Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka dalë nga ambjentet e SPAK, aty ku u paraqit mëngjesin e kësaj të marte.
Në dalje të Prokurorisë për gazetarët ai u shpreh se ishte në SPAK në cilësinë e kallëzuesit për aferën e ECO parkut në Durrës.
Sipas tij në kallëzimin e bërë tregohet se ECO Park është më keq se Tuneli i Llogarasë.
“Është një kallëzim që është bërë në mars 2024 dhe që është bashkuar me një procedim që ka nisur më herët nga SPAK. Isha thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi faktet. Unë jam një nga kallëzuesit është një grup deputetësh i PD. Për këtë çështje isha sot. Duke filluar nga kryeministri Rama kallëzimi është publik, ne kemi bërë konferencë. Është një çështje që kemi denoncuar në atë kohë, është aferë e pastër korruptive. Është kontraktuar për 19 mln euro që më pas një kompani e lidhur me atë të inceneratorëve e ka bërë për 6.5 mln euro. Pra janë vjedhur 12,5 mln euro të shqiptarëve. Mbi bazën e ati kallëzimi dhe sot isha në këtë cilësi”.
I pyetur nëse kanë përfunduar hetimet për këtë çështje, Bylykbashi i qëndroi deklaratës së kreut të SPAK.
“I referohem Dumanit, që është në përfundim hetimi dhe dua të respektoj sekretin e hetimeve. Kallëzimi është i deputetëve të PD dhe prek direkt zonën zgjedhore Durrës dhe kam pasur interes”.














