Ish-deputetja dhe ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e ftuar në News24, ka komentuar situatën aktuale brenda Partisë së Lirisë (ish-LSI), duke shprehur kritika të forta ndaj drejtimit të saj.
Sipas Kryemadhit, keqinterpretimi i situatave të shumta ka sjellë shkatërrimin e strukturave të rinisë dhe, më gjerë, të vetë strukturës partiake.
“Keqinterpretimi i situatave të shumta shkatërroi strukturën e rinisë. S’ka strukturë partie, ka një tavolinë me katër fytyra që përveçse nuk mbledhin partinë, mendojnë se duke lexuar si deklarata për shtyp intervistat e Ilir Metës bëjnë politikë,” u shpreh ajo.
Kryemadhi theksoi gjithashtu se, ndonëse nuk ka më funksione drejtuese në parti, ajo vazhdon të kontribuojë rregullisht financiarisht.
“Unë paguaj kuotën e partisë muaj për muaj me bankë dhe jam e sigurt se asnjë prej deputetëve nuk e bën këtë,” deklaroi ish-deputetja.














