Në faqen “kalajalekursit.sarande” në rrjetin social Instagram, lokali promovon ngjarje, darka panoramike dhe shërbime për turistët në Kalanë e Lëkurësit në Sarandë, një nga monumentet më të piktoreske në jug të vendit.
Por ndonëse të paktën 6 biznese private ushtrojnë prej vitesh aktivitet në hapësira publike me status monument kulture, institucionet shtetërore nuk japin asnjë informacion mbi kontratat me të cilat këto biznese funksionojnë, apo mbi tarifat që subjektet paguajnë për përdorimin e këtyre hapësirave të rëndësishme kombëtare.
“Sqarojmë se Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk ka nënshkruar asnjë kontratë, memorandum apo dokument tjetër të ngjashëm për ushtrimin e aktivitetit tregtar brenda monumenteve të kulturës”, u shpreh institucioni, i cili që prej 11 shtatorit 2025, me krijimin e kabinetit të ri qeveritar, mban emërtimin Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit.
Duke u bazuar në fakte publike, ku brenda kalave dhe parqeve arkeologjike funksionojnë bare, restorante apo biznese të tjera private, Media Amfora i kërkoi zyrtarisht Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit të dhëna për mënyrën e ushtrimit të këtyre aktiviteteve.
Kërkesa përfshinte gjashtë raste konkrete: Kalanë e Lëkurësit, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Prezës, Kalanë e Rozafës, Parkun Arkeologjik Apolonia dhe Parkun Kombëtar Butrint – ku prej vitesh operojnë subjekte private që ofrojnë shërbime për vizitorët.

Media Amfora kërkoi që ministria të bëjë publike kontratat, memorandumet apo marrëveshjet e nënshkruara me këto biznese, kostot mujore dhe vjetore të përdorimit të hapësirave publike, identitetin e subjekteve përkatëse dhe çdo ndërhyrje restauruese apo mirëmbajtëse të kryer në ambientet e monumenteve, duke përfshirë edhe miratimet nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Në lidhje me pyetjet për kontratat, memorandumet, marrëveshjet dhe tarifat ministria u përgjigj duke i’u referuar vetëm kuadrit ligjor ekzistues dhe pa ofruar detaje shtesë.
“Tarifat për dhënien në përdorim të pasurive kulturore përcaktohen sipas VKM Nr. 857, datë 24.12.2019, ‘Për përcaktimin e procedurave dhe të kritereve të konkurrimit, formën dhe kohëzgjatjen e kontratës dhe metodologjinë e caktimit të tarifave për dhënien në përdorim të pasurive kulturore publike’, u shpreh ministria.
Institucioni sqaroi gjithashtu se, “në faqen zyrtare të ministrisë është bërë njoftimi në lidhje me hapjen e procedurës së konkurrimit. Subjektet e interesuara janë ftuar të paraqesin dokumentacionin përkatës pranë protokollit të ministrisë ose në adresën elektronike [email protected], brenda datës 21.08.2025. Në website do të shpallet dhe lista e fituesve”, shtoi ministria.
Por, nga verifikimi i kryer nga Media Amfora në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit, nuk u gjet asnjë informacion publik që lidhet për procedurat e konkurrimit apo me listat e fituesve të përmendura në përgjigjen e institucionit – ndërsa një pjesë e aktiviteteve tregtare në kalatë e vendit janë vendosur aty dekada më parë.
Në seksionet “Transparencë” dhe “Njoftime”, nuk është publikuar asnjë dokument apo të dhëna që lidhet me tarifat, kontratat apo subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar brenda monumenteve të kulturës.
Ky verifikim tregon se, ndonëse ministria pretendon hapje dhe publikim online të të dhënave, në praktikë informacioni mungon plotësisht, duke thelluar mungesën e transparencës në administrimin e pasurive kulturore. Megjithëse ministria i referohet një vendimi ekzistues të Këshillit të Ministrave, ajo nuk jep asnjë të dhënë konkrete për kostot që paguajnë subjektet, as ndonjë listë fituesish të procedurave të zhvilluara deri më tani.
Një tjetër rast i ushtrimit të aktivitetit privat është ai në Kalanë e Petrelës, monument kulture i Kategorisë së Parë, vetëm pak kilometra larg Tiranës. Në këtë kala, prej vitesh funksionon një restorant dhe bar panoramik, që ofron shërbime për turistët dhe përdor ambientet e brendshme e të jashtme të monumentit për evente dhe organizime private. Në rrjetet sociale dhe faqet turistike online, biznesi promovon menutë dhe ngjarjet që zhvillohen “në zemër të historisë”, duke e përdorur kalanë si hapësirë tregtare me qira.
Megjithatë, Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, në përgjigje të kërkesës së Media Amfora nuk ka dhënë asnjë informacion mbi kontratat përkatëse apo kostot që paguajnë subjekte të tilla.
Në dokumentet e dërguara, institucioni përsërit të njëjtin argument si në rastin e Kalanë së Lëkurësit- se nuk ekziston asnjë kontratë apo memorandum i nënshkruar për ushtrimin e aktiviteteve tregtare brenda monumenteve të kulturës.
Edhe pse aktivitetet private në kalave kryesore të vendit ushtrohen prej vitesh, ministria pranon se në pesë vitet e fundit nuk janë lidhur kontrata të reja me subjektet që përdorin këto hapësira publike.
“Në pesë vitet e fundit ka pasur kërkesa për marrjen me qira me objekt Kalanë e Rozafës, Shkodër, dhe Kalanë e Lëkurësit, Sarandë”, tha ministria në përgjigjen e saj.
Ky fakt tregon se aktivitetet tregtare vazhdojnë të zhvillohen pa një bazë të përditësuar nga viti në vit, ndërkohë që vetë institucioni nuk ka kryer asnjë proces transparence apo ri-kontraktimi për përdorimin e pasurive kulturore.

Edhe pse ministria nuk bën transparencë për numrin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet privat në kalatë dhe parqet arkeologjike të vendit, apo për mënyrën se si zhvillohet ky aktivitet, ajo thekson se përdorimi i pasurive kulturore nga subjekte private nuk pengon kërkimin shkencor në këto monumente.
“..dhënia në përdorim e pasurive kulturore nuk pengon kërkimin shkencor. Propozimet përkatëse janë objekt shqyrtimi dhe vendimmarrjeje e institucioneve përkatëse”, thuhet në përgjigjen zyrtare të ministrisë.
Institucioni më i rëndësishëm i kulturës në vend nuk sqaron mënyrën se si monitorohet konkretisht përdorimi tregtar i hapësirave brenda monumenteve të kulturës, cilat janë procedurat e kontrollit, apo nëse është kryer ndonjëherë ndonjë vlerësim i mirëmbajtjes së këtyre monumenteve gjatë ushtrimit të aktiviteteve private.
Në mungesë të të dhënave publike, mbetet e paqartë nëse përdorimi ekonomik i pasurive kulturore po shkon paralelisht me ruajtjen e vlerave shkencore dhe historike të tyre. Kjo mungesë transparence ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si menaxhohen disa nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare./ Erjola Azizolli, Amfora.al














