Një 25-vjeçar italian, marinar i tragetit Durrës-ANkona është arrestuar nga Policia pasi akuzohet për transport të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë, i riu u kap në ambientet e terminalit të pasagjerëve të Portit Durrës, duke tentuar të kalonte një pako me lëndë narkotike në formë boçeje, të dyshuar kanabis.
Ai është arrestuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Next”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Stacionit të Policisë Kufitare të Portit Durrës. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi italian S. M., 25 vjeç, i punësuar si marinar në linjën Durrës – Ankona
Ai u kap në ambientet e terminalit të pasagjerëve të Portit Durrës, në dalje të Republikës së Shqipërisë, duke tentuar të kalonte një pako me lëndë narkotike në formë boçeje, të dyshuar kanabis. Kontrolli ndaj tij u krye pas informacionit të siguruar nga rrugë operative. Lënda narkotike u sekuestrua si provë materiale dhe materiali procedurial do t’i kalojë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.














