Nga Boldnews.al
Kemi një situatë të tillë-pronari i kompanicë farmaceutike, Nadir Çausholli, krijon dy kompani të tjera, “Medex Albania” dhe “Pharma Plus”. Për të fshehur gjurmët, ai i vendos këto shoqëri në emër të vartëseve të tij dhe i përdor për të lëshuar fatura fiktive, me qëllim përfitimin e rimbursimin e parave nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.
Prokuroria e Tiranës thotë se kompanitë “fiktive” të Çaushollit i kanë shitur subjektit “CFO Pharma” medikamente të llojit “Foster” dhe “Trimbow”, për të cilat ka ekskluzivitetin një tjetër shoqëri, “Medicamenta”.
Prokuroria thotë gjithashtu se Çausholli është ndihmuar nga ish-titullari i Fondit të Kujdesit Shëndëtësor, Spartak Zekja, dhe disa punonjëse të tjera të institucionit publik, Zade Mali, Esjana Gjishti dhe Romina Agalliu, për të falsifikuar dokumentat.
Vlera e përfitimit monetar, të dyshuar të paligjshëm, përllogaritet aktualisht në vlerën 70 milionë lekë të reja, ndërkohë që dyshimet e publikuara më herët flasin për një shifër që arrin deri në 60 milionë euro.
Pra, gjithçka duket qartë. Në qendër të skemës së dyshuar mashtruese qëndron “CFO Pharma” dhe pronari i saj, Nadir Çausholli.

Por, kur vjen çështja tek aplikimi i masave të sigurimit, e gjithë përgjegjësia shkarkohet tek administratori i “CFO Pharma”, Frigul Milla, vartës i Nadir Çaushollit.
Ligji për “Shoqëritë Tregtare” përcakton se administratori i subjekteve private është përgjegjësi kryesor për aktivitetin e përditshëm të kompanisë, përfshirë edhe mbajtjen e librave të shit-blerjeve. Administratori jep llogari para ortakut ose asamblesë së ortakëve.
Në statusin e kompanisë “CFO Pharma”, administratori “kryen të gjitha veprimet e administrimit të veprimtarisë tregtare të shoqërisë, duke zbatuar politikat tregtare të vendosura nga ortaku”.
Në rastin konkret, administratori Frigul Milla, duket se ka zbatuar pikërisht “politikat tregtare të vendosura nga ortaku” Nadir Çausholli.
Ortaku i vetëm i “CFO Pharma” ka krijuar dy kompani “fiktive”, siç e pranon vetë Prokuroria, ndërsa administratori ka “zbatuar politikën” e Çaushollit për të kryer fatura jo-reale me ato dy subjekte.

Për veprimet e tij të dyshimta, administratori Frigul Milla tashmë është nën masë sigurie “arrest me burg” në mungesë. Me masa më të lehta sigurie, “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit” janë edhe tre vartëset e Çaushollit: Lorena Ballabani, e cila rezulton “de facto” pronare e subjektit “Medex Albania”; Alba Zylfo, e cila është regjistruar si pronare “de facto” e “Pharma Plus”, si edhe Jona Berberi.
LEXO EDHE:
Zbulimi tronditës i Chiesi/ CFO Pharma dhe Bioplus skemë gjigante mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve
	    	













