Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është paraqitur sot në SPAK, për t’u njohur me akuzat që lidhen me “shkeljen e barazisë në tenderat publikë”.
Pak çaste përpara mbërritjes së saj, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme u pa edhe motra e saj, Pamela Qirko, e cila do të përfaqësojë Ballukun si avokate mbrojtëse në këtë proces. Qirko është ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucioni që dikur shkarkonte gjyqtarë e prokurorë për mungesë integriteti.
Në momentin e hyrjes në SPAK, Balluku u përball me një numër gazetarësh që kërkuan reagimin e saj për hetimin. Ministrja zgjodhi të mos japë asnjë përgjigje, duke u larguar me nxitim dhe duke shtyrë reporterët që i afroheshin për pyetje.
“A do të jepni dorëheqjen apo do të përballeni me drejtësinë me mandat?”, ishte pyetja e gazetares së News24, Klodiana Lala, ndaj së cilës Balluku reagoi me indiferencë dhe mimika të tensionuara, pa dhënë asnjë koment.

Balluku do të mbrohet nga e motra, Pamela Qirko, pasi akuzohet për “shkelje të barazisë në tenderat publikë”.
Ajo që e bën situatën më paradoksale është fakti se Pamela Qirko, përpara se të vishej me roben e avokates, ka qenë kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), institucioni që dikur shkarkonte gjyqtarë e prokurorë për mungesë integriteti. Me firmën e saj janë shkarkuar 56 përfaqësues të drejtësisë, ndërsa sot ajo vetë gjendet në prag të një procesi ku drejtësia i prek familjen.
Hetimet po drejtohen nga prokurori Dritan Prençi, i cili është ndër 136 prokurorët dhe gjyqtarët e konfirmuar në detyrë nga procesi i vettingut. Belinda Balluku është nën hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tenderat publikë”. Ky zhvillim vjen në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK mbi procedurat e tenderimeve në institucionet që ajo ka drejtuar, pas arrestimit të disa ish-vartësve të saj në ministri dhe në Entin Kombëtar të Rrugëve.
Kreu i opozitës, Sali Berisha ka denoncuar kërcënimin, që sipas tij, Kryeministri Rama i ka bërë prokurorit të SPAK-ut, Dritan Prençi, që heton zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ai tha se Rama e ka telefonuar, ndërsa e cilësoi këtë një akt të rëndë.
 
	    	















