Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të premten konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Vlorës, Laurent Fuçia, pasi ai përfundoi me suskses trajnimin në Shkollën e Magjistraturës, që u detyrua të kryente për arsye të probleme profesionale të konstatuara. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Natasha Mulaj e Sokol Çomo, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi në rezultateve të provimit përfundimtar të arritura nga Fuçia në Shkollën e Magjistraturës.
Laurent Fuçia u konfirmua në detyrë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme. Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme, në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta.
Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitormit, ONM vlerësoi se Komisioni dështoi të zbatonte standarde të sakta në vlerësimin profesional të Fuçisë dhe kërkoi që çështja të shqyrtohej në KPA. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e paraqiti çështjen në Kolegj dhe gjatë bisedimeve përfundimtare më 9 korrik, deklaroi se u qëndronte gjithë shkaqeve të parashtruara në ankim, duke konstatuar rastet që sipas tij, paraqesin gjykim të dobët të subjektit dhe me gabime që i cilësoi thelbësore e serioze. Ballhysa kërkoi shkarkimin e Fuçisë nga detyra.
Subjekti nga ana e tij, veç parashtrimeve kundër shkaqeve të ankimit, vendosi në dispozicion të KPA dhe vendime të dhëna prej tij, për të cilat pretendoi se kishin vlerë orientuese në vlerësimin e profesionalizmit të tij, duke kërkuar lënien në fuqi të konfirmimit.
Kolegji vendosi më 25 korrik të vitit të kaluar të prishë vendimmarrjen e Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Fuçia dhe e pezulloi atë, duke e detyruar të ndiqte trajnimin njëvje,car pranë Shkollës së Magjistraturës.
Laurent Fuçia u diplomua në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin./BIRN














