Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, po raporton sot në Kuvendin e Shqipërisë për gjetjet e auditimeve të vitit 2025, duke hedhur dritë mbi mangësitë e theksuara në menaxhimin e fondeve publike dhe zbatimin e kontratave shtetërore.
Sipas Shehut, janë audituar 205 subjekte, përfshirë 97 njësi qendrore dhe 75 njësi vendore. Rezultatet tregojnë se shkeljet më të shpeshta janë evidentuar në nivelin vendor, ku procedurat e prokurimit kanë qenë të mangëta dhe shpesh në kundërshtim me ligjin.
Këto parregullsi kanë ndikuar negativisht në transparencën dhe efikasitetin e përdorimit të fondeve publike.
“Janë evidentuar problematika në regjistrimin e pasurive si dhe në përgatitjen e dokumentacionit pronësor. Në paraqitjen e detyrimeve të papaguara janë konstatuar diferenca nëpërmjet shifrave të raportuara dhe gjendjes reale. Në të gjitha fazat e auditimit të menaxhimit buxhetor janë evidentuar mangësi në disiplinën financiare. Auditimet kanë nxjerrë mangësi në regjistrimin e urdhrave të auditimit.
Strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen teknike nuk kanë ushtruar detyrën e tyre. Sipas llojit, 45 auditime janë financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 të teknologjisë së informacionit, dhe 13 mbi zbatimin e rekomandimeve. Janë kryer në 205 subjekte, 97 njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore, 13 institucione të pavarua dhe 20 ende publikë.
Procedura e marrjes në dorëzim dhe klasifikimi i pronave publike vazhdojnë të përbëjnë rrezik për tjetërsimin e tyre dhe në detyrimet të papaguara dhe debitorë janë konstatuar diferenca mes shifrave të regjistruara dhe asaj reale dhe pasaktësi në llogaritjen e kamatvonesave. Në auditimet e përputhshmërisë dhe të kombinuara. Janë identifikuar shkelje të kuadrit ligjor dhe rregullator në prokurime, raportimit fiskal dhe zbatimit të kontratave.
Në të gjitha fazat e menaxhimit buxhetor, janë evidentuar mangësi në disiplinë financiare, në vlerësimin e projekteve dhe përdorim jo reflektiv të fondeve. Problematikat në prokurime përfshijnë planifikim jo të harmonizuar me nevojat reale dhe fondet e disponueshme, kufizim të konkurrencës, pa rregulli në kontrata dhe mungesë të kontrollit të brendshëm,” tha ai.
Performanca e shërbimeve publike: KLSH vë alarmin për shëndetësinë dhe mjedisin
Auditimet e performancës të kryera nga KLSH tregojnë se shërbimet thelbësore për qytetarët vuajnë nga mungesa e strategjive efektive. Në sektorin e shëndetësisë, administrimi i pajisjeve dhe personelit mjekësor është i mangët, duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe duke rritur kostot.
Shpërndarja e burimeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë, duke rezultuar në një përkujdesje të pamjaftueshme.
Në fushën e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe spitalore paraqet problematika të ndjeshme që rrezikojnë shëndetin publik.
Për më tepër, përpjekjet për të adresuar ndryshimet klimatike janë të kufizuara nga mungesa e fondeve dhe planeve konkrete, duke e lënë vendin të ekspozuar ndaj sfidave afatgjata.
“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar auditimeve të performancës, të cilat janë zhvilluar në sektor me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, si siç janë shëndetësia, arsimi, mjedisi, kultura dhe barazia gjinore.
Auditimet e kryera kanë treguar se institucionet publike ende nuk kanë konsoliduar një strategji të qëndrueshme drejt orientimit për rezultate dhe vlerësimit të ndikimit të programeve apo politikave si praktikë standarte menaxheriale.
Mangësitë në koordinimin ndërinstitucional, planifikimin, monitorimin dhe shfrytëzimin e burimeve reflektojnë në një nivel të ulët eficence dhe efektiviteti në zbatimin e programeve, politikave dhe strategjive publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve të ofruara dhe në perceptimin e qytetarëve për besueshmërinë e administratës.
Në sektorin e shëndetësisë, auditimet evidentuan mangësi në administrimin e pajisjeve dhe personelit shëndetësor mjekësor, duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe rritje të kostove. Gjithashtu shpërndarja e tyre nuk është në përputhje me nevojat reale të popullsisë, ndërsa përkujdesja ndaj pacientëve rezulton e pamjaftueshme.
Kjo për shkak të mungesës së një trajtimi gjithëpërfshirës të kapaciteteve të kufizuara menaxheriale dhe profesionale.
Në fushën e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe spitalore paraqet problematika të ndjeshme, ku mungesa e infrastrukturës së duhur dhe praktikave të sigurta rrezikon shëndetin publik dhe ndikon negativisht në mjedis.
Ndryshimet klimatike mbeten një sfidë e madhe ku përpjekjet institucionale janë të kufizuara për shkak të mungesës së fondeve, planeve konkrete dhe kapaciteteve për zbatim.”














