisht kosto për Lotin 3 janë rritur në krahasimisht me kontratën bazë me 48%, një vlerë tepër e lartë krahasimisht me marrëveshjen fillestare nga 50 milion dollar në 74 milion USD vetëm për Lotin 3.
Për ta bërë më të qartë, këto të dhëna konfirmojnë se kostot e përfundimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë u rritën me 105 milionë euro, pasi në Ministrinë e Infrastrukturës hyri Belinda Balluku. Madje, kostot u rritën me 50 milionë euro më shumë, pasi ministre u emërua Belinda Balluku, në raport me kostot e përllogaritura nga audituesi i pavarur për Lotin 1 dhe 2, dhe kostot e përllogaritura nga supervizori për Lotin 3.
Një nga shkaqet e fryrjes së kostove ishte edhe ajo për mbikqyrjen e punimeve. Në kontratat fillestare, vlera totale e mbikqyrjes së punimeve ishte parashikuar në Në total për komponentin “Shërbime konsulence” në marrëveshjet e financimit është parashikuar- vlera 5.23 milionë USD ku janë lidhur kontratat fillestare në vlerën 5.29 milionë USD me amendime ka arritur në vlerën 11.06 milionë USD. Pra, më shumë se 6 milionë euro, pa llogaritur këtu dhe TVSH-n që ka paguar qeveria shqiptare, ka pasur vetëm mbikqyrja e punimeve.
Deri më tani, treguam se ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, u ka kushtuar shqiptarëve më shumë se 316 milionë euro. 181 milionë euro i financoi Banka Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e Lotit 1 dhe 2, dhe 75 milionë euro i financoi Fondi Saudit për Zhvillim, për ndërtimin e Lotit 3. Ndërkohë, shteti shqiptar, ka paguar edhe të paktën 57 milionë euro të tjera, ku 47 nga këto janë fatura TVSH-je ndërsa 10 milionë euro janë taksa dhe tarifa për kompanitë kontraktore.
Kostot e projektit u dyfishuan nënpretendimin se projekti fillestar ishte i gabuar, kjo nuk u vërtetua kurrë, pasi qeveria nuk kontraktoi eskpertë apo një studio të pavarur për të audituar dhe rishikuar projektin. Këto ndryshime iu lanë në dorë nënkontraktorëve, të cilat ARRSH i miratoi pa mdëshyje.
Ndërsa ju faktuam se si u frynë kostot me bekim të qeverisë, në vijim do të ndalemi tek paratë, se si u përcaktuan tenderat, e se si kompani ndërkombëtare u spostuan pasi kostot u frynë, e këto para do ët përfundonin në xhepat e kompanive të lidhura me eksponentë të qeverisë dhe Partisë Socialiste.
Për ndërtimin e Lotit 3, me gjatësi 9.6 km, fillimisht u përzgjodh kompania nga Arabia Saudite, Rauafed AL-Torok, e cila themeloi degën në Shqipëri Raëafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperisë.
Dega në Shqipëri u themelua në datën 15 tetor 2015, vetëm pak javë pasi sipas të dhënave të KLSH, ishte nënshkruar kontrata për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Emisioni Plug lexoi dokumenta të kësaj kompanie, që zbardhin gjithashtu edhe të dhëna të rëndësishme që tregojnë se si u përfshinë sipërmarrës shqiptarë në projektin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Sipas një kontrate noteriale, që mban datën 11 tetor 2015, Shoqëria Rauafed AL-Torok me qendër në Riad, Arabia Saudite, vendos të themelojë degën në Shqipëri e cila do të quhet Raëafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese – Dega e Shqipërisë”.
Pas hapjes së degës në Shqipëri, kompania shprehet se mund të kryejmë ndërtimin e SEGMENTIT RRUGOR “QUKËS-QAFË PLLOCË, Seksioni Nr. 3 Km 33 + 800 deri në Km 43 +310, të hapë një llogari në banka të ndryshme dhe të marrë pjesë në të gjitha investimentet e mundshme për kompani të huaja.
Raëafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese ka emëruar Z. Almassad Saleh Abdulaziz si përfaqësues ligjor të Degën së Shqipëri. Ndërsa në vijim, theksohet se përfaqësuesi i autorizuar për të themeluar degën në Shqipëri është pikërisht shtetasi Artan Sako, pronari i kompanisë 2T shpk.
