Personi që shikoni në foton e mësipërme është 20-vjeçari, Ervis Brasha i cili u arrestua një ditë më parë në Tiranë, teksa lëvizte me uniformë policie.
Pas verifikimeve, rezultoi se 20-vjeçari nuk ishte punonjës i policisë teksa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara, uniformë policie, 16 stema dhe grada të ndryshme si dhe tre kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Sakaq burime për mediat bëjnë me dije se i riu kishte kontakte edhe me punonjës të vërtetë policie, dhe u prezantohej atyre si koleg. Ai thuhet se u ka shkruar atyre në rrjetet sociale dhe publikonte foto e video në institucione shtetërore, i veshur me uniformë policie, duke u shtirur si efektiv i rendit.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije se i riu ka publikuar në rrjetin e tij social, Instagram, pamje të regjistruara brenda Akademisë së Sigurisë duke hyrë me automjet në ambientet e brendshme të institucionit edhe pse hyrja është e mundur vetëm me autorizim zyrtar, çka ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si ai ka arritur të futet atje.
Nuk dihet ende se si i riu i ka përvetësuar këto materiale të Policisë, apo nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë.













