Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë debatit në Kuvend ka reaguar ndaj akuzave të kreut të Taulant Ballës, i cili e akuzoi se ka sulmuar Ambasadorin e Bashkimit Europian.
Balla deklaroi se do t’i kërkojë Komisionit të Etikës të marrë masa ndaj ish-kryeministrit për deklaratat e tij.
Në përgjigje, Berisha e cilësoi akuzën si një trillim të pastër duke theksuar se në asnjë moment nuk ka fyer ndonjë ambasador të huaj. Ai u shpreh se ka respekt të thellë për diplomatët, por mbi të gjitha, dashurinë për vendin e tij.
“Hedh poshtë me përçmim trillimin e parafolësit sepse në fjalën time s’kam fyer asnjë ambasador të huaj,” tha Berisha. “I kam kërkuar zotërisë së tij t’u paraqesë shqiptarëve cila direktivë europiane bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë.”
Berisha shtoi se nuk ka njeri që respekton më shumë se ai ambasadorët, por theksoi se për të, Shqipëria është mbi gjithçka.
“S’ka njeri që respekton më shumë se unë ambasadorët, por më shumë dua vendin tim,” përfundoi ai.














