Një grindje e vjetër mes dy familjeve në fshatin Vorizia të Kretës ka përfunduar në një përgjakje të pashembullt me dy të vrarë dhe gjashtë të plagosur. Sipas raportimeve të mediave greke, masakra nisi pas një shpërthimi që ndodhi një natë më parë në një shtëpi në ndërtim, që besohet të ketë qenë në pronësi të njërës prej familjeve të përfshira në konflikt.
Të shtënat me armë shpërthyen të nesërmen në mëngjes, kur anëtarë të njërës familje dolën të armatosur për hakmarrje. Nga hetimet paraprake, policia dyshon se tre persona kanë marrë pjesë në sulm, duke lëshuar mbi 2000 plumba gjatë përplasjes.
Njëri prej viktimave, Fanourios Kargakis, u qëllua për vdekje në hyrje të fshatit, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën rëndë. Një grua 57-vjeçare, e afërme e familjes kundërshtare, humbi jetën nga ataku në zemër gjatë përplasjes. Katër persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe një banor që nuk kishte lidhje me asnjërën nga familjet.
Policia ka rrethuar zonën dhe po përpiqet të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të gjakmarrjes. Ngjarja ka ngjallur kujtime të rënda për banorët, pasi ngjan me një masakër të ngjashme të ndodhur në vitin 1955 në fshatin Riziti, ku gjashtë persona humbën jetën dhe 14 u plagosën gjatë një konflikti të ngjashëm për hakmarrje.
LEXO EDHE
“Fshati u kthye në zonë lufte”/ Breshëri me 2,000 plumba në Kretë, 3 të vrarë dhe disa të plagosur