Jo vetëm kaq, por edhe pse nuk ishte zyrtarisht Administrator i kompanisë, Artan Sako merr në dorë pushtetin absolute të shoqërisë Arabe, e cila do të ndërtonte lotin e tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Sipas një prokure të posaçme, që mban datën 4 tetor 2015, Artan Sako emërohet përfaqësues i përgjithshëm i kompanisë AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperisë për një periudhë të pacaktuar, ndërsa kisthe kompenteca si më poshtë:
PROKURA PËR ARTAN SAKON
Të paraqitet në cdo institucion të Republikës së Shqipërisë për të marrë informacion për kompanitë të cilat unë i administroj, kam themeluar dhe regjistruar në Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe Kompanitë tregtare dhe sipërmarrjes nën emrin “Raëafed AL-Torok Sipërmarrje Kontraktuese”. Të kryejë cdo procedure në QKR në kuadër të regjistrimit të kompanive të reja, paraqitjen e dokumenteve ku pjesëmarrësi (si person juridik apo fizik) është një nga kompanitë e përmendura më lart ose unë personalisht. Kjo prokurë specifike është e vlefshme për një periudhë të pacaktuar kohe deri në revokimin e saj nga Alarifi Saud Adbulaziz S. Të gjithë veprimet e kryera nga përfaqësuesi i përmendur më lart, sipas prokurës, i konsideroj të drejta dhe të mirëqëna sikur të ishin kryer nga unë vetë. Kjo prokurë iu lexua përfaqësuesit me zë të lartë, ky i fundit deklaroi se deklarat e mësipërme janë sipas vullnetit të tij të shprehur dhe nënshkroi pas asnjë pretendim.
Thënë ndryshe, Artan Sako ishte defakto, pronari i degës së kompanisë Arabe në Shqipëri, që do të kontrollonte gjithçka në ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Kompania Rauafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese – Dega e Shqipërisë, deklaron rreth 28 milionë euro faturime për vitet 2016-2018, periudhë në të cilën ajo kryente punimet për ndërtimin e Lotit 3 të Qukës-Qafë Plloçë. Sipas KLSH punimet për ndërtimin e rrugës Qukës –Qafë Plloçë kanë nisur në janar 2016, ndërsa kompania arabe ka hapur adresën dytësore në fshatin Qukës, në datën 3 mars 2016. Në datën 7 mars, pra katër ditë më pas, edhe kompania 2T e Artan Sakos regjistron adresë në aksion rrugor Qukës-Qafë Plloçë. Sipas të dhënave, shoqëria “2T” shpk me administrator Artan Sako, kërkon të pajisjet me nipt sekondar për objektin: Ndërtim i Rrugës Qukës Qafë Plloçë km 33+800 – km 43 + 310, pra Loti 3 prej 9.6 km i rrugës Qukës Qafë Pllocë. Kompania 2T duket se ka qenë subjekti i vetëm kontraktor që ka punuar në terren në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, në Lotin 3, duke kryer të gjitha punimet civile.
Kjo vërtetohet nga fakti, pasi në datën 6 shkurt 2017, kompania 2T pajisjet me Leje perdorimi per lende plasese” ne funksion te punimeve per ndertimin e rruges Qukes – Qaf-Plloce, Segmenti 3, Pogradec, Korçe.”. Adresa në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë mbahet e hapur deri në datën 23 mars 2022, ditë kur në të cilën Belinda Balluku i jep Artan Sakos tenderin për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, Lotin 7, i cili është aktualisht nën hetim nga SPAK.
Në vitin 2022, Artan Sako rifutet përsëri në lojë, por këtë herë jo i fsheur si përfaqësues i kompanisë arabe, por bëhet ortak me shumicën e aksioneve në një filial të ri të krijuar nga e njëjta kompani arabe. Sipas kushteve të kontratës së huasë mes Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Saudit, autoritetet tona pasi të merrnin paratë do të duhet të kontraktonin një kompani Arabe për të kryer punime. Pra thënë ndryshe, Njësia e Menaxhimit të Projektit për Lotin 3 të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, do të rishpallte tenderin, por ky tender do t`i jepej një kompanie arabe së bashku me tenderin për supervizimin e projektit. Kjo është përcaktuar në Seksionin 3.03 dhe 3.04 të kontratës së huasë.
KONTRATA
Huamarrësi do të marrë masa që Agjencia Ekzekutuese të punësojë konsulentë sauditë të kualifikuar dhe me përvojë, të pranueshëm për Fondin, me qëllim që të asistojnë në tenderimin e Projektit dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të Projektit. Huamarrësi do të marrë masa që Agjencia Ekzekutuese të punësojë kontraktues, furnizues kompetentë dhe të kualifikuar sauditë dhe të përdorë produkte të tilla në realizimin e Projektit, të pranueshme për Fondin në bazë të termave dhe kushteve të kënaqshëm për Fondin.
Dhe për të zhvatur paratë e kredisë së re prej 50 mln dollarësh për përfundimin e 9.6 km rrugë të aksit Qukës-Qafë Plloçë, duket se Belinda Balluku dhe Artan Sako kishin menduar edhe planin për të shmangur kushtet e kontratës.
