Në qendër të qytetit të Sarandës, përballë hotelit historik “Butrinti”, në zonën e ish-plazhit publik, del në pah një rast i rëndë i përvetësimit të pronës publike përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas denoncimit të ardhur në redaksinë e emisionit “Stop”, kjo pronë është marrë nëpërmjet falsifikimit të Planit Urbanistik të vitit 2000 të Bashkisë Sarandë. “Stop” ka siguruar planin origjinal, ku zona figuron qartë si plazh publik i Hotel Butrintit, pra tokë-shtet.
Në vitin 2025, në Prokurorinë e Sarandës u depozitua një kallëzim penal për një ndërtim pa leje, pikërisht në këtë pronë të përvetësuar me dokumente të rreme. Në terren rezulton një soletë betoni, rreth 2 metra e gjerë dhe 6–7 metra e gjatë, ndërtuar në mes të qytetit.
Edhe pse ndërtimi ishte në sy të të gjithëve, as Policia, as IMT, asnjë institucion nuk ndërhyri. Pavarësisht, se IMT Sarandë e ka të konfirmuar shkeljen dhe ka një vendim për prishjen e objektit pa leje, ky vendim nuk është zbatuar prej muajsh.
Drejtori i IMT-së, Eduard Veliu, u justifikua, duke thënë se “janë të ngarkuar” dhe se “nuk ka një datë” për zbatimin e vendimit të prishjes. Ndërkohë, sipas informacioneve, në Prokurorinë e Sarandës po përgatitet pushimi i çështjes.
“Unë jam në dijeni të rastit që është bërë një procedurë atje para disa muajsh. E para ka qenë koha e sezonit, që ne nuk bënim dot ndërhyrje. Pas sezonit, me urdhër te qeverisë kemi filluar me këto hapësirat publike edhe me këto s’po i mbarojmë dot. Ne kemi shumë raste të tjera për të prishur, do shikojmë tani o vëlla. Nuk ta them dot se të dal nga fjala…”, tha drejtori i IMT-së, Eduard Veliu.
Elementi, që po përdoret si justifikim është një akt-ekspertimi i bërë nga dy ekspertë privatë, të cilët e kanë cilësuar soletën prej betoni, si “mbulim për depozita uji”./tvklan.al














