Shpërthimi me tritol i regjistruar një ditë më parë në zonën e “Nënë Terezës” në Kamëz vijon të jetë në sitën e hetimeve teksa detaje të reja kanë dalë në dritë.
Ditën e sotme u raportua se lidhur me ngjarjen janë arrestuar 3 nga autorët e rastit, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.
Konkretisht është arrestuar: Jeton Lami 31 vjeç (ish-efektiv i operacionales), Florin Domi, 30 vjeç dhe Flogert Mezhika, 34 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Elvis Lami.

Dinamika e ngjarjes
Lokali “Perla e Detit” në Kamëz të cilit ju vendos tritol ishte marrë me qira nga dy kunetër, konkretisht Klodjan Murati dhe Benard Elezi, por ndërkohë lokali ishte në pronësi të shtetasit Saimir Sinës, i cili jeton në Itali.
Sipas burimeve, autorët dhe dy kunetërit që kishin marrë lokalin me qira kanë qenë pjesë e të njëjtit grup gjobvënësish, por pas konflikteve janë ndarë.
Të njëjtat burime sqarojnë se tre të arrestuarit i kishin vendosur gjobë 500 mijë euro pronarit të lokalit, Saimir Sina.
Arsyeja ka qenë pasi ata i kërkonin që lokalin të mos ua linte me qira dy kunetërve Klodjan Muratit dhe Benard Elezit dhe për këtë arsye e kishin paralajmëruar se nëse nuk largonte ata nga lokali do të duhet tu jepte atyre gjobën prej 500 mijë eurosh.
Ky i fundit ka refuzuar ta paguajë gjobën dhe për këtë arsye ndaj tij është vendosur një sasi tritoli e ka cila ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Elvis Lami dhe Jeton Lami, emra të dëgjuar për policinë
Jeton Lami, një nga personat e arrestuar për tritolin në Kamëz është ish-oficer i operacionales. Ai është arrestuar më herët për shpërdorim detyre pasi akuzohej se shoqëronte Ervis Martinajn para se ai të zhduket.
Elvis Lami i cili është shpallur në kërkim është gjithashtu një emër i dëgjuar për policinë. Raportohet se Lami, përpara këtij krimi ka qenë person i kërkuar nga drejtësia pasi dyshohet për vrasjen e postierit Lulëzim Visha. Gjithashtua ai akuzohet se ka organizuar arratisjen nga burgu të Admir Tafilit.
Çfarë thotë Policia për rastin
Zbardhet dhe dokumentohet, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse.
Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 3 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit:
-J. L., 31 vjeç, F. D., 30 vjeç, F. M., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.














