BBC i ka kërkuar falje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi një episod i programit Panorama rezultoi të kishte montuar pjesë nga një fjalim i tij duke ndryshuar kontekstin e deklaratave. Megjithatë, korporata ka hedhur poshtë kërkesën e Trump për kompensim financiar.
Sipas BBC-së, programi nuk do të transmetohet më, ndërsa avokatët e presidentit kanë paralajmëruar padi deri në 1 miliard dollarë nëse nuk bëhet tërheqja zyrtare, nuk kërkohet falje dhe nuk ofrohet dëmshpërblim.
Kërkesa për falje është intensifikuar pasi Daily Telegraph zbuloi edhe një klip të dytë të montuar në mënyrë të ngjashme, i cili ishte transmetuar në Newsnight në vitin 2022.
Një zëdhënës i BBC-së deklaroi se avokatët e korporatës i kanë kthyer përgjigje ekipit ligjor të Trump, ndërsa kryetari i BBC-së, Samir Shah, ka dërguar gjithashtu një letër personale Shtëpisë së Bardhë, ku i kërkon falje presidentit për mënyrën se si ishte redaktuar fjalimi i tij i 6 janarit 2021.
BBC ka konfirmuar se dokumentari “Një shans i dytë?”, që trajton figurën e Trump, nuk do të ritransmetohet në asnjë prej platformave të korporatës.
Megjithatë, institucioni britanik thekson se, pavarësisht gabimeve të montazhit, nuk sheh asnjë bazë ligjore për një padi për shpifje.













