Policia e Devollit ka arrestuar vëllain e deputetit të PD-së, Bledion Nallbatit, si dhe dy shtetas të tjerë, të cilët akuzohen se kanë marrë me forcë nga banesa për motive të dobëta një 32-vjeçar, e kanë kërcënuar me jetë dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Në pranga janë vënë shtetasit Alti Nallbati, 42 vjeç, i njohur me nofkën “Duçja“, banues në Bilisht, dhe Trajan Çeliku, 38 vjeç, banues në fshatin Braçanj, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim.
Gjithashtu, është vënë në pranga dhe shtetasi Marsel Buci, 37 vjeç, banues në Devoll, i akuzuar për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 27 tetor, ku tre shtetasit e mësipërm dyshohet se kanë marrë me forcë nga banesa e tij në fshatin Vishocicë, 32-vjeçarin Ilir Topçiu dhe e kanë çuar në ambientet e një biznesi privat, ku e kanë mbajtur për disa orë duke e dhunuar dhe kërcënuar.
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë marrë me forcë nga banesa shtetasin I. T., 32 vjeç, banues në fshatin Braçaj, Bashkia Devoll, i cili ishte me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe e kanë çuar në një biznes privat, ku është keqtrajtuar. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e motivit të saj.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Shtetasit e mësipërm rezultojnë me precedentë penale.
Trajan Çeliku dhe Marsel Buci u përfshinë në ngjarjen e regjistruar më 1 Tetor në qytetin e Bilishtit, ku së bashku me njhë shokun e tyre, sulmuan me dru bejsbolli, 39-vjeçarin Guri Mazelliu. Në atë ngjarje, Marsel Buci mbeti i plagosur me thikë.
Ndërkohë, Alti Nallbati, vëllai i deputetit të PD-së Bledion Nallbati u përfshi në ngjarjen e ndodhur më 3 maj, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, ku u kunfliktua me një shofer kamioni dhe e dhunoi me grushte.














