Një prokuror turk ka kërkuar dënim rekord me mbi 2.000 vjet burg për kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili ndodhet në paraburgim që prej marsit, nën akuzat për korrupsion.
Imamoglu dhe partia e tij, Partia Republikane Popullore (CHP), i mohojnë akuzat, duke i cilësuar ato si pjesë e një fushate të motivuar politikisht nga qeveria.
Sipas aktakuzës së paraqitur nga Prokurori i Përgjithshëm i Stambollit, Imamoglu dhe 401 persona të tjerë akuzohen për përfshirje në një rrjet të gjerë korrupsioni, që dyshohet se i ka shkaktuar shtetit turk një dëm prej 160 miliardë lirash (rreth 3.8 miliardë dollarë) gjatë dhjetë viteve të fundit.
Prokurori Akın Gurlek deklaroi se hetimet kanë përfunduar dhe se është përgatitur një aktakuzë voluminoze prej 3.900 faqesh, e cila përshkruan 143 vepra të veçanta penale të lidhura me këtë rast.













