Përmbytje nga moti i keq janë regjistruar edhe në Prishtinë. Shiu i madh që filloi të bjerë të hënën natën ka detyruar kryeqytetin e Kosovës të anulojë mësimin e ditës së sotme.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë njoftoi përmes një postimi në rrjete sociale se mësimi është anuluar si masë parandaluese.
“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuar atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet”, tha Drejtoria e Arsimit.
Instituti Hidrometeorologji i Kosovës njoftoi ditën e djeshme se vendi do të përballet me reshje shiu në dy ditët në vijim, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë.
“Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete”, tha instituti, pa dhënë më shumë hollësi.