Për këtë arsye, në 12 qershor 2022, gjashtë muaj përpara se kontrata të miratohej, por disa muaj pasi ishte marrë aprovimi në parim nga Fondi Saudit, krijon kompaninë RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI. Edhe kjo shoqëri krijohet si filial i kompanisë RAËAFED AL-TOROK CONTRACTING CO, e cila krijoi në vitin 2015 kompaninë Rauafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperise për të ndërtuar pikërisht lotin e tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, me vlerë financimi 25 milionë dollar sipas huasë së marrë në vitin 2014.
Ndërkohë, kompania RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI, u themelua me bashkëaksioner shoqërinë 2T të Artan Sakos, i cili mori 53 % të aksioneve ndërsa 47% të aksioneve iu lanë kompanisë Arabe RAuAFED AL-TOROK CONTRACTING CO, ndërsa vlera e kapitalit në këtë shoqëri ishte vetëm 10 mijë lekë të rinj apo 100 mijë lekë të vjetër.
Pasi tenderi u sigurua dhe tashmë do të duhej vetëm thithja e 50 milionë eurove për punimet, në mënyrë të palogjikshme sipërmarrësit arabë vendosin të largohen, e gjithçka mbetet në dorë të Artan Sakos.. Në datën 16 nëntor 2023, kompania 2T e Artan Sakos, vendos të blejë 47% të aksioneve të shoqërisë RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI që ishin në pronësi të kompanisë Arabe RAUAFED AL-TOROK CONTRACTING CO. Vlera e shitjes së aksioneve, ishte për shumën qesharake të vetëm 4700 lekëve, ndërsa Artan Sako bëhet pronar i kompanisë me emër Arabe, që siç e thamë më sipër ishte e domosdoshme që Fondi Saudit të lëvronte financimin për përfundimin e segmentit 9.6 km që nisi të ndërtohej në janar të vitit 2016. Ajo që bie në sy, është fakti se shoqëria RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI që u kontraktua për të përfunduar punimet në këtë segment, nuk hapi kurrë adresë dytësore në kantierin Qukës-Qafë Plloçë.
Një tjetër fakt, që konfirmon se kompania Arabe u përdor nga Belinda Balluku vetëm për të plotësuar kriterin e marrjes së kredis nga Fondi Saudit për Zhvillim, është edhe hapja e adresë së re nga kompania 2T në rrugën Qukës Qafë Plloçë. Vetëm pak ditë pasi blen aksionet e kompanisë RAUAFED AL-TOROK SHQIPERI, në 14 dhjetor 2023, në 20 dhjetor 2023 regjistron edhe adresën Korce; POGRADEC; Pogradec; POGRADEC; Ndertimi i rruges Qukes -Qafe plloce, Km.33+800 – Km.43+310, fshati Geshtenjas, Bashkia Pogradec. Për vitin 2023, Rauafed Al-TOROK Shqipëri, deklaron vetëm një punonjës dhe të ardhura totale 44 mijë euro.
Për vitin 2024, pasi nis puna në Lotin 3 të Qukës-Qafë Plloçë, kompania deklaron 1.6 miliardë lekë faturime apo rreth 16 milionë euro. Edhe numri punonjësve vijon të jetë jo më shumë se dy punonjës. Kjo e dhënë dëshmon gjithashtu se arabët u përdorën veç për ploësimin e kriterit për të mashtruar Fondin Saudit për Zhvillim dhe se në të vërtet pas kompanisë që do të ndërtonte këtë aks ishte Artan Sako, që me firmë të Belinda Ballukut do të merrte 50 milionë euro shtesë sipas rishikimit të projektit.
Kjo dëshmohet nga fakti, se kompania kishte nënkontraktim nga palë të treta në vlerën e 15 milionë eurove për vitin 2024. Ndërkohë për vitin 2025 kompania nuk ka dorëzuar ende bilance në QKB.
Pra këto të dhëna, ngrejnë gjithshtu dyshime, se për rreth një vit e gjysëm pasi ishte nënshkruar marrëveshja e rifinancimit dhe pasi ishin kryer procedurat e ritenderimit për Lotin 3 të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, në terren nuk është kryer asnjë punim, ndërsa ato kanë rifilluar vetëm pasi Artan Sako kopsiti letrat për të larguar arabët nga ndarja e 50 milionë eurove.
Por të dhënat e QKB tregojnë se deri në 4 janar 2024 ka vepruar në terren filiali Rauafed AL-Torok Ndërmarrje Kontraktuese-Dega e Shqiperise i themeluar në vitin 2015, kur përfitoi tenderin e parë. Pra, deri këtu kuptohet qartë se dy filialet e kompanive Arabe u përdorën nga qeveria shqiptare për të futur në tenderin 75 milionë eurosh pikërisht Artan Sakon, i cili në huanë e parë u shfaq si përfaqësues zyrtar i kompanisë arabe, ndërsa pasi në krye të ministrisë së infrastrukturës erdhi Belinda Balluku, Artan Sako mori në dorë 50 milionë euro për të përfunduar punimet e rrugës qukës Qafë Plloçë.
