Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashki ka reaguar pas miratimit në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës të ligjit të shumëdiskutuar për Barazainë Gjinore.
Përmes një statusi në platformën sociale Facebook, Bykykbashi shkruan se vota pro e ligjvënësve socialistë për ‘Barazinë Gjinore’, hapi portën për ideologji që shkatërrojnë në themel familjen.
Bylykbashi shkruan se barazia mes burrit dhe gruas është themeli ku bazohet familja e tij, ndërsa këtë themel, shton ai, do ta mbrojë deri në fund.
Ligjvënësi demokrat pati dhe një përgjigje për kolegët socialistë, të cilët e bazojnë votën e tyre mbi vlerat që ofron vetë Bashkimi Evropian, duke u kujtuar atyre se shqiptarët duhet të kenë të drejtë të hyjnë në Europë me familje të shëndoshë dhe pa asnjë diskriminim.
‘Shqiptarët kanë të drejtë ta mbrojnë familjen në REFERENDUM, edhe pse ligji është bërë nga PS në vitin 2000 për të bllokuar referendumet. Rëndësi ka të dalë kush është shumicë NË MBROJTJE TË FAMILJES’, përmbyll thirrjen e tij numri dy i demokratëve.
Statusi
Barazia mes burrit dhe gruas është themeli ku bazohet familja ime. Këtë do ta mbroj deri në fund.
Jam krenar që, duke nisur nga viti 2008, kam qenë bashkautor i futjes së kuotës gjinore në zgjedhje, duke e ndryshuar përfaqësimin gjinor.
Refuzoj çdo lloj diskriminimi po aq sa refuzoj censurën e shprehjes së mendimit nëpërmjet censurës së lirisë së fjalës! Atdheu dhe Europa fillojnë te familja e gjithsecilit.
Por dje unë votova kundër një ligji, i cili nën petkun e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit të grave, hapi portën për ideologji që shkatërrojnë në themel familjen.
Kisha vite që përgatitesha për atë debat që nuk e lejuan ta bënim dhe atë votim kundër, sepse atë që PS bëri dje, tentuan ta fusnin që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, por atëherë e ndalëm.
Dje ishte shembulli se si një pakicë i hoqi të drejtën e fjalës shumicës së shqiptarëve për t’u përfaqësuar e zëri i tyre të dëgjohej në parlament.
Shqiptarët duhet të kenë të drejtë të hyjnë në Europë me familje të shëndoshë dhe pa asnjë diskriminim. Shqiptarët kanë të drejtë ta mbrojnë familjen në REFERENDUM, edhe pse ligji është bërë nga PS në vitin 2000 për të bllokuar referendumet. Rëndësi ka të dalë kush është shumicë NË MBROJTJE TË FAMILJES.











