Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka dënuar ashpër vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të urdhëruar rifillimin e testimeve të armëve bërthamore nga Pentagoni, duke e cilësuar këtë si një hap “të rrezikshëm dhe regresiv”.
Në një postim në platformën X, Araghchi shkroi:
“Pasi e ka riemërtuar ‘Departamentin e Mbrojtjes’ në ‘Departamentin e Luftës’, një ngacmues i armatosur bërthamor po rifillon testimin e armëve atomike.”
Ai akuzoi Trump për hipokrizi, duke theksuar se SHBA “ka demonizuar programin bërthamor paqësor të Iranit, ndërsa vetë po përgatitet për testime të reja, në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”.
Vendimi i Trump u njoftua të enjten në një postim në Truth Social, pak para takimit të tij me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut, gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Trump deklaroi se ka udhëzuar Pentagonin të rifillojë testimet bërthamore “në baza të barabarta” me shtete si Rusia dhe Kina. Sipas tij, arsenalet e këtyre vendeve do të arrijnë nivele të ngjashme me atë të SHBA-së “brenda pesë vitesh”.
“Shtetet e Bashkuara kanë më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër në botë. Rusia është e dyta, ndërsa Kina shumë më poshtë,” tha Trump
 
	    	















