Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit Fatos Nano, ka sjellë reagime të shumta nga politika shqiptare si majtas dhe djathtas.
Presidenti Bajram Begaj, në një mesazh në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.
Ai vlerësoi rolin e liderit socialist Fatos Nano përgjatë tranzicionit të vendit, si dhe politikat reformiste e liberale që ai ndoqi përgjatë aktivizimit në politikën shqiptare.
“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!”, shkroi Begaj në mesazhin e ngushëllimit.
Ish-Presidenti Bamir Topi në reagimin e tij tha se vlerëson sjelljen Nanos me kundërshtarët politikë, ndërsa ka kujtuar një rast kur Nano sipas tij ka tejkaluar pozicionin politik dhe votoi Topin për president të vendit.
“Keqardhje për ndarjen nga jeta të z. Fatos Nano. Nano ishte një politikan qytetar, liberal dhe komunikues modern në politikë e në shoqëri. Sjellja e tij politike me kundërshtarët politikë ishte plot predispozicion për dialog e kompromis. Personalisht i jam mirënjohës, pasi tejkaloi pozicionin e tij politik për të më votuar si President i Republikës, duke menjanur krizën politike e kushtetuese. U prehtë në paqen e përjetshme!”, shkruan Topi.
Nga radhët e demokratëve ka qenë deputeti Tritan Shehu, i cili përmes një mesazhi në rrjete sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryesocialistit.
“Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Z. Fatos Nano! Një humbje për familjen socialiste. Një humbje për politikën shqiptare. Ngushëllime familjes së tij, që e ndjen e përjeton më shumë se gjithë se kush këtë humbje. Bashkëpuntorëve në vite. Miqve e shokëve. Ngushëllime!”, shprehet Shehu.
Për deputetin Erion Braçe, Fatos Nano është njeriu që ribëri të majtën shqiptare.
“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!”, shkruan Braçe.
 
	    	















