Një atentat me armë zjarri është shënuar tek rrethrrotullimi i Rinasit ku Gilmando Dani ka mbetur i vdekur (shoferi i makinës), ndërsa Muçi Shaljani (Sheqeri) ka mbetur i plagosur (pasagjeri).
I plagosuri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”- njofton policia.
Makina në pronësi të Elvis Kosovës
Persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri ndaj makinës ku ndodhej viktima dhe i plagosuri. Raportohet se është qëlluar në lëvizje në drejtim të automjetit tip “Mercedes Benz”, nga një makinë tip “Toyota” me targa greke, me ngjyrë gri, që është larguar në drejtim të Fushë Krujës.
Makina e blinduar me të cilën udhëtonte Gilmando Dani ishte në pronësi të Elvis Kosovës.

Policia dyshon për 3 autorë, të cilët e kanë ndjekur objektivin e tyre për rreth 3 kilometra.
Momentalisht, raportohet se një automjet është djegur në fshatin Halil të Krujës, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët në atentatin e Rinasit.
I kishte shpëtuar dy atentateve më parë, kush është Gilmando Dani
Viktima Gilmando Dani është pjesëtar i grupit kriminal të Emiliano Shullazit, krahu i tij i djathtë.
Viktima person me precedent penal kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu dhe se makina me të cilën ai qarkullonte ishte e blinduar.
Dani është kontrolluar shpesh për vepra penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëve të policisë në Durrës nga Dritan Dajti.
Në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit. Po kështu, më 23 prill 2011, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës.
Dani u ka shpëtuar më parë edhe dy atentateve, në vitet 2011 dhe 2015. Ai ka qenë i dënuar edhe për gjobvënie dhe u lirua pasi kreu 3/4 e dënimit.

PAMJE
Në videon e mëposhtme shihen forca të shumta policie që kanë rrethuar mjetin dhe efektivët që thyejnë me forcë xhamin e parë për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës dhe të plagosurin.