Në total, vetëm Loti 3 prej 9.6 km I Qukës -Qafë Plloçë, I ndërtuar nga kompania 2T, e Artan Sakos, kushtoi mbi 87 milionë euro, apo thënë ndryshe, kostoja totale e këtij segmenti është e barabartë me koston totale të të gjithë rrugë së re Korçë-Ersekë, e cila gjithashtu u shemb.
Është e qartë, se Artan Sako, kompania e të cilit ka përfituar mbi 110 milionë euro tendera publik, i denoncuar më herët nga emisioni inestigativ Plug për parqet fovoltaike të dhëna nga Belinda Balluku dhe i marrë nën hetim nga spak për lotin 7 të unazës së madhe të Tiranës, gjithashtu vepër e Belinda Ballukut, ndërtoi 9 km rrugë të Qukës Qafë Plloçë, të cilat u shembën ende pa u inaugruar mirë.
Tashmë i mbetet SPAK të hetojë se nëse 87 milionë euro për ndërtimin e 9 km rrugë, u përdorën siç duhet, apo Artan Sako dhe Belinda Balluku përdorën preteksine rishikimit të projektit, për të zhvatur fondet e ndërtimit të kësaj rruge.
Por ende pa u marrë në dorëzim rruga, pra vetëm pak ditë nga inaugurimi zyrtar, në 26 shtator 2025, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpall një tjetër tender, me objekt Mirëmbajtje me performancë e segementit rrugor Qukës-Qafë Plloçë. Fondi limit i këtij tenderi ishte rreth 318 mijë euro.
Fituesi i tenderit u shpall në datën 1 dhjetor, pak ditë pasi Belinda Balluku ishte marrë e pandehur nga SPAK për abuzimin te tenderit të Tunelit të Llogarasë. Çuditërisht fitues i këtij tenderi për mirëmbajtjen e rrugës shpallet pikërisht ndërtuesi i Lotit 3, të Qukës – Qafë Plloçë, kompania 2T e Garmos Sakos.
Ajo që ngre dyshime në këtë tender, është fakti se ai u shpall fill pasi rruga u inaugurua dhe ende nuk ishte marrë në dorëzim nga ARRSH. Praktikisht, rruga do të duhej të ishte nën garanci nga kontraktori, ndaj ngrihen pikëpyetje pse Belinda Balluku vendosi të hap dhe më pas t`i japë një tjetër tender kompanisë 2T, kur kjo e fundit do të duhet të garantonte sigurinë e rrugës për të paktën një vit pas inaugurimit zyrtar?
Por, shembjet që ndodhën vetëm pak ditë pas inaugurimit të rrugës, ndoshta shpjegojnë edhe arsyet pse Balluku vendosi t`i japë me nxitim Artan Sakos edhe 300 mijë euro shtesë për mirëmbajtjen e rrugës.
Gjithashtu ky tender është i dyshimtë për paracaktim, pasi të dhënat tregojnë se ARRSH përzgjodhi si fitues kompaninë 2T të Gramos Sakos me ofertën më të shtrenjtë, duke skualifikuar nga gara katër operatorë të tjerë, të cilët ofruan deri në 80 mijë euro më pak për mirëmbajtjen e kësaj rruge. Madje, ajo që bie në sy, është fakti se të gjithë operatorët e tjerë ekonomik janë vlerësuar me ZERO pikë, ndërsa 2T është vlersuar me 285 pikë. Ndaj edhe ky tender, që i shtohet kostos totale të rrugës, duhet të kalojë në duart e SPAK për të parë sesi ka ndodhur…
Pra, thënë më qartë: Qukës-Qafë Plloçë me gjatësi 43 km, u projektua nga një kompani ndërkombëtare dhe kosto e saj fillestare ishte 155 mln euro. Financimi dhe projekti u la gati nga qeveria paraardhëse, por Edi Rama vendosi ta niste ndërtimin e rrugës në vitin 2015-2016. Pak muaj pas nisjes së punës, Edi Rama njofton shqiptarët se projekti do rishikohet, puna ndalet, afatet zvarriten, kostoja rritet.
Rishikimi i projektit bëhet pas vitit 2019, kur në Ministrinë e Infrastrukturës shkel Belinda Balluku e kjo e fundit kërkon rifinancim të projektit të rishikuar, ku kostot rriten direkt me 105 milionë euro. Dhe ndryshimi i projektit, duket se motiv kryesor nuk kishte defektet e projektit fillestar, por zhvatjen e më shumë se 316 milionë eurove, ku gati një e treta e të gjithë fondit, u kanalizuan tek një nga kompanitë e preferuara të Belinda Ballukut, 2T e Artan Sakos.














