Jani Marka nga Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, i ftuar në emisionin Terminal në A2 CNN, deklaroi se partia ku ai bën pjesë do të zhvillojë fushatën zgjedhore vetëm në Tiranë, duke e cilësuar kryeqytetin si vendin ku “sistemi mund të thyhet”.
“Lëvizja Bashkë është parti antisistem dhe edhe para se të anuloheshin zgjedhjet për Tiranën, nuk do të kandidonim në pesë bashkitë e tjera. Ne mendojmë se sistemi mund të thyhet vetëm nga Tirana dhe ndaj do të përqendrojmë aty të gjitha forcat tona”, u shpreh Marka.
Ai shtoi se partia ka nisur prej javësh takimet me qytetarët, pavarësisht shtyrjes së datës së zgjedhjeve.
Përfaqësuesja e PD, Eda Grimçi akuzoi Lëvizjen Bashkë se është “forcë pa sistem” dhe “patericë e Ogerta Manastirliut”.
Në përgjigje, Jani Marka tha se “Lëvizja Bashkë është antisistem. Synimi ynë është të përmbysim lidhjet e kalbura të sistemit politik. Marrëveshjet e përsëritura mes Berishës dhe Ramës e tregojnë qartë se ky sistem është i kapur nga oligarkia”.














