Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani e ndryshoi qëndrimin e tij përfundimtar në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, Arben Agovi, duke kërkuar të martën dërgimin e tij për trajnim njëvjeçar në Shkollën e Magjistraturës, ndryshe nga kërkimi për shkarkim nga detyra gjatë parashtrimeve një javë më parë.
Prokurori Klodian Braho që përfaqëson Dumanin në këtë çështje, vërejti se pas shpjegimeve dhe provave të dorëzuara nga subjekti, për dy nga çështjet e trajtura në ankim bien shkaqet. Në vijim ai paraqiti konstatimet për pesë çështje të tjera të hetuara prej Agovit, duke vlerësuar se nuk janë kryer hetime të plota, fakte që sipas Brahos, janë konkluduar dhe nga gjykatat që kanë rrëzuar vendimarrjet e Agovit.
Braho u shpreh se, megjithëse pamundësia financiare dhe problemet e konstatuara për profesionalizmin nuk janë të mjaftueshme për të sjellë penalizim, është e nevojshme që subjekti të kryejë trajnimin njëvjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës. Në përfundim Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin e Agovit, pezullimin e tij nga detyra dhe detyrimin për të ndjekur trajnimin në Shkollën e Magjistraturës.
Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Agovi, avokati Julian Mërtiri paraqiti me detaje qëndrimet lidhur mbi çdo shkak ankimi. Për disa përj çështjeve të trajtuara, Mërtiri theksoi se subjekti ka dhënë shpjegime bindëse dhe se gjykatat i kanë gjetur të drejta vendimarrjet e tij. Ai i cilësoi veprimet hetimore e procedurale të kryera nga subjekti sit ë plota, të detajuara e vendimtare për zgjidhjen e çështjeve.
Sipas Mërtirit, subjekti ka dhënë shpjegime shteruese për gjithë gjetjet e konstatuara, ndërsa për shkaqet e ankimit vërejti se në ato nuk evidentohen mangësi profesionale. Në përfundim, ai i cilësoi shkaqet e ngritura të pamjaftueshme për të sjellë ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të prokurorit Arben Agovi.
Kolegji u tërhoq për të marrë vendimin që u njoftua se do të shpallet më datë 12 nëntor, në orën 09:30.
Arben Agovi u konfirmua në detyrë më 13 dhjetor 2023 në mënyrë unanime nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Gjatë seancës dëgjimore më 11 dhjetor, Agovi dha shpjegime për burimin e një apartamenti të blerë nga prindërit, një bilanc negativ si pasojë e pasaktësive në deklarimin e kursimeve cash si dhe për gjetjet në disa prej çështjeve të denoncuara nga publiku. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Komisionerja Publike, Irena Nino vlerësoi ndryshe nga KPK, duke ngritur shkaqe në kriterin e aftësive profesionale, duke pretenduar se subjekti i rivlerësimit nuk kishte dhënë shpjegime bindëse, si dhe nuk kishte arritur të provojë të kundërtën e barrës së proves. Nino kërkoi në ankim shkarkimin e Agovit./ Reporter.al













