Gjykata e Posaçme shtyu për më 27 nëntor seancën gjyqësore për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, në gjykimin ndaj tij për çështjen e “Sterilizimit”.
Beqaj ishte i pranishëm në sallë, por dy avokatët e tij mbrojtës kishin lajmëruar gjykatën se ndodheshin në gjykime të tjera.
Mungesa e avokatëve u bë shkak për ndërprerjen e seancës, por edhe për mosleximim e një deklarimi nga ish-ministri, që tha se bëhej fjalë në të për tre ngjarje të ndodhura javën e shkuar.
Ilir Beqaj akuzohet se ka kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën publike të titullarit të minstrisë.
Akuzat e SPAK
SPAK e akuzon Ilir Beqaj për shpërdorim detyre për lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.
Ish-ministri i Shëndetësisë do të hetohet për “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim” në procedurat e koncesionit nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë”. Ndërsa u vendos në pranga lidhur me abuzimet në SASPAC, gjatë kohës që ai ishte në krye të saj.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bën me dije se ishministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.
Krahas masës së sigurisë, ndaj ish-ministrit është caktuar dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Sipas SPAK, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duhet të anulonte kontratën koncesionare të sterilizimit, pasi kompania fituese dha një ofertë më të lartë se sa vlera e përcaktuar nga autoriteti kontraktor.
Ai nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, çka do të ishte më e favorshme ekonomikisht, por kaloi direkt të procedura e dhënies me koncesion të shërbimit për sterilizimin e pajisjeve mjekësore. Nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish- zv.ministrit Klodian Rjepaj, si dhe kreu veprime që favorizuan kompaninë fituese.
Në dosjen penale ndër të tjera arsyetohet se Ilir Beqaj, ndonëse ishte në dijeni të qendrës moderne të sterilizimit, të ngritur në QSUT, nuk mori asnjë masë për vënien e saj në funksion. Ai nuk bëri asnjë studim paraprak, për të vlerësuar nëse vënia në funksion e qendrës së sterilizimit do të ishte më e favorshme ekonomikisht.
Gjithasut analizohen edhe udhëtimet që Ilir Beqaj ka bërë me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të kontratës koncesionare dhe që aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën çështje.














