Reshjet e 24 orëve të fundit kanë ndikuar në risjelljen e mbeturinave që janë depozituar në sipërfaqen e liqenit të Fierzës. Sasi mbeturinash janë shfaqur në breg dhe në sipërfaqen ujore të ujërave të liqenit duke e ndotur atë.
Kjo situatë tashmë është bërë e zakonshme dhe ndotja përsëritet çdo vit. Ndotja mund të shtohet në ditët në vijim, me derdhjen në këtë liqen të ujërave që do vijnë nga përrenjtë dhe lumenjtë e zonave, në të cilat banorët hedhin edhe mbeturinat urbane, duke qenë se mungojnë vendet ku grumbullohen mbeturinat dhe Landfilli.
Rrjetat metalike të vendosura së fundmi në grykëderdhjen e lumit Drin për të penguar ardhjen e mbeturinave nga Kosova drejt Shqipërisë nuk kanë ndikuar për frenimin e tyre ndërkohë që një anije e destinuar per pastrimin e mbetjeve në siperfaqet ujore qëndron prej muajsh në bregun e tharë të liqenit dhe ende nuk është vënë në funskion për pastrimin e mbeturinave të ardhura së fundmi në liqenin e Fierzës.
Pjesa me e madhe e mbeturinave vjen nga dy burimet kryesore qe furnizojne liqenin, Drini i Bardhe nga Kosova dhe Drini i Zi nga Maqedonia e veriut sa herë në këto dy vende ka reshje të dendundara shiu dhe vërshimeve.
Ndërkaq niveli i ujit në liqen për shkak të reshjeve të të fundit është shtuar ndjeshëm, me 800 metër kub ujë në sekondë.Aktualisht niveli i ujit është 270 metër ndërsa pika maksimale është 296 metër.














