Eurodeputeti rumun Cristian Terheș ka dhënë një deklaratë të fortë në lidhje me situatën e drejtësisë në Shqipëri.
Në një intervistë për SYRI TV, Terhes u shpreh se struktura e antikorrupsionit në Shqipëri (SPAK) po rrezikon të përdoret si instrument për eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe për goditjen e bizneseve të caktuara.
Sipas eurodeputetit, Rumania ka kaluar një periudhë të ngjashme, kur fushata antikorrupsion, megjithëse nisi me synime të drejta, u përdor nga segmente politike dhe të shërbimeve të inteligjencës për qëllime selektive.
“Nëse nuk do të isha njoftuar shpejt për atë që po ndodhte në Shqipëri, do të ishte shumë e vështirë për ata që nuk janë pjesë e delegacionit ndërparlamentar shqiptar të dinë të gjitha detajet që po ndodhin atje. Shikoni, Rumania ka qenë në një situatë të ngjashme me vendin tuaj 10-15 vjet më parë, ku patëm një fushatë shumë të fuqishme kundër korrupsionit. Por kur e morëm vesh se kjo fushatë kundër korrupsionit po përdorej nga disa njerëz në fushën politike dhe në atë të inteligjencës për të larguar politikanë të caktuar apo për të shkatërruar disa kompani, ne reaguan publikisht. Kështu që, sepse ne e nxorrëm situatën në dritë, burokratët evropianë nuk kishin mundësi tjetër përveçse të pranonin problemet.
Pra, tani në Rumani, për shembull, gjithnjë e më shumë njerëz janë shpallur të pafajshëm, sepse gjyqtarët kanë zbuluar se mënyra se si janë kryer hetimet penale 10-15 vjet më parë ishte bërë duke shkelur procesin e duhur ligjor. Kjo është pikërisht ajo që kam zbuluar edhe unë gjatë kohës që kam qenë në Shqipëri. Mirë, ajo që kam pasur fokus kur kam qenë atje ka qenë kryesisht situata e sistemit gjyqësor. Kam pasur disa kolegë të tjerë që kanë pasur fokus në procesin zgjedhor. Ata ishin gjithashtu vëzhgues në Shqipëri gjatë zgjedhjeve të fundit. Gjatë asaj kohe unë kam dashur të vij, por ne kishim zgjedhje edhe në Rumani.
Por në fund të ditës, të gjitha, le të themi, edhe akuzat për keqbërje gjatë zgjedhjeve, mund të zgjidhen shumë lehtë nëse keni një sistem gjyqësor të fortë, të lirë dhe të pavarur. Sepse ky është themeli dhe baza e çdo qeverie demokratike dhe të dobishme për popullin. Në bazë të asaj që tha Komisioneri Costa dje në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian, ju jeni shumë pranë arritjes së atij qëllimi. Mendoj se, nëse nuk gaboj, është 2027. Mendoj se ky është objektivi që ju të bashkoheni me Bashkimin Evropian deri në vitin 2027, nëse nuk gaboj.
Dua të theksoj këtë: Objektivi është shumë i rëndësishëm për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por në fund të fundit, disa reforma që po bëni në vendin tuaj, duhet t’i bëni ato jo për të kënaqur politikanë të caktuar apo burokratë në Bruksel, por për të kënaqur popullin shqiptar. Kjo është arsyeja pse theksoj përsëri rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës, procesit të duhur ligjor dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor gjatë këtij procesi reformues”,- është shprehur eurodeputeti.














