Ndërkohë që SHBA-të po grumbullojnë forcat në Karaibe, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, po i drejtohet Rusisë, Kinës dhe Iranit për të forcuar kapacitetet e dobësuara ushtarake të vendit dhe për të kërkuar ndihmë, duke kërkuar radarë mbrojtës, riparime të avionëve dhe potencialisht raketa. Kështu raporton këtë të premte, The Washington Post, duke iu referuar disa dokumenteve të brendshme të qeverisë amerikane.
Kërkesat ndaj Moskës u bëjnë në formën e një letre për presidentin rus Vladimir Putin, e cila ishte parashikuar të dorëzohej gjatë një vizite të një ndihmësi të lartë në kryeqytetin rus këtë muaj.
Sipas dokumenteve, Maduro gjithashtu ka shkruar një letër për presidentin kinez Xi Jinping, duke kërkuar “bashkëpunim ushtarak të zgjeruar” mes dy vendeve për të kundërshtuar “përshkallëzimin mes SHBA-ve dhe Venezuelës.”
Në letër, Maduro kërkoi nga qeveria kineze të përshpejtojë prodhimin e sistemeve të zbulimit të radarëve nga kompanitë kineze, me qëllim që Venezuela të përmirësojë kapacitetet e saj.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Ministri i Transportit, Ramón Celestino Velásquez, ka koordinuar së fundmi një dërgesë pajisjesh ushtarake dhe dronësh nga Irani, ndërsa planifikonte një vizitë në atë vend. Ai i tha një zyrtari iranian se Venezuela kishte nevojë për “pajisje detektimi pasiv,” “pengues GPS” dhe “dronë me rreze veprimi 1 mijë km,” sipas dokumenteve.
“Në letër, Maduro theksoi seriozitetin e asaj që perceptohet si agresion amerikan në Karaibe, duke paraqitur veprimet ushtarake të SHBA-ve kundër Venezuelës si veprime kundër Kinës për shkak të ideologjisë së përbashkët,” thuhet në dokumentet amerikane.
Rusia mbetet shpëtimi kryesor për Maduro-n. Të dielën, Ilyushin Il-76 (një nga avionët rusë të sanksionuar në vitin 2023 nga SHBA-të për pjesëmarrje në tregtinë e armëve dhe transportin e mercenarëve) mbërriti në Caracas, kryeqyteti i Venezuelës, pas një rruge mbi Afrikë për të shmangur hapësirën ajrore perëndimore, sipas Flightradar24. Kremlini refuzoi të komentojë për letrën, por të premten në mbrëmje, Ministria e Jashtme tha se Moska e mbështet Venezuelën “në mbrojtjen e sovranitetit të saj kombëtar” dhe është “gati të përgjigjet në mënyrë të duhur ndaj kërkesave të partnerëve tanë përballë kërcënimeve në rritje.” Moska gjithashtu ratifikoi së fundmi një traktat strategjik të ri me Caracas-in.
Këto lëvizje tregojnë se sa shumë ka për të humbur Moska nëse lideri në vështirësi venezueliane do të rrëzohej. Projekte të profilit të lartë mes dy vendeve vazhdojnë të zbatohen, duke përfshirë një fabrikë municionesh që u hap në korrik në Aragua, rreth 20 vjet pasi ishte premtuar. Moska gjithashtu ka të drejta eksplorimi për rezervat e gazit natyror dhe naftës që mund të vlejnë miliarda dollarë.
Megjithatë, pavarësisht dukjes, vëzhguesit thonë se mundësitë dhe interesi i Moskës për të mbështetur Maduron mund të jenë reduktuar krahasuar me vitet e kaluara. Konflikti midis Washington-it dhe Caracas-it mund t’i sjellë rusëve disa përfitime të papritura duke zhvendosur vëmendjen amerikane larg Evropës.
E përfshirë në luftën në Ukrainë dhe duke kërkuar bashkëpunim më të ngushtë me partnerët e tjerë latino-amerikanë, Moska ka kufizuar gradualisht interesin për Venezuelën vitet e fundit, pa shenja të një rritjeje mbështetjeje për shkak të krizës aktuale.
“Fakti që kemi zhvendosur mbi 10 për qind të forcave tona detare në Karaibe është tashmë një fitore, në disa aspekte, për Putin,” tha James Story, ish-ambasador amerikan në Venezuelë dhe partner themelues i Global Frontier Advisors. “Interesi ynë i rinovuar për të gjitha gjërat e hemisferës perëndimore shpërqendron vëmendjen tonë nga Ukraina. Dhe kjo është e mirë për Putin-in.”
Lidhjet politike dhe ekonomike mes Rusisë dhe Venezuelës datojnë që nga kohët e Hugo Chavez-it, babait të shtetit socialist, pas marrjes së pushtetit në 1999. Marrëdhënia lulëzoi gjatë viteve 2000, 2010 dhe fillim të viteve 2020. Sot përfshin sektorin vital të petrokimikateve, blerjet e armëve, operacionet e përbashkëta të propagandës dhe marrëveshje të paqarta me kriptomonedha.
Grumbullimi ushtarak amerikan në Karaibe paraqet ndoshta sfidën më të madhe për pasardhësin e Chavez-it, Maduro, që kur mori drejtimin e vendit në 2013.
Dhjetëra sulme amerikane ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës, kryesisht duke nisur nga bregdetet venezueliane, kanë vrarë të paktën 61 persona që nga shtatori. Administrata nuk ka paraqitur prova që anijet ishin të përfshira në trafik droge, dhe Maduro i ka mohuar ato.














