Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar masa sigurie ndaj dy personave të dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Në pranga ka rënë ish-oficeri i Gardës së Republikës, Z. M., i cili në kohën e kryerjes së veprës penale mbante gradën Komisar. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Ndërkohë, ndaj shtetasit K. D., banues në Tiranë dhe aktualisht të shpallur në kërkim, është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur”, sipas nenit 234 të të njëjtit Kod.
Hetimet e zhvilluara me metoda speciale kanë zbuluar se të dy të dyshuarit kanë vepruar në bashkëpunim, duke i premtuar një gruaje ndërhyrje të paligjshme për përshpejtimin e procedurave në një institucion shtetëror, kundrejt shumës 20 mijë euro.
Sipas AMP-së, kjo shumë është marrë si “shpërblim” për ndikim të paligjshëm në proceset administrative, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
	    	













