Fjala e vitit e zgjedhur nga Dictionary.com nuk është tamam fjalë. Është termi viral “6-7” për të cilin fëmijët dhe adoleshentët qeshin e flasin, kurse mësuesit dhe prindërit nuk e kuptojnë.
Fjala, në mund ta quajmë kështu, fitoi popullaritet gjatë verës. Është më shumë një shaka mes grupit, pa ndonjë kuptim të veçantë dhe sigurisht, kanë ndikuar rrjetet sociale.
Sipas Dictionary.com, përzgjedhja e vitit është një kapsulë gjuhësore kohe që pasqyron trendet sociale dhe ngjarjet. Por edhe vetë faqja pranon se nuk e ka shumë të qartë “6-7.”
Duket se zanafilla është kënga e reperit Skrilla “Doot Doot (6-7).”
Kënga nisi të bëhej virale në videot e basketbollistëve në TikTok, përfshirë edhe yllin e NBA, LaMelo Ball i cili është 2 metra i gjatë (në SHBA njësia matëse është 6 këmbë dhe 7 inç).
Më pas, një djalë që tani njihet si “Djali 6-7”, bërtiti këtë frazë kurse një fëmijë ngjitur tij luante me duar dhe videoja u bë virale. Kaq u desh.
Pra, ç’do të thotë “6-7”?
E vërteta është që askush s’e di. Ndonjëherë varet se kush e dëgjon, madje ka debate edhe për mënyrën si duhet shkruar, me fjalë a me numra.
Sipas Dictionary.com, mund të nënkuptojë “ashtu-ashtu”, “ndoshta kjo, ndoshta ajo” kur kombinohet edhe me gjestet.
Disa e përdorin thjesht për të acaruar të rriturit kur i pyesin.














